fbpx
Lajme

Largime tjera? Kush janë 12 deputetët e VV-së që kanë mospajtime me Kurtin

Anëtarësimi në Vetëvendosje shoqërohet me një fotografi me Albin Kurtin dhe me disa fjalë të bukura të shkruara prej dorës së këtij të fundit. Është një ngjarje e gëzuar e e shenjuar për të anëtarësuarin. Por, çanëtarësimi (ndërprerja e bashkëpunimit) përbën një ngjarje tepër të trishtë. Kush janë ata deputetë që kanë pasur pakënaqësi ndaj Vetëvendosjes? 

Doarsa Kica Xhelili raportohet të mos ketë qenë pjesë e takimeve të grupit parlamentar të Vetëvendosjes që nga muaji qershor i këtij viti. Sidoqoftë, largimi i saj u bë publik vetëm gjatë ditës së djeshme, më 8 shtator. Menjëherë dje, ajo nisi të linçohej nga simpatizantët e Kurtit, nisur nga ministri Faton Peci (që do të bëhej bashkëkryetar i Listës Guxo pasdite).

Por, a ka të tjerë që duan të marrin rrugën e saj? 

Juristi dhe ish këshilltari i kryeministrit Kurti, Durim Berisha, ka pretenduar se janë tridhjetë deputetë të pushtetit (VV i ka 59 gjithsej në grupin e saj parlamentar) që janë të pakënaqur me Qeverinë. 

Në anën tjetër, deputeti i LDK-së Arben Gashi kishte thënë se ishin tetë deputetë që mund të largoheshin nga Vetëvendosje në disa deklaratë që kishte bërë bujë para disa muajsh.

Aktualisht në Vetëvendosje po mbahen zgjedhjet e brendshme – dhe Kurti pritet të rizgjidhet kryetar i pasfiduar – por janë eksponentë të rëndësishëm partiakë në Podujevë, Mitrovicë, Ferizaj e Prizrenqë po shprehin haptas pakënaqësitë e tyre me lidershipin. 

Mirëpo, le të merremi në këtë shkrim vetëm me deputetët. 

Grupi “Anti-Kod”

Në mbledhjen e XLVIII të Këshillit të Përgjithshëm, kryeministri Albin Kurti do të shfaqej i ngrysur e mjaft kritik ndaj deputetëve të grupit të tij parlamentar. Fjalët e tij dukej se ishin të drejtuara veçanërisht ndaj grupit të deputetëve që nuk e kishin votuar Projekt-Kodin Civil që i hapte rrugë bashkëjetesave mes personave të seksit të njëjtë. Kjo çështje është vlerësuar si prioritare tashmë edhe në organet zgjedhore të partisë. 

“Ne besojmë në liri individuale, në barazi gjinore, në drejtësi sociale. Ne besojmë në të drejta të njeriut,” – ishte shprehur z. Kurti derisa po ndërtonte sulmin e tij.

Zhvillimi i shtetit të demokracisë tonë kërkon më shumë se një individ.” – thoshte më pas.

Por, kush është grupi i deputetëve të Vetëvendosjes që nuk kishte votuar Projekt-Kodin Civil? Po i themi një nga një: Fizim Haziri, Drita Millaku, Fjolla Ujkani, Visar Korenica, Eman Rrahmani, Driton Hyseni, Gramoz Agusholli, Burim Karameta, Labinotë Demi-Murtezi, dhe Gazmend Gjushinca. 

Shumë prej këtyre deputetëve do të merrnin pjesë vetëm pak javë pas votimit në Kuvend në një iftar të shtruar nga hoxha Shefqet Krasniqi, ndërkohë që ishin parë edhe duke pritur në rend për të bërë një fotografi me të.

Ndërkohë, gjatë seancës në Kuvend kishte pasur edhe fjalor seksist e homofob nga disa prej deputetëve të pushtetit. 

Edhe aktivisti Beni Kizolli (ish drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në administratën Haskuka) publikisht ka deklaruar se i është kërkuar qëndrimi i tij për Projekt-Kodin Civil nga organet që po merren me zgjedhjet e brendshme, dhe se kjo ishte arsyeja pse u eliminua nga gara për kryetar të Qendrës së VV-së në Prizren. 

Haki Abazi

Deputeti Haki Abazi kishte pasur pushtet jashtëzakonisht të madh gjatë Qeverisë Kurti I, duke qenë zëvendës i Kryeministrit Kurti. Por, në zgjedhjet e 14 shkurtit ai do të margjinalizohej ndjeshëm, pa ndonjë arsye të shprehur publikisht, dhe do të lihej jashtë Ekzekutivit.

Por, ai ka nisur të bëhet gjithnjë e më kritik ndaj partisë së tij gjatë muajve të verës. 

“Nëse politika është 90% kozmetikë (foto facebooku e instagram) dhe 10% përmbajtje, atëherë rezultati është qytetarë të befasuar nga besimi, në dëshprim me largim; delir për madhështinë; dhe valle për përfituesit nga rrjetet e kriminalizuara. Jashtë ekuacionit mbetet një armatë në kërkim të së ardhmes!” – kishte thënë në një status kritik z. Abazi para një muaji. 

Fatmir Humolli 

Edhe Fatmir Humolli ka qenë mjaft i ashpër ndaj Qeverisë Kurti gjatë muajve të fundit, megjithëse vazhdon të jetë pjesë e grupit parlamentar të Vetëvendosjes. 

“Nëse vazhdon kjo ngathtësi e Qeverisë për të përmbushur zotimet elektorale, duhet të bëhen ndryshime qeveritare. Unë për vete pa këto ndryshime nuk mund të qëndroj brenda grupit të LVV-së, pasi nuk po realizohen asnjëra nga kërkesat e mia personale për çfarë unë jam futur në listën e Lëvizjes Vetëvendosje,” – kishte thënë Humolli në një deklaratë.

Ai shihet si një ndër deputetët që mund të largohen nga Vetëvendosje pas përfundimit të procesit të zgjedhjeve të brendshme. 

Veçanërisht i pezmatuar ai ka qenë me mënyrën se si e ka menaxhuar Qeveria situatën me veteranët e luftës që kishin protestuar ashpër për mos-përfshirjen e tyre në kuadër të Ligjit për Pagë Minimale.

Administratorët e Nacionales në Viber kanë hapur një sondazh para pak kohe me pyetjen: Cili mund të jetë largimi i radhës nga VV? 

67% kanë votuar deputetin Fatmir Humolli, nga 9% kanë marrë Haki Abazi, Albin Kurti dhe Burim Karameta derisa pjesa tjetër ka shkuar për “dikë tjetër”. 

*Teksti i mësipërm nuk nënkupton se ndonjëri prej të apostrofuarve ka marrë vendim për t’u larguar nga Vetëvendosje.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close