fbpx
Lajme

Kush nuk e respektoi urdhrin e Tahir Zemajt për t’u larguar 500 metra nga fronti në Loxhë

EPOKA E RE

Tahir Zemaj ka ardhur në Loxhë kur kishin përfunduar luftimet”, ka thënë Shpend Ademaj, ish- anëtar i Shtabit të UÇK-së në Loxhë.

Shpend Ademaj, ish-anëtar i Shtabit të UÇK-së në Loxhë, ka thënë se në betejën e parë, më 6 korrik 1998, kishin marrë pjesë ushtarë nga shumë fshatra të Dukagjinit, përfshirë edhe një grup ushtarësh të udhëhequr nga Skënder Çeku, por jo edhe Tahir Zemaj. “Tahir Zemaj ka ardhur në Loxhë kur kishin përfunduar luftimet”, ka thënë Ademaj. Ai ka deklaruar se gjatë luftimeve kanë rënë dëshmorë: Xhavit Qufaj, Enver Alaj, Ilmi Surdulli dhe Rrustem Bruqi. “Xhaviti bie në orë të para të mëngjesit në përpjekje për të hyrë në zonën ku luftohej, kurse dëshmorët e tjerë bien në përpjekje për t’i asgjësuar dy-apo tre snajperistë serbë, të cilët ishin vendosur në shtëpinë e vujosheviqve”, ka treguar Ademaj. Ai ka thënë se i kujtohet se pas vrasjes së këtyre ushtarëve Tahir Zemaj kishte dhënë urdhër që ushtarët e tjerë të tërhiqen prapa për 500 metra nga vija e frontit, me arsyetim se kishte humbur mjaft ushtarë. “Në këtë rast ka ndërhyrë Agim Selmanaj, dëshmor i kombit, duke e kundërshtuar Zemajn. Kështu që, ne ushtarët e UÇK-së nuk u tërhoqëm, por mbetëm në pozicione, e ushtarët e Tahir Zemajt, po, ndërsa rreth orës një të natës u larguan tërësisht nga fshati Loxhë”, ka thënë Ademaj.

Si nisi beteja e 6 korrikut?

Ademaj ka treguar se 5 korriku i vitit 1998 i gjënë deri-diku të organizuar. Ai ka treguar se pas ardhjes së armatimit në Loxhë ekzistonte edhe Shtabi i UÇK-së, i përbërë prej tetë vetash. “Në mbledhjen e korrikut e kemi caktuar komandant Shaban Shalën, zëvendëskomandant Haki Shalën, kurse anëtarë të shtabit kam qenë: unë, Brahim Ademaj, Muhamet Shala, Ukë Shala, Sali Morina dhe Hysen Morina”, ka thënë Ademaj. Ai ka treguar se fillimi i luftës në Loxhë, apo e betejës së parë, më 6 korrik 1998, përkon me ardhjen e Vojsillav Sheshelit në Gorazhdec. “Serbët e kishin vendosur një lloj pike të kontrollit afër fshatit, ku kontrollonin hyrje-daljet. Pasi kishin dëgjuar për këtë ngjarje, ushtarët e UÇK-së, Haki Shala, Mustafë Shala dhe disa të tjerë kanë shkuar për të parë nga afër se çka po ndodh. Disa metra para se afrohen aty, serbët i urdhërojnë të ndalen, por ata i kanë kundërshtuar dhe kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tyre, duke i detyruar të largohen”, ka thënë ai. Më vonë, sipas tij, një patrullë e policisë serbe kalon pranë fshatit Loxhë, për të hetuar se kush ishin ata që me armë zjarri i kishin detyruar serbët të largohen nga pika e kontrollit. “Kishim vendosur një pikë kontrolli. Ushtarët e UÇK-së i përgjigjen me zjarr edhe kësaj patrulle, e në shkëmbim zjarri plagoset ushtari i UÇK-së, Tahir Shala. Është ky momenti kur Shtabi i Loxhës merr iniciativë organizative, me ç’rast në pikat hyrëse të fshatit vendosen ushtarët”, ka rrëfyer ai.

