Epilogu

Kush është presidenti francez që flet për origjinën arbëreshe të Napoleon Bonapartit  

Nga Mentor HOXHA -Paris

Prej shumë vitesh, disa historianë dhe studiues të njohur shqiptarë po flasin për rrënjët arbëreshe të Perandorit të famshëm francez, Napoléon Bonaparte (Napoleon Bonaparti). Midis tyre spikasin Luan Rama (1952), ish ambasador i Shqipërisë në Francë (1997-2001), profesor në Paris, autor i mbi 30 librave, kryesisht për lidhjet shqiptaro-frënge, Myfit bej Libohova (1876-1927), disa herë ministër, doktor i shkencave politike nga Universiteti i Lozanës, Zvicër, Dr Robert D’Angely (1893-1966), dijetar, linguist, ish profesor në Paris, Elena Kocaqi (1975), historiane e njohur,  Profesore e Asociuar, Aristidh Kola (1944-2000), avokat, historian dhe publicist i njohur grek me origjinë arvanitase, prof. Dhimitër Shuteriqi (1915-2003), akademik dhe shkrimtar i shquar, i diplomuar në Francë, Mexhit Kokalari (1924), studiues, profesor i Ismail Kadaresë dhe i Dritëro Agollit, Auron Tare, studiues, Barjam Peçi, studiues etj. Të gjitha këta studiues të spikatur kanë publikuar studime në shtypin  shqiptar, ku me fakte dhe dëshmi hedhin paksa dritë mbi rrënjët arbëreshe të njeriut më të famshëm të të gjitha kohrave. Të gjithë këto historianë e studiues, si fakt kryesor paraqesin dëshminë e Adolf Thiers. Myfit bej Libohova në kujtimet e tij që pasqyrohen në librin e Ahmet Myfitit bej Libohovës, “Tependli Ali Pashë Tepelena” (1903)i botuar në Kajro, thotw se Adolf Thiers shkruan: “Kur Josef Bonoparti, vëlla i madh i Napolon Bonopartit u bë mbret i Napolit në vitin 1806, shqiptarëve të Napolit që shkuan për t’i uruar mirseardhjen u tha: Edhe familja Bonoparti është me origjinë arbëreshe”. Në studimin me titull, “Marrëdhëniet e Bonapartit me Ali Pashën, a është trill prejardhja arbëreshe?! (Shqiptarja.com, 1 shtator 2019), Luan Rama shkruan: “Sa herë kisha dëgjuar rreth origjinës arbëreshe të Napoleonit vija buzën në gaz duke menduar se imagjinata e atyre që mbronin këtë tezë shkonte aq larg sa merrte përmasat e një legjende, apo trilli romanesk. Në fakt, ata që e kanë hedhur këtë tezë janë mbështetur në librin me kujtime të dukeshës d’Abrantes si dhe në një thënie të presidentit francez Adolph Thiers se “Napoleoni ka qënë me origjinë arbëreshe.

Po kush është Adolphe Thiers që dëshmon origjinën  arbëreshe të Napoleon le Grand”, duke i bërë nderin më të madh kombit shqiptar dhe historisë së tij të lavdishme.

