Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba i është kundërpërgjigjur zërave të cilët ditëve të fundit po kërkojnë rrëzimin e Qeverisë Kurti.
Bëhet fjalë për opozitën (PDK e LDK) dhe Listën serbe, të cilat po kërkojnë rrëzimin e Qeverisë Kurti deri në shtator.
Deputeti Zyba në një postim në Facebook ka deklaruar se opozita e paska gjetur partnerin e saj për rrëzimin e Qeverisë.
Sipas tij, bëhet fjalë për partnerin me të cilin opozita e tanishme dikur lidhte koalicione me pëlqimin e Beogradit.
“Siç duket opozita tashmë e paska gjetur partnerin e tyre të parë në përpjekjet dëshpëruese për rrëzimin e qeverisë së popullit. Partnerin me të cilin në të kaluarën edhe formonin qeveri që fillimisht merrnin pëlqimin e Beogradit”, shkroi Zyba në fb.
Kujtojmë se, partia kryesore e serbëve në Kosovë, Lista Serbe tha se dëshiron që ta rrëzojë nga pushteti kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Përmes një njoftimi për media, kjo parti tha se Qeveria Kurti po punon kundër interesave të popullit serb.
“Lista Serbe nuk bashkëpunon me Qeverinë e Albin Kurtit, sepse ajo punon kundër interesave të popullit serb dhe se qëllimi ynë politik është të rrëzojmë Albin Kurtin nga pushteti, që është në interes të të gjithëve që duan të jetojnë në paqe në këto zona”, tha kjo parti.