Tomsilav Petroviq, është gjyqtar në Gjykatën e Apelit i cili si emër mund të mos njihet edhe shumë nga publiku, por nga rasti i fundit që e trajtoi si kryetar i kolegjit, njihet akoma më shumë.
Bëhet fjalë, për rastin “Veteranët”, i cili ditë më parë u rikthye në gjykim nga Gjykata e Apelit, institucion ky që shërben Petroviq tash e dy vite.
Mirëpo, karriera tij është shumë e gjatë dhe e larmishme në institucionet e drejtësisë, shkruan GazetaDemos.
60-vjeçari i lindur në Leposaviq, fillimisht ka shërbyer si polic në kohën e paraluftës e më pas edhe si inspektor në Shërbimin e Punëve të Brendshme në Prishtinë.
Ky zanat siç duket ishte i pamjaftueshëm për të, ku ia mësyu tani profesionit të gjyqtarit, i cili me këtë profesion shërbeu nga viti 1992 deri në vitin 2017 si gjyqtar në Republikën e Serbisë.
Karriera e tij do të merrte akoma më shumë hov nga ai vit, ku u emërua gjyqtar në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, ndërsa në vitin 2020 është emëruar si gjyqtar në Gjykatën e Apelit – Divizioni Mitrovicë.
Këto të dhëna që janë zyrtarë janë të marra nga faqja zyrtare e gjyqësorit të Republikës së Kosovës, e ku po në këto të dhëna shkruhet që nga 1 janari i 2021, gjyqtari që shërbeu edhe në kohën e Millosheviqit është emëruar edhe në Departamentin Special të Gjyktatës së Apelit.
Gjykata e Apelit më 26 prill të këtij viti ka vendosur ta kthejë në rigjykim rastin ku dyshohet për keqpërdorime me listat e veteranëve të UÇK-së.
Sipas njoftimit të publikuar të martën e 26 prillit, Apeli e rrëzoi vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë që i kishte liruar të akuzuarit Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj dhe Xhavit Jashari, nga akuza për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
“Aprovohet si e bazuar ankesa e Prokurorisë Speciale të Kosovës, ndërsa, anulohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore ne Prishtinë, Departamenti për Krime te Renda, i datës 16.04.2021, dhe lënda kthehet në rigjykim dhe vendosje”, thuhej në njoftim.
“Prokuroria Speciale e Republikës e Kosovës, pretendohet se gjykata e shkallës së parë ka bërë gabimisht vërtetimin jo të plotë të gjendjes faktike, përkundër faktit se janë ofruar dhe administruar prova të mjaftueshme, të cilat po të vërtetoheshin saktë dhe drejtë do të provohej se në veprimet e të akuzuarve manifestohen elementet e veprës penale”, thuhej në ankesën e Prokurorisë.
Në shtator të 2018-s, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tyre, derisa ata ishin deklaruar të pafajshëm.