Epilogu

Liburn Aliu pritet t’ua rëndojë jetën qytetarëve edhe me 12 euro shtesë gjatë regjistrimit të veturave?

Ministria e Infrastrukturës e drejtuar nga Liburn Aliu dhe Hysen Durmishi është në hapat e fundit të fillimit të implementimit të një projekti që do t’ua vështirësojë kosovarëve edhe më shumë gjendjen e rëndë ekonomike.

Ballkani.info ka mësuar nga burimet se projekti që është në fazën finale ka të bëjë me pagesën e 12 eurove nga secili qytetarë që e regjistron veturën. Bëhet fjalë për projektin e quajtur “tiketa ngjitëse” që do të vendoset në xhamat e veturave për të treguar se vetura është e regjistruar dhe kohëzgjatja e regjistrimit.

Po ashtu Ballkani.info mëson se ky projekt ishte duke u shqyrtuar që një kohë të gjatë, mirëpo për shkak të barrës që do të bie mbi qytetarët, është shtyrë disa herë.

Së fundi ky projekt nuk është mbështetur as nga ish ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe ish sekretari i përgjithshëm i kësaj ministrie Betim Reçica.

“Ky projekt ka gjasa të nisë të implementohet nga java e ardhshme dhe përpos që do të shkaktojë obligime shtesë të qytetarëve gjatë regjistrimit të veturave, po ashtu krijon edhe monopol”, kanë thënë burime të Ballkani.info, duke shtuar se pagesa prej 12 eurosh do të jetë e detyrueshme.

Po ashtu këtë burime thonë se kompania është private dhe aty janë të përfshirë njerëz të politikës dhe policisë.

Ballkani.info në vazhdim do të sjellë informacione shtesë për këtë projekt që pritet të nxit pakënaqësi tek vozitësit. /Ballkani.info/

Exit mobile version