fbpx
Opinione

Ligji për Obiliqin dhe mashtrimi optik

Shkruan: Afrim Berisha

Komuna e Obiliqit përbën vetëm 1% e territorit të përgjithshëm të Republikës së Kosovës, por është komuna më e viktimizuar në Kosovë, në të gjitha aspektet, duke filluar nga shkelja e të drejtave më elementare të qytetarëve të saj.

Kjo komunë ende është larg nivelit të zhvillimit të mundshëm ekonomik dhe mirëqenies bazë të qytetarëve, përderisa, siç dihet, për këtë resurset, por edhe mundësitë ligjore tashmë ekzistojnë.

Kohëve të fundit jemi dëshmitarë të një zhvillimi më dinamik të punëve në terren, kryesisht në disa aspekte infrastrukturore.

Në sy të një pjese të qytetarëve kjo lë përshtypjen e rritjes së angazhimit të qeverisjes lokale, por në esencë ky është vetëm një mashtrim optik.  

Realisht, ky është efekti i hyrjes në fuqi të Ligjit për Obiliqin, i cili mundëson që komunës t’i derdhen afërsisht 4 milionë e nëntëqind mijë euro, për projekte të ndryshme.

Qeverisja lokale, e paaftë për të kanalizuar këto mjete në sektorë jetikë për qytetarët, me efekt të shpejtë zhvillimorë, por edhe aspekte të tjera që parasheh ligji, i ka orientuar ato kryesisht në infrastrukturë, me fokus në hapësira sa më të dukshme, për t’i pasur si target në fushatën e ardhshme zgjedhore.

Në një krahasim të thjeshtë, kjo i bie sikur t’i bësh makiazh fytyrës një gruaje të moshuar, sa për një event, por të mos ia trajtosh sëmundjet kronike që ndër vite i gërryejnë organet vitale.   

Sidoqoftë, qytetarët e Obiliqit duhet t’i jenë mirënjohës kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, z. Kadri Veseli, për inicimin dhe fuqizimin e Ligjit për Obiliqit, në kohën sa ishte kryetar i Kuvendit të Kosovës, duke krijuar kështu bazën e mjaftueshme ligjore për zhvillim të hovshëm ekonomik të komunës dhe përmirësim jetës së qytetarëve të saj.

Tani u mbetet qytetarëve të Obiliqit që nëpërmjet zgjedhjeve, të krijojnë mundësitë për zbatimin e plotë të ligjit dhe të marrin shërbimet dhe përfitimet e tjera që ky ligj parasheh për ta dhe komunën në të cilën jetojnë.

(Autori është sekretar i Degës së PDK-së në Obiliq)

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close