Adolphe Thiers (1797-1877) ishte burrës shteti, jurist, avokat, gazetar, shkrimtar, historian, anëtar i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike dhe për 36 vjet mbajtës i Katedrës 1 të Seksionit të V të kësaj akademie (26 dhjetor 1840-3 shtator 1877). Është presidenti i dytë i Francës (1871-1873) dhe presidenti i parë i Republikës së Tretë Franceze. Mandati i tij u shënua nga paqja me Prusinë, humbja e Alsace-Lorraine dhe shtypja e rëndë e Komunës së Parisit. Aksioni politik i tij mbulon pothuajse të gjithë shekullin e 19-të, nga Restaurimi monarkik në vitet 1820 deri në Republikën e Tretë dhe është presidenti i parë i saj. Nga mosha 33 vjeçare kur hyri në qeveri, nuk u largua më nga sallat e pushtetit deri kur vdiq në 1877. Ka qenë President i Republikës Franceze (31 gusht 1871-24 maj 1873), Kryetar i Pushtetit Ekzekutiv të Republikës Franceze (Kryetar i Shtetit dhe i Qeverisë, 17 shkurt-31 gusht 1871), tre herë deputet (8 shkurt 1871-3 shtator 1877; 31 maj 1863 -4 shtator 1870; 13 maj 1849-2 dhjetor 1851), tre herë President i Këshillit të Ministrave (24-24 shkurt 1848 ; 1 mars-29 tetor 1840; 22 shkurt-6 shtator 1836), Ministër i Punëve të Jashtme (1 mars-29 tetor 1840; 22 shkurt-6 shtator 1836), Ministër i Brendshëm (18 nëntor 1834-22 shkurt 1836; 4 prill-10 nëntor 1834; 11 tetor-31 dhjetor 1832), Ministër i Tregtisë dhe Punëve Publike (31 dhjetor 1832-4 prill 1834) dhe Zëvendës i Bouches -du Rhone në Dhomën e Deputetëve (21 tetor 1830-24 shkurt 1848).

THIERS, PERSONALITETI MË I DEKORUAR DHE MË I SHARË I KËTIJ SHEKULLI

“Thiers është një nga njerëzit më të admiruar dhe më të sharë të këtij shekulli”, -thotë bashkëkohësi i tij, Jules Simon (1814-1896), filozof dhe burrë shteti. Është ndër personalitetet më të vlerësuara në Francë, por dhe më i kontestuari në historinë politike të Francës. I dekoruar me të gjitha gradat e Legjionit të Nderit: Kalorës (1831), Oficer (1833), Komandant (1835), Oficer i Madh (1837) dhe Kryqi i Madh (1871).  I nderuar me Çmimin e letërsisë nga Shoqëria e Miqve të Shkencave dhe Arteve, me çmimin e Akademisë së Aix-it, me një Lavdërim nga Vauvenargues dhe nga mbreti Charles VIII. “Thires është një nga personalitetet që ka më shumë rrugë në Francë”, thotë gazetari dhe biografi i tij, Georges Valance. 96 rrugë dhe sheshe në Francë mbajnë emrin e tij që nga fundi i shek. XIX: në Paris (lagjia 16), në Aix-en-Provence (në qytetin e vjetër), Lyon, Marsejë, Bayonne, Beaune, Bordeaux, Dijon, Grenoble, Le Raincy, Lille, Reims, Vannes, Nicë etj. Emrin e tij e mban rruga ku lindi dhe Liceu në Marsejë që ndodhet në këtë rrugë. Emërimi i rrugëve, shesheve dhe shkollave me emrin e tij ka ngjallur admirim, por dhe kundërshti në kohë të ndryshme, aq sa disave u është hequr emri Thiers, e disa janë riemëruar me emrin e tij. Në shtëpinë ku lindi ndodhet një pllakë përkujtimore, kurse varri i tij në varrezat pariziane Père -Lachaise është më imponuesi. Ai paraqet një mausoleum me lartësi 14 metra dhe sipërfaqe të jashtme 145 m. Kur Thiers vdiq, shtypi në mbarë botën botoi artikuj dhe studime për jetën dhe veprën e tij. I janë ngritur edhe buste e statuja të larta. Në 1879, dy vjet pas vdekjes, një statujë e tij 3.40 m e lartë u ngrit në Nancy. Statuja e tij në sheshin e kështjellës së Saint -Germain-en-Laye, u shkri gjatë pushtimit në 1941. Një bust i tij gjendet në Galerinë e Busteve në Palace du Luxembourg. Portreti i tij është dizenjuar në pullat postare franceze. Postet e larta politike, roli i tij në pozitë dhe opozitë, si dhe shtypja me gjak e Komunës së Parisit (1871) ku Thiers ishte Kryetar i Shtetit, i kanë krijuar shumë armiq dhe kundërshtarë. Duka i Aumale pohon se “M. Thiers është armiku më i madh që Franca ka pasur ndonjëherë”. “Thiers bëri shumë armiq gjatë jetës së tij: bonapartistët për kundërshtimin e tij ndaj Perandorisë, monarkistët për themelimin e Republikës dhe në fund “republikanët e përparuar” për shtypjen e Komunës”, thotë historiani Pierre Gjural (1909-1996).

