LVV-ja në opozitë s’e kishte votuar deklaratën kundër Referendumit të Strukturave Paralele në Veri
Në vitin 2012, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar një deklaratë përmes së cilës kishte kundërshtuar dhe shpallur të paligjshëm e të pavlefshëm Referendumin e Strukturave Paralele në Komunat Veriore të Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje, atë kohë në opozitë, kishte refuzuar të votonte “pro” kësaj deklarate, përkundër që bëhej fjalë për strukturat paralele të Serbisë.
Gjatë legjislaturës IV të Kuvendit të Kosovës ishte miratuar një deklaratë që kundërshtonte Referendumin e Strukturave Paralele në Komunat Veriore, shkruan Demokracia.com.
Sipas deputetëve në atë kohë, strukturat paralele ishin të financuara dhe të drejtuara nga Republika e Serbisë kundër Pavarësisë, Sovranitetit dhe Integritetit territorial të Kosovës.
Sidoqoftë, të njëjtën kishte refuzuar ta votonte Lëvizja Vetëvendosje, e cila atëherë ishte opozitë.
Visar Ymeri në emër të Grupit Parlamentar të LVV-së kishte thënë se do të abstenojnë në votimin e kësaj deklarate. Arsye sipas këtij subjekti politik ishin disa pika të saj, ku potencohej Plani i Ahtisarit.
Demokracia.com ka siguruar edhe listën e votimit të deputetëve të LVV-së, ku shihet se të gjithë kishin abstenuar në votimin e asaj deklarate të rëndësishme.
Ndërkaq, sot kur LVV-ja është në pushtet, për t’u fshehur nga presioni ndërkombëtar, kryeministri Kurti u detyrua të paraqes para deputetëve të Kuvendit të Kosovës një rezolutë goxha të ngjashme.
Ai e prezantoi në Kuvend një rezolutë me 8 pika përmes së cilës kundërshtohet mbajtja e një referendum serb në Kosovë.
Votimi i rezolutës vjen pas kërkesës së shteteve të QUINT-it dhe SHBA-së që të lejohej mbajtja e referendumit dhe votat të grumbullohen nga misioni i OSBE-së.
Megjithatë, institucionet në Kosovë insistuan që votimi duhet të bëhet me postë ose në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë./Demokracia.com/