Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të jap votë versionit të ri për demarkacionin ose shënjimit të vijës kufitare më Malin e Zi pa e parë në thelb se çka përmban raporti i komisionit të ri. Kështu ka deklaruar Kryetari i Gjilanit dhe njëherit anëtar i kryesisë së LDK-së, Lutfi Haziri.
Ai në një përgjigje për Indeksonline ka thënë se LDK-ja është në pritje të ardhjes së raportit të ri për demarkacionin për të cilin thotë se ndryshimet e njëanshme në këtë raport nuk do të pranohen asnjëherë.
“Askush prej LDK-së nuk do të japë votë pa e parë ligjin për demarkacionin. Ndryshimet e njëanshme në këtë raport nuk duhet me pas asnjëherë, por ndryshime të pajtueshme mes dy palëve, edhe pse qeveria nuk po flet për ligj por për ardhjen e një raporti të komisionit për demarkacionin”, ka shpjeguar Haziri.
I pyetur se a beson se gjetjet e reja do të konsiderohen si ndryshime në raportin e komisionit për demarkacion, Haziri është shprehur se shpreson që ky raport të mos jetë një “mjegull”.
“Të shohim çka po sjellin të shpresojmë që nuk do të jetë “mjegull”, pastaj LDK-ja do të vendos për votën e saj se si do ta jap”, ka thënë Haziri.
Ndërkaq në anën tjetër Qeveria e Kosovës paralajmëroi dërgimin në parlament të marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi, pasi pranoi një raport mbi gjetjet e Komisionit të ri për shënimin e kufirit.
Kështu tha të premten në mbledhjen e qeverisë kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, sipas të cilit Komisioni Shtetëror për shënjimin e vijës kufitare tashmë ka përfunduar punën rreth raportit që pritet te diskutohet në qeveri në fillim të javës së ardhshme në qeveri.
“Pritjet janë që bashkë me raportin e Komisionit, Qeveria ta procedojë edhe projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për shënimin e kufirit në parlament, në mënyrë që ky institucion të marrë vendim, nëse do ta ratifikojë apo anulojë këtë marrëveshje.
Të gjeturat e raportit, pra ia dërgojmë parlamentit. Sa na përket neve si qeveri, pas njohjes së materialit, nuk na mbetet shumë punë apo punë tjetër, pos ta procedojmë në parlament”, tha kryeministri Haradinaj. /Indeksonline/