Epilogu

LAJMI I FUNDIT: Këtë fotografi, Ministria e Kulturës e blen 10 mijë euro

Kryeministri dhe disa deputetë të partisë së tij, mund të mos njihen si mbrojtës publik të të drejtave të komunitetit gej, lezbike, biseksual, transgjinor, interseksual dhe ‘queer’, por Ministria e Kulturës ka blerë për fondin e shtetit një vepër arti që flet pikërisht për dashurinë e mohuar të këtij komuniteti. Vepra “Shën Valentini” është blerë për 10 mijë euro. Ndërsa vepra e piktorit Sali Musliu, që flet për deportimin e shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës, me titull “Deportacioni-Dëbimi i madh”, është blerë për 9 mijë euro.

Ministria e Kulturës ka publikuar listën preleminare të veprave të artit të artistëve vendor që i ka blerë për t’i bërë pjesë të fondit të veprave që janë në pronësi të shtetit. Vepra artistike që juria e përbërë nga artistët dhe njerëz të kulturës si Sislej Xhafa, Edi Muka, Dita Starova-Qerimi, Sezgin Boynik dhe Dhurata Ramosaj, ka vendosur të blejë vepra të artit në vlerë prej 300 mijë eurove nga mbi 80 artistë kosovarë.

“Përzgjedhja e veprave për krijimin e fondit të institucioneve publike të Kosoves ishte një proces i veshtirë dhe kompleks”, thuhet në vlerësimin e jurisë.

Vepra artistike që është blerë më së shtrenjti është ajo e kolektivit artistik “Haveit’ përbërë nga regjisorja Hana Qena, aktorja Alketa Syla, dramaturgia Vesa Qena dhe artistja Lola Sylaj. Vepra titullohet “Dita e Shën Valentinit” dhe është një fotografi e realizuar në Sheshin “Skenderbeu” në Prishtinë, ku katër anëtaret e kolektivit artistik puthen mes vete, si shenjë mbështetjeje për dashurinë e mohuar të komunitetit LGBTIQ+ në Kosovë.

Historia dhe ndikimi i fotografisë në diskutimin publik

Ishte 14 shkurti i vitit 2014 kur vajzat e kolektivit artistik “Haveit” do të dilnin në sheshin “Skenderbeu” në Prishtinë për të realizuar fotografinë së bashku me fotografin Agim Balaj. Fotografia në dukje ishte e thjeshtë: katër vajza që putheshin mes vete. Përshkrimi ishte i shkurtër por domethënës: “Në këtë të ashtuquajtur “Ditë dashurie”. Kjo shoqëri ende refuzon dhe ndalon dashurinë e të njëjtit seks për shkak të ‘moralit’. Le të mbizotërojë dashuria!!!”

Por reagimi ndaj kësaj fotografie ishte jashtëzakonisht i madh. Qindra komente ishin lëshuar në drejtim të vajzave të kolektivit, duke i kërcënuar edhe me vdekje. Ishte një ndër veprat e para kaq publike që fliste hapur dhe që ishte realizuar në një hapësirë publike e që flet për një temë që atë kohë nuk flitej aq publikisht.

“Fotografia ka shumë rëndësi si për ne si kolektiv artistik, ashtu edhe për shoqërinë në të cilën jetojmë. Kjo fotografi ka ngjallur aq shumë debate dhe polemika sa që është shpërndarë në gjithë vendet e rajonit dhe më tej”, tha Hana Qena, një ndër pjesëtaret e kolektivitit “Haveit”.

Fotografia është përmendur edhe në revistën me famë botërore për art “Dazed & Confused”. Fotografia e cila tashmë është pronë e shtetit dhe jo e kolektivit, ende vazhdon të ngjallë debate sa herë që dikush e shpërndan atë, sidomos për 14 shkurt.

Cilat janë veprat e tjera që janë blerë nga shteti?

Me 1 mijë euro më pak sesa vepra e katër artisteve të kolektivit “Haveit” është blerë vepra e tituluar “Deportacioni- Dëbimi i madh”. Kjo vepër e cila është punuar nga piktori që jeton në Gjermani, Sali Musliu, në vitin 2005, e që flet për periudhën e rëndë gjatë vitit 1999 – për dëbimin e kosovarëve gjatë luftës, llogaritet një nga veprat më monumentale që përshkruan tragjedinë e deportimit të shqiptarëve të Kosovës gjatë kësaj kohe.

Një tjetër artiste që jeton jashtë Kosovës, Violeta Xhaferi, është në top-treshen e artistëve, veprat e të cilëve janë blerë nga shteti më së shtrenjti. Vepra e saj “Kur sosen fjalët” është blerë për 8 mijë euro. Me të njejtin çmim është blerë edhe një vepër tjetër e fotografit Afrim Spahiu, e titulluar “Dritarja 99”. Për këto dy vepra nuk është se ka ndonjë shpjegim të qartë në internet. Një tjetër vepër që është blerë për 7 mijë e 800 euro është ajo e piktorit të ri Briliant Milazimi “Mask Off”. Janë edhe afro 75 artistë të tjerë që kanë arritur t’i shesin veprat e tyre për fondin e shtetit të veprave artistike. Këtu e gjeni listën e plotë.

Çka tha juria që përzgjodhi veprat?

Fondi publik i artit në Kosovë po pasurohet me 80 vepra të reja nga artistët vendas. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka blerë 80 vepra në vlerë prej 300,000 euro, të cilat po e pasurojnë fondin publik të artit me qëllim për të “ruajtuar trashëgiminë artistike dhe narrativën kulturore të vendit”.

Sipas një njoftimi të Minsitrisë, përveç blerjes së sivjetme, nga thirrja e parë me shumë prej 300,000 euro, Qeveria ka ndarë mjete edhe për vitin 2023 dhe 2024 për blerje të veprave, respektivisht 350,000 euro dhe 400,000 euro të tjera.

“Krahas thirrjeve publike, vitin e ardhshëm do të bëhen edhe blerje direkte nga koleksionet familjare dhe individuale të veprave të artistëve që nuk jetojnë më, por që janë pjesë e historisë kombëtare të arteve pamore”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Ndërsa në njoftimin e lëshuar nga juria që ka përzgjedhur veprat thuhet se “secili anëtar i Jurisë fillimisht dha vlerësimet vetjake, e më pas, në nje session të gjate disktuimi, u bë perzgjedhja finale e veprave”.

“Kriteri kryesor i vleresimit për Jurinë ka qenë cilësia artistike e veprave. Por duke patur parasysh dhe qëllimin për të cilin këto vepra po blihen, Juria tregoi vëmendje të posaçme edhe për një sërë aspektesh të tjera”, thuhet në shpjegimin e jurisë.

Sipas jurisë, duke qënë se thirrja i është drejtuar artistëve aktiv në Kosovë, për ta ka qenë me rëndësi që përzgjedhja të reflketojë shumëllojshmërinë e diciplinave artistike, pëfaqësimin e gjërë brezor dhe gjinor, bashkë me një vëmendje më të madhe ndaj veprave që kanë rëndësi dokumentaro/historike. Juria shkruan se ka marrë parasysh edhe evidentimin e praktikave artistike të margjinalizuara për shkak të arsyeve të ndryshme dhe përcaktimin e kornizës financiare për secilën vepër në raport me rrethanat socio-ekonomike te Kosoves.

Exit mobile version