Motra e Fatmir Haklajt, zbërtheu pallton e nxori kallashnikovin dhe i vrau një nga një
Zylfie Haklaj, motra e Fatmir Haklajt, reagoi pasi gjykata vendosi të hapë dosjen e Azem Hajdarit. Ajo strehohet në Suedi dhe historia e saj është si për filma. Lexoni më poshtë një dosje të publikuar 5 vjet më parë nga gazetari i njohur Artan Hoxha
Të bindur se Haklajt tashmë ishin të marrë fund dhe mezi po rezistonin brenda mureve të fortifikuara të kullës shekullore në Kërnajë, kundërshtarët e tyre bën një gabim të rëndë që u kushtoi shtrenjtë. Më 2 prill 2002, Rasim Lumneshi, një emër i njohur jo vetëm në Tropojë, u bë viktima e radhës në atë që sot quhet “Dosja Tropoja”. Lumneshi dhe familja e tij ishin larguar nga Tropoja qysh në fillimin e viteve ’90 për t’u vendosur në Fier. Ai ishte pronari i njërit prej hoteleve më të bukura të Fierit, me emrin “Shkëlzeni”. Rasimi ishte mjaft i njohur dhe në radhët e demokratëve në gjithë vendin. Jo vetëm si mbështetës i zjarrtë dhe sponsor i PD-së, por dhe si mik personal i liderit demokrat Sali Berisha. Madje gjatë një mitingu në qytetin e Fierit, Rasim Lumneshi ndërhyri energjikisht duke shpëtuar nga një atentat me granatë mësymëse liderin e opozitës. Ai ishte akuzuar nga prokuroria si një ndër organizatorët kryesorë të ngjarjeve të 14 shtatorit 1998 në Tiranë, vepër penale për të cilën u arrestua dhe brenda 48 orësh u la sërish i lirë për mungesë provash. Familja Lumneshi kishte patur marrëdhënie të mira me familjen Haklaj, madje djemtë e tyre kishin shoqëri deri në momentin që nisi skenari i përgjakjes së Tropojës. Për Haklajt Rasim Lumneshi vlerësohej si një djalë trim dhe kurajoz, si person që kishte trashëguar shumë nga vlerat dhe tradita e Malësisë së Gjakovës.
GABIMI FATAL
Kur Haklajt mësuan nga informatorët se Rasim Lumneshi ishte rreshtuar me kundërshtarët, madje dyshonin se ai ishte truri i disa prej ngjarjeve më të rënda ndaj tyre, e kuptuan rrezikun që u kanosej. Haklajt deklaruan se Lumneshi nuk ishte përfshirë në këtë histori për probleme personale me ta, por për shkak se një gjë të tillë ia kishin kërkuar miq të afërt të tij. Ata tentuan disa herë ta godisnin Lumneshin, por ishte gati e pamundur. Lumneshi kishte shumë miq dhe ishte mjaft i përgatitur. Por pikërisht atëherë kur Haklajt i kishin humbur shpresat se mund të arrinin te Rasim Lumneshi, ky i fundit bëri një gabim fatal. Lumneshi kishte udhëtuar me aeroplan nga Tirana në Prishtinë për punë personale. Aty takoi disa miq të tij nga Tropoja të cilët e ftuan të shkonte në vendlindje dhe i dhanë garanci të plotë se nuk do t’i ndodhte asgjë, pasi Haklajt tani nuk mbronin dot as kullën e tyre. Lumneshi kishte vite të tëra që nuk shkelte publikisht në Tropojë, pasi ishte paralajmëruar se Haklajt po e kërkonin për ta vrarë. Ai ishte tepër i kujdesshëm dhe për këtë gjë Haklajt edhe pse e shihnin si një nga kundërshtarët më të rrezikshëm, e respektonin për aftësitë që kishte. Nuk dihet në ç’rrethana por Lumneshi u bind të hynte në Bajram Curri ditën për diell. Në mëngjesin e 2 prillit 2002 Lumneshi dhe personat që e shoqëronin kaluan traun e pikës së kalimit kufitar në Qafën e Morinës dhe morën drejtimin për në qytetin e Bajram Currit. I garantuar prej miqve të tij, Lumneshi e humbi vigjilencën për të cilën ishte shquar gjithmonë. Dalja e tij në Bajram Curri ishte një sfidë e fortë që u bëhej Haklajve. Ekspozimi në publik i Lumneshit, i cili në fakt, thjeshtë kishte shkuar në vendlindjen e tij, dëshmonte se Haklajt pasi u ishin vrarë katër djem, nuk trembnin më askënd.
