“S’mund të paguhen njerëzit për punën që nuk e bëjnë. Ata duhet të paguhen për punën që bëjnë sipas meritës. Kjo nuk është jo vetëm çështje e ligjit, por edhe e arsyes së shëndoshë mendore”. Kjo ishte përgjigja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, kur u pyet pse shteti ua ndali rrogat mësuesve dhe shërbyesve tjerë civilë që janë në grevë nga 25 gushti.
Fillimi i shtatorit i gjeti mijëra mësimdhënës e shërbyes tjerë civilë pa paga nëpër xhirollogaritë e tyre bankare. Kjo erdhi si pasojë e grevës që sindikalistët e nisën që nga 25 gushti. E pasi qeveria nuk i pranoi listat e plota të grevistëve, nuk ua ekzekutoi askujt pagat.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se askush nuk mund të paguhet pa punuar. POR, kryeministri e harroi një fakt. Rreth 200 punëtorë serbë nëpër ministritë e tij, i kushtojnë buxhetit rreth 1 milion euro në vit. Ata paguhen pa shkuar kurrë në punë.
Këtë nuk e thonë as mediat, as shoqëria civile, e as opozita. Këtë fakt e ka nxjerrë Zyra Kombëtare e Auditimit në raportet vjetore, transmeton Nacionale.
Në Ministrinë e Ekonomisë janë 18 punëtorë serbë që nuk dalin në punë e paguhen. Në Ministrinë e Kulturës 20 punëtorë, të Mjedisit 64 punëtorë, në Ministrinë e Brendshme 20 punëtorë, në Ministrinë e Arsimit 32 punëtorë (por që nga fillimi i vitit 2022 janë ndaluar pagesat), Ministria për Komunitete 20 punëtorë, dhe Ministria e Tregtisë 25 punëtorë.
Në total, në institucione të qeverisë punojnë 199 punëtorë serbë, që paguhen pa dalur kurrë në punë. Ata i kushtojnë buxhetit të Kosovës saktësisht 962 mijë e 646 euro.
Ministria e Mjedisit:
Në Ministrinë e Mjedisit, Auditori ka gjetur se janë 64 punëtorë serbë të cilët paguhen pa dalur kurrë në punë. Ata i kushtojnë buxhetit 298 mijë euro brenda vitit.
“Në kuadër të kësaj marrëveshje për integrim, në MMPHI përmes aktemërimeve janë të punësuar 64 punonjës të komunitetit serb të cilët marrin paga të rregullta. Sipas konfirmimeve nga zyrtarët e Ministrisë këta të punësuar nuk kanë hapësira të përcaktuara të punës, nuk kanë objektiva të përcaktuara dhe nuk zhvillojnë asnjë aktivitet në Ministri. Buxheti i shpenzuar për pagat e tyre për vitin 2021 ishte 298,142€. Kjo dukuri po vazhdon të jetë prezente ndër vite edhe pse në vazhdimësi po raportohet në raportet tona të auditimit. Ministria ende nuk ka arritur të ndërmerr masa konkrete në sistemimin, angazhimin dhe monitorimin e kësaj kategorie të të punësuarve”, thuhet në Raportin e Auditorit.
Krejt kjo, vjen si pasojë e Marrëveshjes së Brukselit. Kurti ishte zotuar disa herë se do ta kthej ligjshmërinë dhe do të paguhen punëtorët që punojnë, por kjo deri më tash në shumicën e institucioneve, nuk ka ndodhur.
Ministria e Ekonomisë:
Në Ministrinë që drejtohet nga Artane Rizvanolli janë 18 punëtorë serbë të cilët gjithashtu paguhen pa shkuar kurrë në punë. Ata i kushtojnë buxhetit 93 mijë euro për një vit.
“Në kuadër të kësaj marrëveshje për integrim, në Ministrinë e Ekonomisë përmes akt-emërimeve janë të punësuar 18 punonjës të komunitetit serb të cilët marrin paga të rregullta. Sipas konfirmimeve nga zyrtarët e Ministrisë këta të punësuar nuk kanë hapësira të përcaktuara të punës dhe nuk zhvillojnë asnjë aktivitet në Ministri. Buxheti i shpenzuar për pagat e tyre për vitin 2021 ishte 93,435€. Kjo dukuri po vazhdon të jetë prezente ndër vite edhe pse në vazhdimësi po raportohet në raportet tona të auditimit. Ministria ende nuk ka arritur të ndërmerr masa konkrete në sistemimin, angazhimin dhe monitorimin e kësaj kategorie të të punësuarve”, thuhet në Raportin e Auditorit për vitin 2021.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit:
Edhe në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, gjatë gjithë vitit 2021 janë paguar 20 zyrtarë serbë pa shkuar asnjëherë në punë. Ata kanë kushtuar 100 mijë euro brenda vitit.