KOMUNA E PARISIT, NGJARJA QE I RËNDON MË SHUMË

Artikulli për Thiers në “Fjalorin e Letërsisë” (1971) thotë se “ai e mbyti në gjak Komunën”, kurse shumica e bashkëkohësve të tij e lartësuan atë dhe i thurin lëvdata për “negociatorin e shquar”, për urtësinë e shquar të “burrit të shquar të shtetit”. Komuna e Parisit tronditi kryeqyetin francez nga marsi deri në maj 1871. Ajo u krijua më 18 mars 1871. Më 26 mars 1871 u zgjodh Këshilli i Komunës prej 90 anëtarësh, kryesisht nga anëtarë të borgjezisë së vogël dhe të mesme dhe punëtorë. Komuna u shua me gjak dhe me një bilanc tragjik. Më 21 maj 1871, ushtria e rregullt e Versajës hyn në Paris. Brenda javës, qyteti pushtohet, masakrat shumohen, monumentet digjen… Rezistencat e fundit u mbytën më 28 maj 1871, pas vrasjes në varrezat Père -Lachaise. Parisienët, gratë, fëmijët, pleqtë u masakruan. Vdiqën 1.300 vetë në anën e Versajës dhe 25.000 në anën e Federatës. U burgosën 40.000, ku shumica u deportuan në Angli ose në Kaledoninë e Re dhe disa qindra u dënuan me vdekje apo punë të detyruar. Anarkistja militante, figura e madhe emancipimit femëror, Louise Michel, e cila mori pjesë në Komunë, u depërtua në Noumea. Pavarësisht shkurtësisë së saj, Komuna shënoi thellësisht historinë e Francës. “Kjo ishte revolta e parë proletare”, thotë teoricieni gjerman, Karl Marks. “Rrethanat dhe veprimet e Komunës do të lindnin debate të mëdha: a lindi vërtet ajo nga një ideologji e thellë socialiste? A shkaktoi thjeshtë një luftë civile që buronte nga patriotizmi parizian apo ishte një luftë e vërtetë klasore midis borgjezisë dhe njerëzve të thjeshtë, siç do të pohonte Marksi? Sido që të jetë, Komuna, ndryshe nga sa mund të mendohej, nuk do të prekë Republikën: Përkundrazi; ajo do të dalë më e fortë nga kryengritja, e cila në sytë e borgjezëve dhe fshatarëve, i ka mundësuar të provojë aftësinë e saj për të vendosur rendin shoqëror (Charlène Vince, La commune de Paris: résumé de l’insurrection de 1871, linternaute.fr, 22 mars 2022).  Komuna e Parisit, frymëzoi edhe Komunat e tjera. Më 23 mars 1871, edhe Marseillait, ashtu si Parizienët organizohen për të krijuar një Komunë. Lëvizjet komunale përhapen edhe në Narbonne, Saint-Etienne dhe Toulouse, por nuk zgjasin shumë. Lëvizja e Marsejës u shtyp me 4 prill. Një rrugë dhe një shesh i madh në kryeqytetin shqiptar mbajnë emrin Komuna e Parisit.

