Epilogu

Lufta e Kosovës, si e rrëmbyen zbuluesit shqiptarë avionin e rrëzuar amerikan mes forcave serbe

Kolonel Hysen Ymeri: Duke rrezikuar jetën, ushtaraku Maksim Jaupi me 3 zbulues, rrëmbejnë pajisjet elektronike të avionit të rrëzuar amerikan, duke bërë që informacione sekrete të NATO-s të mos binin në duar të armikut

Veprimet perfekte të njësitit të Batalionit të Zbulimit nga Shqipëria, me metoda profesionale e rrezik maksimal, mundën të rrëmbejnë pajisjet elektronike të avionit amerikan të rrëzuar në frontin e ushtrisë serbe, duke bërë që informacione të rëndësishme të forcave të NATO-s, pjesëmarrëse në luftën për çlirimin e Kosovës, të mos binin në dorë të armikut. Ky është nga operacionet më të rëndësishme që reparti i zbuluesve nga Shqipëria, i drejtuar nga kolonel Hysen Ymeri, kreu në maj të vitit 1999 në frontin e luftës. Në intervistën e tij, kolonel Ymeri, jep detaje interesante të këtij operacioni, rrëmbimin e pajisjeve ‘nën hundën’ e serbëve që i ruanin, dorëzimin e tyre përfaqësuesve të CIA-s dhe takimin me gjeneralin me tre yje, amerikanin Henrik, komandant i forcave të NATO-s që morën pjesë në luftë….

Një nga detyrat e rëndësishme që realizuat ju  ishte rrëmbimi nën hundën e serbëve i avionit elektronik amerikan të rrëzuar më 16 maj 1999?

-Po. Detyra ishte e rëndësishme. Një grup i kryesuar nga shefi i zbulimit i batalionit, major Maksim Jaupi, lëvizi me guxim e fshehtësi, nëpër rajonin e minuar në afërsi të postës sonë kufitare në Stoberdë, të kapur që para dy muajsh nga serbët. Ka qenë një nga detyrat tona më të rëndësishme, jo se rrezikonim kokën, por se pajisja elektronike që ishte në avionin e rrëzuar kishte të dhëna tepër të rëndësishme e që po të merreshin nga serbët, dëmtohej rëndë lufta që po bëhej…

Cila ishte detyra konkrete për repartin tuaj?

-Duhet të zbulonin e të tërhiqnin pjesët kryesore të një avioni amerikan pa pilot e të telekomanduar nga 7 mijë metra, që kishte rënë në atë zonë. Katër pjesëtarët e grupit special mundën të afrohen deri tek avioni, të cilin serbët e mbulonin me snajper e mitraloz dhe nën hundën e tyre morën pjesët kryesore, të cilat ishin dhe fjala e fundit e shkencës amerikane në këtë fushë.

Ndonjë detaj të këtij operacioni luftarak?

-Gjatë gjithë kohës që grupi vepronte, një grup tjetër i batalionit, i mbante nën vëzhgim lëvizjet e tij si dhe të snajperit serb. Pra dhe snajperi serb ishte nën vëzhgim… Nëse ai hapte zjarr(në rast diktimi), do ta asgjësonim. Për hir të fshehtësisë së veprimeve pati dhe moment që major Maksi e ndërpreu ndërlidhjen me radio me ne. Ishte situatë ankthi…

Po pas realizimit me sukses të kësaj detyre?

-Të detyruar nga zjarri artilerisë serbe direkt mbi vend dislokimin tonë, në Zogaj, vetëm pas katër orësh të qëndrimit në një zgafellë me ujë deri në brez, në pritje të ndalimit të zjarrit, mundëm të dalim të ngarkojmë gjithçka mbi mjete dhe të ri dislokohemi në spitalin e qytezës së minierës së Kamit, që ishte braktisur e shkatërruar muaj më parë.

Çfarë u bë me pajisjet e avionit elektronik spiun?

