Të enjten e 1 shtatorit u publikua edhe episodi i 25 i Ditarit të Buzhalës, prodhim i Gazetës Nacionale.
Mysafir ishte Uk Lushi, veprimtar i lobit shqiptaro-amerikan dhe ish-ushtar i UÇK-së
Intervistuesi dhe i intervistuari folën për shumë çështje, ku theksi parësor ra te politika, megjithatë nuk u lanë anash as drejtësia, ekonomia e sferat e tjera të përditshme.
Një nga ato që u apostrofua ishte edhe Gjykata Speciale. Respektivisht mënyra se si kjo e fundit operon. Gjegjësisht rreth asaj nëse mund të bëhet më shumë nga shteti, ose edhe Ministria e Drejtësisë, që sipas palëve në studio gëzon të gjitha elementet e nevojshme juridike për të bërë hapa para drejt një monitorimi, ose paraprakisht ankese lidhur me punën e deritanishme të kësaj gjykate.
Fillimisht, Lushi potencoi maksimën e njohur në sistemin amerikan dhe jo vetëm atë, se trajtimi i mirë i të akuzuarit është çështje goxha e rëndësishme. Kjo pasi, i akuzuari nuk është fajtor.
“Një ndër çështjet më të rëndësishme të sistemit juridik amerikan, jo të Amerikës po të gjithë botës, është trajtimi i mirë i të akuzuarit. Për arsye se i akuzuari nuk është fajtor”, shtoi Lushi.
Këtu ndërhyri edhe autori Buzhala, duke marrë shembull ish-tribunalin e ish-Jugosllavisë, që poashtu ishte me seli në qytetin holandez të Hagës.
Sipas Buzhalës, është i pakuptimtë fakti se si një përgjegjës për krimet më makabre si Stanishiqi u la i lirë, kurse ish-krerëve të UÇK-së po u ndalohet kjo e drejtë.
“Në tribunalin special për Jugosllavi, s’ka qenë ai special, në Tribunalin e ish-Jugosllavisë, të Hagës, standardi për të pandehurit ka qenë, mbrojtja në liri është rregull, mbajtja në paraburgim është përjashtim. Aktualisht po ndodh saktësisht e kundërta. Dmth, qe dy vite, njerëz që kanë dhënë garancione, shtetet që janë sponsorizuese të Tribunalit, Turqia, Norvegjia, janë diku 3-4 shtete që e kanë sponsorizu, edhe Amerika…disa prej këtyre shteteve, përfshirë edhe Shqipërinë kanë dhënë garancione, që nëse jo në Kosovë, m’i leju m’u mbrojtë diku tjetër në liri, sepse dy vite në Amerikë, përveç nëse ekziston, dmth, përveç nëse paraqet kërcënim direkt ndaj një të pandehuri ose një diçka, secili e ka drejtën m’u mbrojtë në liri deri në një vendim final”, shtoi njëherë gazetari.
Ndërkaq, më pas pyeti me habi pse institucionet kosovare nuk po e ngrisin zërin duke krahasuar këto dy tribunale, e duke dhënë detaje se si kriminelë me nam u lanë të gjykohen në liri, kurse tanët jo.
“Pra, pse po anashkalohet kjo prej institucioneve , me ngrit zërin, me marrë në mënyrë komperative, me thënë qe ku ka qenë një tribunal për ish-Jugosllavinë, edhe Stanishiqi është mbrojtë në liri, dmth njerëz që janë absolutisht përgjegjës për gjithë gjakderdhjen, iu ka leju m’u mbrojtë në liri, e një gjykatë e Kosovës, nuk i lejon m’u mbrojtë në liri, i mban dy vjet në paraburgim”, vazhdoi Buzhala.
Këtu vazhdoi veprimtari nga përtej oqeanit, duke shtuar se shteti e ka detyrim, madje ka edhe arsye morale.
Veç kësaj, ai lavdëroi Glauk Konjufcën për mundin që mori duke shkuar për vizitë në Hagë, duke e cilësuar si gjest të mirë.
“Prandaj, po them që shteti ka detyrim. Sigurisht që ka edhe arsye morale. Disa njerëz janë më aktivë, po e marr shembull Glauk Konjufcën, mendoj që ka bërë një veprim të duhur. Se burimi i asaj gjykate është Kuvendi i Kosovës. Pavarësisht imponimit. Pa legjitimitetin e Kuvendit dhe njerëzve të Kosovës, ajo gjykatë është asgjë. Ata mund t’i dënojnë edhe 100 mijë vjet burg, po pastaj del diçka tjetër. Një problem tjetër pastaj, Serbisë i konvenon sa më shumë zgjatja e këtij procesi. Gjykata nuk e ka arsyetimin e kohës. Ata kanë pasur kohë, nëse nuk jam gabim, një dekadë”.
Në fund fare, ekonomisti i mllefosur tha se pse gjykata i arrestoi ish-krerët kur nuk është gati akoma, ani pse për të siguruar prova kishte një kohë prej më shumë se një dekadë.
“Pse po i arreston njerëz kur nuk je gati?! T’ua shkelësh dinjitetin dhe të drejtat juridike. Tjetra është se Serbia absolutisht fabrikon evidencë të rrejshme, psh shkojnë në Hereq të Gjakovës, krijojnë evidencë të rreme, pastaj gjykata bllokohet. Endet atje 10 vjet edhe i shkatërrojnë jetët njerëzore. E këto janë çështje për të cilat shteti i Kosovës, përfshirë presidenten Osmani, kryeministri të them të drejtën i kapë ato gjëra, ka reaguar disa herë, nuk është përfshirë shumë, por edhe njëherë po them, gjërat duhet të shkojnë te ministria e drejtësisë”, përfundoi ai.
Në fillim të tekstit gjeni episodin e plotë, ndërsa më poshtë atë të zgjeruar këtu. Shikim të këndshëm.