Shkruan: Kimete Berisha
Lufta për çlirimin e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit!
Që nga dita kur e kanë marrë pushtetin flasin ekskluzivisht për luftë, për konflikte, për armikun e jashtëm dhe për armikun e brendshëm, flasin për 20 vite të humbura të Kosovës në Liri,
flasin fjalë të mëdha,
ia tregojnë vendin Rusisë; sillen si superfuqi botërore, e këshillojnë BE-në se si duhet të sillet,
e mësojnë NATO-n se si duhet të veprojë.
Dhe i urrejnë gazetarët.
Vetëm Unë e Ti – dhe bota është e jona.
Duan ta zbulojnë një Liri tjetër.
Duke e shpallur Lirinë e UÇK-së të korruptuar.
Vjosa Osmani dhe Albin Kurti e kanë degraduar Kosovën, e kanë varfëruar, e kanë zbrazur dhe e kanë bërë karikaturë të nivelit botëror.
Nuk e di çfarë i mundon tjetër, por e di që vuajnë për tqë qenë heronjë.
Askush nuk të ndal të bëhesh heroinë – urdhëro zonjë, por ka shkuar ajo koha kur Ty e Prindonin vjen “pushtuesi” ju merr me aeroplan, e ju shpëton nga lufta, e ne masakrohemi
As nuk përsëritet më fati i Albin Kurtit që të bëhesh veteran – pa pasur nevojë të luftosh.
Temat e mëdha, arketipe, si lufta, mund të jetë atraktive vetëm për atë që nuk e ka provuar luftën dhe për atë që nuk e di se kushdo që e ka provuar luftën – për të lufta kurrë nuk ka përfunduar.
Kushdo që sot e ka parë Kryeministrin Kurti në konferencë me Xhelal Sveçlën, e ka kuptuar se ai e ka kokën e nxehtë, se nuk e ka situatën në kontroll dhe se është krejtësisht i vetmuar.
Djersitej, ishte i mllefosur, dhe fliste si një kryeministër që ia kanë marrë pushtetin paramilitarët serbë!
- Paramilitarët serbë, Rojat e Urës, marrin rroga nga qeveria e Albin Kurtit, pa punuar në Institucione, por duke luftuar kundër Institucioneve.
Qeveria Kurti u bën zullum shqiptarëve në Institucione, por paramilitarët serbë i paguan me pare (me rrogë mujore), për ta kall flakë veriun;
- Kryeministri Albin Kurti në konferencë tha: Situata në Veri nuk varet nga unë, nuk varet nga Kryeministri, nuk varet nga ministri i policisë, nuk varet nga Policia e Kosovës
Po nga kush varet – tregoi kryeministri – pa e pyetur ‘kush.
- Situata në Veri, tha, varet nga kriminelët serbë.
Kryeministri është dorëzuar para kriminelëve: ka shfaqur shenja të pafuqisë, të depresionit, të vetmisë, të frikës dhe të nervozës së madhe.
Kur nuk frikësohet, vishet si Zelensky.
Mbrëmë e kish zgjedhur kravatën ngjyrë ushtarake.
Sot, ngjyrë lejlja. (Lejla ti nuk e di se jam i lënduar, bash në zemër, Lejla…a edhe ti po më lë – Lejla).
- Kryeministri ia dorëzoi pushtetin kriminelëve serbë, kur tha se: do ta tërheqin vendimin për reciprocitet nëse serbët i tërheqin barrikadat.
Si në filma me pengmarrës. - Ku mbeti rivaliteti i Vjosa Osmanit me Putinin, të cilin krejt bota së bashku nuk e provokon më shumë se Vjosa Osmani – e vetme.
Nga nata e mbrëmshe u kuptua se Kosova është në duar të dy ego-manjakëve, të cilët nuk ka ushtri në botë që i shëron nga komplekset.
Ironia është se luftëtarët e UÇK-së, që nga përfundimi i luftës, flasin për paqe, kurse ata që kanë ikur nga lufta, dhe ata, familjarët e të cilëve kanë qenë milicë të Serbisë, ata flasin veç për luftën dhe provokojnë konflikte.
Serbët e kanë seriozisht.
Ka mundësi që tek mbrëmë e ka kuptuar Kryeministri Kurti, se serbët e kanë seriozisht.
Unë që jam rritur dhe kam jetuar në Veri, e di, që për një çast, pa pritur e pa u kujtuar, e gjithë hyrja e banesës, me gra, me pleq e me fëmijë janë armatosur kundër shqiptarëve.
Këtu seriozisht nuk e ka veç Vjosa Osmani me Albin Kurtin.
Asnjëri nuk kanë fuqi ta menaxhojnë alarmin e Veriut, se lëre ti të menaxhojnë diçka më shumë.
- E Rakiqin, pse emrin e Rakiqit nuk e përmend!
Pse kryeministri bëhet sikur nuk e sheh Rakiqin, duke i mësuar serbët se si t’i luftojnë institucionet e Kosovës?! - Ke hyrë në negociata me një shtet që nuk ka kërkuar falje për vrasjen e 1400 fëmijëve shqiptarë!
Çka paske pritur ti?
Që Aleksandër Vuqiç (hatri yt) ta marrë seriozisht një targë automjeti, një dokument identifikimi, kur nuk e merr seriozisht gjakun e fëmijëve shqiptarë të masakruar nga ushtria e tij! - Serbinë nuk e kemi idol, nuk e kemi model, që të veprojmë siç vepron ajo.
Nëse Serbia i shkel shqiptarët, ti s’ke nevojë t’ia kthesh me reciprocitet.
E keqja nuk kthehet me reciprocitet.
Zullumi nuk kthehet me zullum.
Duam Drejtësi.
Drejtësia e zgjidh problemin. Jo barazia në të keqen.
Nëse ti je i keq me mua – unë ta kthej me të keq: Jo. Nuk shkon ashtu.
Aq më tepër që atje e kemi Preshevën, Medvegjën dhe Bujanovcin.
Për hir të tyre ne duhet të sillemi ndryshe nga Serbia.
Sepse vërtetë jemi ndryshe nga Serbia.
Ne jemi viktima – që nuk gjetëm Drejtësi.
Nëse Serbia i shkel shqiptarët, ne s’kemi nevojë ta shkelim askënd.
Jo ta imitojmë një shtet armik.
Kjo nuk është “betejë politike”, është betejë e Albin Kurtit me teneqe dhe me letra të kota.
P.S. Kryeministri e privatizoi edhe “të vërtetën”.
I këshilloi shqiptarët që ta dëgjojnë vetëm atë dhe Sveçlën, se sipas tij, vetëm ata e thonë të vërtetën.
Ne të tjerët, gazetarët shqiptarë, me apo pa vetëdije, sipas tij, punojmë për Serbi.
Më vjen keq sa poshtë i ka ra katuni.