-Ishte pajisje tepër sekrete, e sofistikuar dhe do u dorëzohej përfaqësuesve të CIA-s. Jo më shumë se pas 6-7 orësh, në batalion erdhën dy oficerë të CIA-s, të interesuar për të marrë pjesët e kapura të avioni të telekomanduar, përkatësisht radion, kamerën, kutinë e zezë dhe gjithë të tjerat që ne kishim marrë. Ata ishin shumë të interesuar për këto pjesë dhe na falënderuan e na përgëzuan për veprimin tepër të guximshëm e profesional të grupit tonë special.

Si u bë dorëzimi i pajisjeve?

-Më bëri përshtypje të veçantë veprimi i komandantit të grupit amerikan “Delta”, i cili jetonte e vepronte, tashmë, në batalionin tonë. Ai ishte që në fillim të takimit me përfaqësuesit e CIA-s. Në syrin tim, me plot autoritet, u kërkoi oficerëve të CIA-s dokumentin e indentifikimit. Ata, pa asnjë hezitim, u përkulën dhe nxorën nga qafa e çorapes dokumentin dhe ia dhanë oficerit të ‘Deltave’. Atë darkë i prita mirë dhe pjesët e avionit ua dorëzova pasi mora konfirmim direkt nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, megjithëse grupi i tyre ishte i shoqëruar nga dy oficerët tanë të SHIKU-t e të Policisë Ushtarake…

Gjatë luftës, ju jeni takuar dhe me gjenerali me tre yje, Z. Henrik, komandant i forcave tokësore të NATO-s?

-Po. Jam takuar gjatë luftimeve në malin e Dobrushës. Në ditët e para të majit u njoftuam nga gjeneral Kudusi Lame se do të prisnim në malin e Dobrushës një grup amerikan rikonicioni, të kryesuar nga gjenerali me tre yje, Henrik. Në atë kohë, ai ishte komandant i Forcave Tokësore Amerikane, që angazhoheshin në operacione kundër serbeve në këto rajone. Gjenerali amerikan zbriti me helikopter, i shoqëruar nga një grup i madh sigurimi, si dhe gjeneral Aleks Andoni e gjeneral Kudusi Lama. Zbritja nga helikopteri dhe qëndrimi në këtë rajon për 4- 5 orë i grupit të gjeneralëve u sigurua dhe nga tri grupe speciale të batalionit tonë.

Diçka nga takimi me ‘të?

-Takim lufte… Në këtë rast patëm fatin të rrinim në shoqëri me amerikanin Henrik dhe të drekonim së bashku. Shumë afër ishin forcat serbe. Pesëdhjetë metra nga vendi ku u ulëm të drekonim ishin pozicionet betoni të zjarrit të një grupi tonë obuzash 122 mm. “Në këto kushte,- iu drejtova gjeneral Henrikut,-jemi të siguruar dhe nga shiu i zotit dhe nga ai i serbit”- duke nënkuptuar ndonjë zjarr të befasishëm të artilerisë serbe, siç dhe kishte ndodhur 20 ditë me parë në Helshan. Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes Luan Hajdaraga po takonte efektivat e reparteve e nënreparteve, që ishin vendosur në këtë zonë të mbrojtjes së Divizionit të Kukësit…

Kur mbaroi misioni juaj si pjesëmarrës në çlirimin e Kosovës?

-Ditët e fundit të qershorit të vitit 1999, me fillimin e tërheqjes së forcave serbe nga territori i Kosovës, situata ishte më e mirë. Me 25 qershor, mora urdhrin për lëvizjen e batalionit dhe kthimin në Tiranë.

