Epilogu

LVV-ja e nis 2023’n me video propagandistike: Sulmon ish-qeveritarët e biznesmenët për krim e korrupsion

Lëvizja Vetëvendosje e ka nisur vitin 2023 me një video propagandistike, ku përmes saj sulmon ish-qeveritarët, duke nisur nga ish-kryeministrat Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj, e tek opozitarët e sotëm, Memli Krasniqi nga PDK-ja dhe Lumir Abdixhiku i LDK-së.

Videoja goxha e ashpër dhe kritikuese që u publikua 24 orë pasi u bë publik sërish një skandal tjetër financiar 100 milionësh ku implikohen kryeministri Albin Kurti dhe ambasadori Martin Berishaj, titullohet ” Çka ka çka s’ka këto 2 vite në Kosovë? Çka ka çka s’ka këto 2 vite?”, raporton Paparaci.

Sipas këtij subjekti politik, tash e tutje “nuk ka vjedhje, zhvatje, hajni apo pasurim të politikanëve nga politika”.

Duke iu referuar familjarëve të ish-kryeministrit Mustafa, LVV thotë se “nuk ka pasurim të bizneseve dhe familjeve të lidhura me pushtetin”.

Ndër të tjera, në video spikatin dhe ish-kryeministri Avdullah Hoti e Besnik Tahiri i AAK-së.

Nuk mungojnë as Sami Lushtaku dhe biznesmenët e tjerë që linçohen publikisht nga ky subjekt politik.

Gjithashtu, në video përmendet edhe takimi i Haradinajt në zyrën e tij kur ishte kryeministër bashkë me Milan Radoijçiqin.

Kësisoj, kjo është videoja e tretë e këtij subjekti politik brenda pak kohësh që i akuzon opozitarët më konkretisht të lidhur me hajni e zhvatje të institucioneve apo parasë publike.

“Nuk ka nënshtrim dhe nuk ka nënshkrim kundër Republikës së Kosovës. Ka shtet sepse s’ka banda. Ka zhvillim sepse s’ka hajni. Ka vizion sepse s’ka mësymje private. Ka shtet sepse ka shoqëri, ka qytetari. Ka REPUBLIKË”, thuhet në përshkrimin e kësaj videoje të publikuar sot.

Exit mobile version