Shumë ushtarë të UÇK-së erdhën për të luftuar në Loxhë, në mesin e tyre edhe Skënder Çeku 

Nata ndërmjet 5 dhe 6 korrikut i gjënë fshatarët e Loxhës në pritje të një dite të re, por edhe më të fortë dhe të vendosur se asnjëherë më parë për t’u përballur me forcat serbe. Ushtarëve të UÇK-së në Loxhë gjatë natës u bashkohen edhe një pjesë e madhe e fshatarëve, por u vijnë përforcime edhe ushtarë të tjerë të UÇK-së nga Beriliqi, Prapaqani, Krusheci, Gllogjani, Jabllanica e nga shumë fshatra të tjera të Dukagjinit. “Të gjithë ushtarët e UÇK-së, të ardhur si përforcim, përfshirë edhe grupin e ushtarëve të udhëhequr nga Skënder Çeku, janë vendosur nëpër pikat ekzistuese”, ka thënë Ademaj. Ai ka treguar se hapin e parë që e ndërmarrin ushtarët e UÇK-së ishte rrethimi i katër familjeve serbo-malazeze, për t’i mbajtur nën kontroll, pasi bashkëpunonin me forcat serbe. “Rreth orës 04:00 të mëngjesit kanë ndërhyrë forcat serbe së bashku me katër familjet serbo-malazeze, duke e sulmuar Loxhën. Luftimet në mes të ushtarëve të UÇK-së dhe forcave serbe kanë zgjatur deri rreth orës 13:00. Falë ushtarëve të UÇK-së, forcat serbe nuk kanë mundur të depërtojnë në fshat, por janë detyruar të tërhiqen me humbje të mëdha”, ka thënë Ademaj.

Tahir Zemaj erdhi vonë. Kërkoj që ushtarët të tërhiqen për 500 metra prapa nga vija e frontit

Ademaj ka treguar se gjatë kohës së luftimeve, një njësit i Tahir Zemajt, i prirë nga Esat Ademaj, u ka shkuar si përforcim rreth orës 11:00. “Kurse Tahir Zemaj ka ardhur në Loxhë kur kishin përfunduar luftimet”, ka thënë ai. Ademaj ka deklaruar se gjatë luftimeve, më 6 korrik 1998, kanë rënë dëshmorë: Xhavit Qufaj, Enver Alaj, Ilmi Surdulli dhe Rrustem Bruqi. “Xhaviti bie në orë të para të mëngjesit në përpjekje për të hyrë në zonën ku luftohej, kurse dëshmorët e tjerë bien në përpjekje për t’i asgjësuar dy-apo tre snajperistë serbë, të cilët ishin vendosur në shtëpinë e vujosheviqve”, ka treguar Ademaj. Në vazhdim, Ademaj ka thënë se i kujtohet se pas vrasjes së këtyre ushtarëve, Tahir Zemaj kishte dhënë urdhër që ushtarët e tjerë të tërhiqen prapa për 500 metra nga vija e frontit, me arsyetim se kishte humbur mjaft ushtarë. “Në këtë rast ka ndërhyrë Agim Selmanaj, tash dëshmor i kombit, duke e kundërshtuar Zemajn. Kështu që, ne ushtarët e UÇK-së nuk u tërhoqëm, por mbetëm në pozicione, e ushtarët e Tahir Zemajt, po, ndërsa rreth orës një të natës u larguan tërësisht nga fshati Loxhë”, ka thënë Ademaj, i cili ka treguar se se shkuarja e Tahir Zemajt në Loxhë ishte parë pa djallëzi deri në çastin kur u dorëzuan armët në Isniq. “Ishte ky momenti i thyerjeve (dorëzimi i armëve) të mëdha kur UÇK-ja duhej të riorganizohej”, ka rrëfyer Ademaj.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close