Ndërkaq, sa i përket planit se si do arrijë qeveria të bindë Listën Serbe, Indeksonline ka kontaktuar Kryetarin e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, Haxhi Shala, i cili ka thënë se do koordinohen me deputetët e Listës Serbe që bëjnë pjesë në këtë komision fillimisht që më pastaj ata t’i bindin deputetët tjerë.
Sipas Shalës, shndërrimi i FSK-së në ushtri është një realitet që serbët duhet ta pranojnë.
“Ne do të bashkëpunojmë dhe do të koordinohemi me deputetët e Listës Serbe që I kemi në pjesën për siguri, që ata të punojnë më shumë me Listën Serbe, që në një të ardhme shumë të shkurtë të pranojnë një realitet të ri, i cili realitet do të ndodhë. A në këtë vit apo vitin tjetër nuk mund ta dimë, por kjo do ndodhë, FSK-ja do transformohet në ushtri shumë shpejtë. Besoj se edhe kryeministri do e bëjë punën e vet me partnerin, në këtë rast Listën Serbe që sa më shpejtë të këtë një përgjigje nga ta, që ky transformim të ndodhë me disa ndryshime kushtetuese, përndryshe nëse nuk ndodhë me ndryshime kushtetuese duhet të ndodhë me ndryshime ligjore”, tha Shala.
I pyetur se a kanë menduar për një plan B në rast se kjo metodë nuk funksionon, Shala tha se nëse nuk shkohet në ndryshime kushtetuese atëherë duhet të fillojnë me ndryshime ligjore.
“Është herët të mendohet për planin B, sepse me sugjerimet e gjithë partnerëve tanë, edhe SHBA edhe NATO që të shkohet në ndryshime kushtetuese, ne nuk guxojmë që të shkojmë me planin B, por nëse nuk shkon plani A, ndryshimet kushtetuese, atëherë mund të fillojmë me ndryshime ligjore dhe kompetenca shtesë nëpërmjet ligjit”, përfundoi Shala./Indeksonline/