Gazetar, historian dhe akademik

Thiers u shqua edhe si gazetar dhe historian. Ai ishte një mbrojtës i flaktë i lirisë së shtypit. Në moshën 24 vjeçare, vendoset në Paris dhe merret me gazetari. Ambicioz dhe pa para ai merret si model nga Honore Balzak për personazhin e Rastignac në romanin “La Maison Nucingen” (1837). Për 24 vite me radhë bëri emër si gazetar dhe historian me penën e tij brilante. Bashkëpunoi me gazetën gjermane Gazette d’Augsbourg (1824-1830), bëhet numri 2 i gazetës “Globe” (1840) dhe është ndër themeluesit e drejtuesit e parë të gazetës “Le National” (1830), gazeta e parë opozitare kundër mbretit Charles X. Gazeta ndiqet penalisht dhe paguan gjoba të mëdha. Më 1823 botoi vëllimin e parë të “Histoire de la Revolution Francaise” (“Historia e Revolucionit Francez”), një vepër kolosale që i dha famë dhe të ardhura. Kjo vepër u botua në 10 vëllime midis 1823 dhe 1827 ku pati  një shitje të jashtëzakonshme. Në fjalimin e tij të pranimit në Akademinë Franceze, ai tha: “Unë i kam kushtuar 10 vjet të jetës sime shkrimit të historisë së revolucionit tonë të madh: E shkrova pa urrjetje, pas pasion, me një dashuri të gjallë për madhështinë e vendit tim”. Në 1845, shkroi vazhdimësinë e Revolucionit të tij, “Atlas de l’histoire du Consulat et de l’Empire (Atlas i Historisë së Konsullatës dhe Perandorisë) në 20 vëllime, të cilat ishin bestsellërit e tij.

FËMIJËRIA E PALIGJSHME, NDARJA NGA BABAI QË VDIQ NË BORXHE E VARFËRI DHE MARTESA ME VAJZËN E DASHNORES SË TIJ

Lindi më 15 prill 1797 në Marsejë në ditët e fundit të Revolucionit. Vdiq në 3 shtator 1877 në moshën 80 vjeçare në Saint-Geramin-en-Laye nga sëmundja e zemrës. Është varrosur në Varrezat Parisiene Pere Lachaise. Nëna e tij, ishte bija e një tregtari nga Marseja. Thiers u lind si një fëmijë i paligjshëm dhe u pagëzua në mënyrë klandestine nga një prift. U legjitimua kur babai i tij i ve, Pierre-Louis Thiers u martua në Marsejë me nënën e tij. Pas 4 muajsh, babai i tij, braktis gruan e sapomartuar dhe djalin e tij në djep dhe zhduket pa lënë asnjë adresë, kështu që Adolphe nuk do ta shoh më kurrë të atin. Babai i tij, pati pasuri dhe qe Kryetar i Bashkisë së Marsejës (1785), por falimentoi shpejt nga Revolucioni dhe vdiq i mbuluar me borxhe të mëdha. Para vdekjes së tij, një gazetë në Marsejë hapi një abonim për të shpëtuar familjen e M. Thiers nga uria. Në 1825, kur ishte 60 vjeç,  i ati i kërkoi ndihmë, por Adolphe iu përgjigj: “Detyrat e mia ndaj nënës sime nuk janë përmbushur plotësisht aq sa ta mendoj për nevojat që janë ato të një burri, emrin e të cilit e mbaj, djali i të cilit jam, por që nuk ka qenë kurrë babai im dhe të cilit nuk do t’i ngjaj kurrë”. U diplomua shkëlqyeshëm në drejtësi në Aix-en-Provence. U martua në moshën 36 vjeçare me vajzën e madhe të dashnores së tij, Elise Dosne, e cila ishte 15 vjeçe, kurse ai ishte dy vjet më i madh se vjehrra e tij. Kjo martesë u tall nga kundërshtarët e tij politikë dhe u letrarizua nga shkrimtari i madh francez, H. Balzac në romanin e tij “La Maison Nucingen. Kjo martesë i siguroi Thiers-it shtëpi dhe pasuri. Thiers “ishte shtatshkurtër (1.55 m), me një fytyrë dhe me një fizik të pahijshëm, por që i manipulonte burrat me artin e tij oratorik (Adolphe Thiers, herodote.net). Ai ishte i aftë të fliste për të gjitha temat.

Exit mobile version