Kryetari i degës së PDK në Skenderaj dhe kandidat i PDK-së për kryetar të Skenderajt, Sami Lushtaku ka ftuar një takim të kryesisë së degës me kryetarë të nëndegëve, në të cilin ka njoftuar për një përpjekje të fundit që ishte bërë unitet për kandidatin për kryetar të Skenderajt. Ai tha se janë takuar me Bekim Jasharin, të premtën në orët e mbrëmjës dhe ishte përpjekur që të gjejë mënyrën që Drenica të mos shkojë në zgjedhje e përçarë por e bashkuar dhe unike. Në takimin me Bekim Jasharin, siç tha Lushtaku, ndodhëshin edhe Abdyl Ymeri dhe Ilir Veliu, shkruan vision mega.
“Kemi bërë përpjekjen e fundit, unë i kam ofruar shumë mundësi Bekimit, po ai nuk ka reflektuar, mbylli çdo rrugë. Ai vetëm dëshironte dhe kërkonte me këmbëngulje që PDK-ja të mos hyjë në zgjedhje për kryetar të komunës me kandidat të vetin. Ai këmbëngulte që të jetë i vetëm në garë, por unë kam refuzuar opsionin e tij. I propozova që ai t’i hyjë garës me logon e PDK-së. I premtova se do ta ndihmojë maksimalisht, vetem që të jetë kandidat i PDK-së. Unë i thash atij, ‘tërhiqem unë, nëse t’i vjen në PDK dhe në këtë mënyrë të kandidojmë menjëherë për kryetar të komunës’, por ai ka refuzuar”, shpjegoi Lushtaku. Lushtaku tha se Bekim Jasharit ia ka dhënë edhe një propozim, që asnjëri nga ata të mos jenë kandidat për kryetar të Skenderajt, por të jetë një kandidat krejtësisht tjetër, por që të jetë nga PDK-ja.
“Nuk deshi as kështu, ai vazhdimisht këmbëngulte që PDK-ja dhe unë si kandidat i PDK-së të tërhiqemi, por këtë nuk e kam pranuar”, tha Lushtaku, duke shtuar se tanimë Bekim Jashari ka rrugën e vet dhe ai rrugën e tij. Lushtaku tha se është evidente se Drenica hyn në zgjedhje e përçarë, por megjithate siguron se PDK-ja do të jetë fituese absolute e zgjedhjeve. Nga ajo çfarë tha Lushtaku në takimin me kryesinë dhe kryetarët e nëndegëve u la për të kuptuar, se Bekim Jashari ishte përpjekur të bëjë trysni edhe në forma të tjera, por kjo, siç tha vetë Lushtaku nuk i ka lënë fare përshtypje atij.
“Të hënën do ta zyrtarizoj kandidaturën për kryetar të Skenderajt, gjithmonë kam dëshiruar unitet, por të tjerët si duket nuk janë të interesuar. Sidoqoftë, PDK-ja tashmë dihet se do të jetë fituese e këtyre zgjedhjeve. Ne synojmë të fitojmë me 80 për qind të votave të qytetarëve. Nuk duhet shumë punë për t’ua përkujtuar qytetarëve të gjitha të mirat që ua ka sjellë PDK-ja. Gjatë qeverisjes sonë Drenica dhe Skenderaj kanë pasur zhvillimin më të madh në histori, derisa në 3 vjet e gjysmë të qeverisjes aktuale nuk është bërë asgjë, asnjë projekt i madh nuk është realizuar”, ka përfunduar Lushtaku, i cili ka ftuar gjithë anëtarësinë e PDK-së dhe qytetarët e Skenderajt që të jenë përkrah PDK-së në zgjedhjet e 17 tetorit.
“Nuk është marre me qenë PDK, përkundrazi është krenari. Secili anëtar i PDK duhet të ndihet krenar që është pjesë e PDK, sepse vetëm PDK-ja mund ta zhvillojë, jo vetëm Skenderajn e Drenicën, por gjithë Kosovën”, ka thenë mes tjerash Sami Lushtaku, kandidat i PDK-së për kryetar të Skenderajt dhe kryetar i degës së PDK në Skenderaj./rajoni.org/