MËSUESJA
Pasi takoi disa miq në Bajram Curri, Lumneshi dhe personat që e shoqëronin u ulën për të pirë një kafe në lokal “Ervin”, që ndodhet në pjesën e sipërme të shëtitores kryesorë të qytetit dhe për më tepër ishte pronë e një oficeri të policisë. Mes grupit të ulur me Lumneshin kishte shumë të njohur të tij, duke përfshirë gjyqtarë e biznesmenë të Tropojës. Ndërsa Lumneshi po shijonte kafen nën shoqërinë e miqve në mes të Bajram Currit, lajmi i ardhjes së tij mbërriti në Kërnajë. Hamdi Haklajn nuk e mbante vendi, por ai nuk mund t’i afrohej aq sa donte Lumneshit. Jo vetëm se do ta njihnin qysh larg, por sepse kundërshtarët e tij ishin aq të përgatitur dhe të shumtë në numër sa mund ta vrisnin më parë. Për këto shkaqe u gjet një zgjidhje që askujt nuk do t’i vinte mendja. Mësuesja 37 vjeçare, Zylfije Haklaj, si çdo ditë po u shpjegonte fizikë nxënësve të saj në shkollën 8-vjeçare të Kërnajës. Sapo mori vesh lajmin, ajo nuk humbi kohë, por nxitoi të mbante premtimin që pati bërë mbi varrin e vëllait të vrarë, Yllit.
PREMTIMI
Sipas versionit që prokuroria ka paraqitur në gjykatë, rezulton se Zylfie Haklaj zbriti në Bajram Curri nga fshati i saj me një furgon pasagjerësh të rastit. E gjatë mbi një metër e 90 centimetra, ajo e kishte të lehtë të fshihte poshtë palltos së saj një kallashnikov që e kishte hedhur në sup. Mësuesja e fizikës zbriti nga furgoni në qendër të qytetit, para monumentit të Bajram Currit dhe ngjiti shkallët në krah të tij që të nxjerrin në trotuarin mbi shëtitoren kryesore. Lokali ku qëndronin të ulur dhjetë burra të gjithë me armë në brez, qoftë me leje apo pa leje, ishte afro 100 metra larg. Ajo eci ngadalë për të mos tërhequr vëmendjen e klientëve të shpërqendruar të lokal “Ervin” që ndodhej vetëm 50 metra në vijë ajrore nga hyrja e komisariatit të Bajram Currit. Sipas dëshmitarëve okularë, Lumneshit nuk i shpëtoi pa i rënë në sy silueta e një femre të gjatë që po ecte me hap të ngadaltë drejt tyre, por miqtë e siguruan të mos shqetësohej për asgjë. Rreth orës 10:15 minuta Zylfije Haklaj ndodhej vetëm 10 metra larg tavolinës së Lumneshit. Ajo vetëm zbërtheu pallton dhe nga poshtë saj nxori kallashnikovin, të cilin nuk e hoqi nga supi, por hapi zjarr direkt duke qëlluar një nga një. Të shtënat e para që tronditën shëtitoren kryesore të Bajram Currit në një nga orët më të populluara, i shkaktuan vdekjen e menjëhershme Rasim Lumneshit dhe Ilir Gosturanit. Ndërsa Hysni Biberi dhe kryetari i gjykatës së Tropojës, Kujtim Dusha mbetën të plagosur. Nuk dihet a do të kishte patur viktima të tjera nëse mësueses së fizikës nuk do t’i bllokohej kallashnikovi. Pavarësisht se të gjithë personat që gjendeshin përballë ishin të armatosur, ajo nuk e humbi toruan, thjeshtë ndërroi karikatorin e automatikut, kopsiti pallton dhe vazhdoi të ecte më këmbë duke u larguar drejt pallateve në lagjen “Partizani” për të mos u kapur kurrë nga policia. Vetëm pak çaste më pas njëri nga personat që ndodhej në tavolinë me viktimat qëlloi disa herë me pistoletë në ajër për të kërkuar ndihmën e policisë. Por ishte tepër vonë, Rasim Lumneshit i mjaftoi vetëm një gabim dhe besimi te miqtë e tij që i dolën garant për të përfunduar nën breshërinë e plumbave.