Ne kryem shumë detyra gjatë luftës për çlirimin e Kosovës, por detyra e zbuluesve për marrjen e pjesëve  të rëndësishëm tek avioni amerikan i rrëzuar, ishte ndër më të vështirat.. Sigurisht, dhe akti i oficerit trim Maks Jaupi e tre shokëve të tij…

SOM 1

“Një grup i kryesuar nga shefi i zbulimit i batalionit, major Maksim Jaupi, lëvizi me guxim e fshehtësi, i maskuar nëpër rajonin e minuar në afërsi të postës sonë kufitare në Stoberdë, të kapur që para dy muajsh nga serbët. Ka qene një nga detyrat tona më të rëndësishme, jo se rrezikonim kokën, por se pajisja elektronike që ishte në avionin e rrëzuar kishte të dhëna tepër të rëndësishme e që po të merreshin nga serbët, dëmtohej rëndë lufta që po bëhej”

SOM 2

“Ishte pajisje tepër sekrete, e sofistikuar dhe do u dorëzohej përfaqësuesve të CIA-s. Jo më shumë se pas 6-7 orësh, në batalion erdhën dy oficerë të CIA-s, të interesuar për të marrë pjesët e kapura të avioni të telekomanduar, përkatësisht radion, kamerën, kutinë e zezë, etj. Ata ishin shumë të interesuar për këto pjesë dhe na falënderuan e na përgëzuan për veprimin tepër të guximshëm e profesional të grupit tonë special”

Maksim Jaupi, oficeri trim që u rrëmbeu serbëve avionin

Kur u nis Maksim Jaupi, shefi i zbuluesve me tre shokë të tij në drejtim të avionit amerikan elektronik të rrëzuar e që ruhej nga forca të shumta serbe, shumëkush nuk mendonte se ata do të ktheheshin më të gjallë. Më së shumti, këtë e dinte vetë zbuluesi i njohur Jaupi… Por ishte detyrë tepër e rëndësishme që kishte të bënte me rrjedhën e vazhdimit të luftimeve të UKK-së e NATO-s kundër forcave serbe… Me çdo kusht, pajisjet elektronike të avionit amerikan (që kishin sekrete të luftimeve) nuk duhet të binin në dorë të serbëve. E këto pajisje, ‘nën hundën’ e forcave të shumta serbe që ruanin objektin, e bëri Malaj së bashku me tre zbuluesit e tjerë. “Ishte një detyrë shumë e vështirë, me rrezik të madh jete e me dëm të konsiderueshëm nëse informacioni që ndodhej në ordinatorin e avionit të rrëzuar të binte në duar të ushtarakëve serbë. Po me guxim, aftësi profesionale e intuitë të mirëfilltë zbuluesi, oficeri Maksim Jaupi e tre zbuluesit e tjerë, e realizoi me sukses”- pohon kolonel Hysen Ymeri. Specialistët e vlerësojnë operacionin e zbuluesve shqiptar për marrjen e pajisjeve në avionin e rrëzuar amerikan (ishte në ruajtje të rreptë të forcave serbe), si ndër më të arrirët dhe model për nga mënyra e realizimit. “Operacione të tilla që kryhen nga forca zbuluesi, përmbajnë elementë kompleksë e të vështirësisë së lartë. Një shkelje sado e vogël, qoftë dhe një lëvizje jo e sinkronizuar, të dekonspiron dhe dështon realizimi i detyrës”- shtojnë zbuluesit. Për këtë akt, zbuluesit shqiptar morën mirënjohje e vlerësim nga drejtuesit e luftës në Kosovë dhe titullarët e mbrojtjes në Shqipëri. Por korrektesa dhe përkushtimi që e kanë karakterizuar Jaupin gjatë karrierës së gjatë ushtarake, përkrahja e proceseve demokratike, në disa raste, është përballur dhe me kërcënime e rrezik… Ai, tashmë familjarisht, ka ikur në Amerikë… Në kohën e trazirave të vitit 1997, banesa e tij në Korçë, u godit me antitank, ndërsa në gusht të vitit 2000, ai së bashku me të ndjerin, kolonel Gani Malushin, bënë gjithçka për vendosjen e rendit në Tropojë. Ndërsa marrja peng e djalit për tre dit në Tiranë në korrik 2011, e detyroi të largohet për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Exit mobile version