“Bazuar në vendimin e Qeverisë Nr.06/39 i dt. 22.07.2015, 20 pjesëtarë të strukturës ilegale të ashtuquajtur ‘’Mbrojtja civile’’ ishin caktuar në departamente të ndryshme të MKRS-së në veri të vendit. Sipas konfirmimeve nga zyrtarët e Ministrisë këta të punësuar nuk kanë hapësira të përcaktuara të punës dhe nuk zhvillojnë asnjë aktivitet në Ministri. Buxheti i shpenzuar për pagat e tyre për vitin 2021 ishte 100,264€. Kjo dukuri po vazhdon të jetë prezente ndër vite edhe pse në vazhdimësi po raportohet në raportet tona të auditimit. Ministria ende nuk ka arritur të ndërmerr masa konkrete në sistemimin, angazhimin dhe monitorimin e kësaj kategorie të të punësuarve”, thuhet në Raportin e Auditorit për këtë ministri në vitin 2021.
Ministria e Brendshme:
97 mijë euro i kushtojnë Ministrisë së Brendshme 20 punëtorë serbë, që gjithashtu nuk dalin në vendin e tyre të punës, por paguhen rregullisht.
“Sipas konfirmimeve nga zyrtarët e Ministrisë këta të punësuar nuk kanë hapësira të përcaktuara të punës dhe nuk zhvillojnë asnjë aktivitet në Ministri. Buxheti i shpenzuar për pagat e tyre për vitin 2021 ishte 97,099€. Kjo dukuri po vazhdon të jetë prezente ndër vite edhe pse në vazhdimësi po raportohet në raportet tona të auditimit. Ministria ende nuk ka arritur të ndërmerr masa konkrete në sistemimin, angazhimin dhe monitorimin e kësaj kategorie të të punësuarve”, thuhet në raportin e auditorit.
Ministria për Komunitete dhe Kthim:
20 punëtorë serbë që marrin rroga pa punuar, janë në Ministrinë që drejtohet nga Elbert Krasniqi. Ata i kushtojnë buxhetit 104 mijë euro brenda vitit.
“Në kuadër të kësaj marrëveshje për integrim, në MKK përmes aktemërimeve janë punësuar 20 pjesëtarë të ashtuquajturës ‘’Mbrojtja civile’’ të cilët marrin paga të rregullta mujore. Shpenzimet për pagat e tyre për vitin 2021 ishin 104,000€. MKK kishte filluar të punësuarit t’i angazhoj në monitorim të projekteve kapitale për disa ditë⁴ gjatë vitit”, thuhet në raport.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë:
127 mijë euro i kanë kushtuar buxhetit të Kosovës 25 punëtorë serbë, që nuk dalin fare në punë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.
“Përmes këtij vendimi, MINT ka të angazhuar 25 punonjës të komunitetit serb me qëllim të integrimit të tyre në sistemin e Republikës së Kosovës. Këta punonjës nuk kanë punuar asnjëherë për MINT që nga viti 2016 kur edhe janë nënshkruar aktemrimet e tyre. Buxheti i shpenzuar për pagat e tyre për vitin 2021 ishte 127,008€, edhe pse për të njëjtit nuk ka dëshmi të vijimësisë në punë”, thuhet në raportin e auditorit.
Ministria e Arsimit:
Në Ministrinë e Arsimit janë paguar 32 zyrtarë serbë pa punuar. Ata i kushtonin buxhetit 142 mijë euro. Por pagesat e tyre janë ndalur së fundmi, me vendim të ministrisë.
“Sipas konfirmimeve nga zyrtarët e Ministrisë këta të punësuar nuk kanë hapësira të përcaktuara të punës dhe nuk zhvillojnë asnjë aktivitet në Ministri. Buxheti i shpenzuar për pagat e tyre për vitin 2021 ishte 142,698€. Duhet theksuar se në shkurt/mars të vitit 2022, MASHTI si rezultat i mungesës së vijueshmërisë kishte marrë vendim që zyrtarët e lartë cekur të mos i paguaj. Pas reagimit të zyrtarëve, në prill 2022 me një vendim tjetër, MASHTI vendos që ti kthehej përsëri në listën e pagave dhe të bëjë pagesën në mënyrë retroaktive edhe për dy muajt paraparak, me arsyetimin se kishin arritur që të siguronin kontaktet e tyre dhe dakordimin për paraqitje në punë. Deri në fund të auditimit nuk kishte ndonjë dëshmi për vijueshmërinë e tyre në vendin e punës”, thuhet në raportin e auditorit.
Megjithatë, ata që po i vuajnë pasojat që nuk po punojnë janë mësimdhënësit e shërbyesit e tjerë civilë, të cilët pritet të mos paguhen për kohën që kanë mbajtur grevë.