HAKMARRJA
Në pamundësi për të goditur Hamdi Haklajn dhe motrën e tij të vogël Zylfijen, kundërshtarët e Haklajve vendosën të ekzekutonin të afërmit e tyre pa u mbushur as 40 ditë nga vrasja e Lumneshit. Mëngjesin e 8 majit 2002, nëndrejtori i gjimnazit të Bajram Currit, Cen Haklaj 54 vjeç, ishte duke shkuar në punë i shoqëruar nga babai i tij, 80 vjeçari Elez Haklaj. Sapo ata kanë dalë nga banesa rreth orës 07:15 dhe morën rrugën e spitalit të Bajram Currit, u qëlluan me breshëri kallashnikovi nga dy persona të armatosur që udhëtonin me një autoveturë tip Benz me ngjyrë të kuqe. Në mbështetje të tyre ishin dhe tre persona të tjerë që kishin si detyrë të siguronin tërheqjen e autorëve të krimit. Breshëritë e gjata të kallashnikovëve i tronditën dhe një herë tjetër banorët e Bajram Currit, të cilët ishin mësuar me to, por për kuriozitet interesoheshin vetëm kush ishte emri i viktimave të radhës. Vrasësit morën rrugën poshtë spitalit të Bajram Currit dhe u nisën në drejtim të Margegajt. Pasi kaluan fshatin Shoshan ata u futën në Grykën e Dragobisë, ku për të humbur gjurmët, pranë vendit të quajtur Ura e Klisyrës braktisin dhe i vunë zjarrin automjetit të tyre. Sipas të dhënave operative në këtë ngjarje morën pjesë pesë persona, të cilët pasi braktisën mjetin morën drejtimin drejt Dragobisë. Policia është informuar për emrat e autorëve por nuk ka bërë kurrë as hetimin dhe as ndalimin e tyre.
VIKTIMAT
Elez Haklaj është vëllai i Muharrem Haklajt dhe xhaxhai i katër vëllezërve të vrarë. Emri i tij është përmendur nga prokuroria si i pranishëm afër vendit ku mbeti i vrarë deputeti Azem Hajdari më 12 shtator 1998, por kjo akuzë nuk u provua kurrë. Ndërsa Cen Haklaj ishte një nga intelektualët e njohur të Tropojës, me shumë reputacion dhe i papërfshirë në asnjë ngjarje. Ai u vra vetëm pse ishte djali i xhaxhait të Fatmir Haklajt. Vëllai tjetër i Cenit, ndihmësgjyqtari Sokol Haklaj u vra në pritën e 21 qershorit 1997 në Milot, së bashku me ish-truprojën e Azem Hajdarit, Ibrahim Rustemi. Vrasja e Elez e Cen Haklajt, pavarësisht se ata nuk ishin implikuar në ndonjë ngjarje të mëparshme, dëshmoi se vrasësit nuk do të falnin më askënd. Kjo ngjarje e rëndë bëri që djali i Cen Haklajt, Spartak Haklaj, një nga oficerët më të mirë të forcave komando të Ushtrisë Shqiptare, që kishte shërbyer për vite me radhë në misionet paqeruajtëse jashtë vendit të braktiste detyrën. Pas vrasjes së gjyshit, babait dhe xhaxhait të tij, krejtësisht të pafajshëm, oficeri komando, Spartak Haklaj e braktisi detyrën për të mos i shërbyer më një shteti që jo vetëm nuk siguroi jetën e familjarëve të tij, po as e mori mundimin të arrestonte vrasësit e tyre.
ATENTAT PLAKUT TË HAKLAJVE
Vrasja e vëllait dhe nipit të Muharrem Haklajt e detyruan dhe këtë fundit të mos dilte më në Bajram Curri, qoftë dhe për të plotësuar nevojat më të ngutshme të familjes. Edhe pse ishte afër të 80-tave dhe kishte varrosur katër djem të tij, plaku i Haklajve bënte pjesë në listën e personave që duhej të eleminoheshin fizikisht. Ai herë pas here fliste në media dhe akuzonte drejtpërdrejt liderin e opozitës Berisha se kishte gisht në vrasjen e djemëve të tij. Për t’ia mbyllur gojën njëherë e mirë plakut të Haklajve, u organizua një tjetër atentat, sërish me snajper, pasi t’i afroheshe më tepër kullës së fortifikuar ishte e rrezikshme. Në orët e para të mëngjesit të 14 gushtit 2002, Muharrem Haklaj kishte dalë jashtë rrethimit të kullës për të lidhur qentë që i kishte pasur lëshuar gjatë natës. Rreth orës 6:30 minuta ai u qëllua tre herë me snajper në distancë, por për fat të mirë shpëtoi gjallë. Më pas u qëllua me breshëri mitralozi të lehtë dhe kallashnikovi drejt kullës së Haklajve në mënyrë që të mos kishte kundërpërgjigje gjatë tërheqjes.
PROVAT
Afro një orë pas ngjarjes, trupat speciale që ndodheshin në Bajram Curri, shkuan në Kërnajë ku gjetën në cilësinë e provës materiale gëzhoja, copa buke si dhe njolla gjaku, pasi një nga autorët ishte plagosur gjatë kundërpërgjigjes me zjarr nga rojet e kullës. Sulmi u organizua nga e njëjti pozicion ku u vra me snajper Ylli Haklaj, më 3 dhjetor 2000. Pas largimit të policisë, disa të afërm të Haklajve u dërguan për kontroll në pozicionet ku ishte bërë prita. Bashkë me ta ishte dhe vajza e madhe e Hamdi Haklajt, Drenica. Gjatë kontrollit u gjetën mbetje ushqimesh, një thikë dhe një copë letër e grisur, ku në të ishte emri i njërit nga autorët, ish-efektiv i forcave speciale si dhe nënshkrimi i tij. Për të mjekuar personin e plagosur, autorët e pritës ndaluan në një bazë të tyre, në një fshat në kufi me Kosovën. Plaga që i plagosuri mori, kishte nevojë për ndihmë të specializuar mjekësore. Në momentin që të afërmit e pjesëtarëve të komandos kërkuan ndihmë në repartin e Kirurgjisë të Spitalit të Bajram Currit, u zbuluan nga një informator i Haklajve. Që nga ajo ditë tre nga autorët e pritës dhe të afërmit e tyre në Tropojë janë ngujur për t’iu shmangur hakmarrjes nga Haklajt. Në këto kushte personi i plagosur u dërgua për mjekim në Kosovë ku ishte më i sigurt nga ndonjë hakmarrje e Haklajve.
AUTORËT E PRITËS
Dy nga autorët e pritës gjatë tërheqjes janë ndarë nga pjesa tjetër dhe për t’i spostuar vëmendjen policisë, qëlluan me breshëri armësh në ajër në afërsi të lagjes Sylaj. Gjatë largimit ata janë parë nga disa banorë të kësaj lagjeje. Zjarri u hap për të penguar ndjekjen e policisë ndaj pjesës tjetër të grupit që kishte të plagosurin me vete. Rojet e kullës kanë parë nga larg me dylbi 12 persona që tërhiqeshin pas sulmit. Gëzhojat e këtij atentati rezultuan të njëjta me ato të disa ngjarjeve të mëparshme, përfshi atentatin me snajper të 3 dhjetorit 2000, ku u vra Ylli Haklaj, të 13 shtatorit 2000, kur iu bë atentat Hamdi Haklajt në kullë dhe të 20 gushtit 2001, kur iu bë atentat Petrit Brahës, Kastriot Brahës dhe Bilbil Lanajt.