fbpx
Lajme

Maliqi: Shamia test i sojit të njerëzve të Shefqet Krasniqit për një Kosovë josekulare

Analisti Agon Maliqi është përfshirë në debatin për shaminë. Ai në një intervistë për Gazetën Express ka thënë se insistimi në Kosovë për shaminë duke përdorur gjuhën e të drejtave në Perëndim është një hap testues i “Islamit Politik” për ta ridimensionuar shtetin në një model tjetër – të kundërt me parimet sekulare e liberale. Sipas Maliqit, ky është një synim afatgjatë i njerëzve të sojit të Shefqet Krasniqit. Maliqi i kërkon Kurtit të jetë i guximshëm dhe ta ruajë status quonë rreth kësaj çështjeje, ndërkohë që e kritikon që përmendi moshën 16 vjeçare si prag për vajzat që duan të mbulohen dhe të shkojnë në shkolla. Duke komentuar “yryshin” e burrave për instalimin e shamisë në shkolla Maliqi kap një dimension tjetër – është një reaksion konservator ndaj fuqizimit të grave në Kosovë dhe humbjes së pushtetit të burrave mbi gratë dhe moralin publik.

Gazeta Express: Ka nisur një debat në rrjetet sociale pro e contra shamisë në shkolla. Qeverisë Kurti po i kërkohet të marrë një vendim që lejon këtë simbol fetar në shkollat laike. Sipas jush çfarë duhet të bëjë Kryeministri?

Maliqi: Mendoj se kryeministri duhet të tregohet i guximshëm dhe ta ruajë status quonë optimale të tanishme. Debati është gjithsesi i ndërlikuar dhe i vë përballë disa parime të rëndësishme të demokracisë liberale: lirinë individuale dhe të drejtën e besimit në njërën anë dhe rolin e shtetit (i cili është indiferent ndaj feve) për mbrojtjen e fëmijëve, si dhe parimin e sekularizmit në anën tjetër. Shumëkush që sot po e mbështet lejimin e shamisë në kokat e fëmijëve po thirret në praktika të demokracive liberale perëndimore, por unë mendoj se kufizimet të cilat demokracitë liberale i caktojnë janë gjithmonë kontekstuale, sepse i shënjestrojnë ato elemente që janë kërcënuese ndaj rendit specifik liberal.

Mendoj se udhëzimi administrativ ekzistues ka logjikë për kontekstin e Kosovës dhe se shteti e ka për detyrë që ta mbrojë secilin person nën moshën 18 vjet prej çfarëdo imponimi të identitetit që ka karakter të dëshmuar kufizues ndaj tyre. Kjo ndërhyrje aktive e shtetit ka logjikë sepse shoqëria është fetarisht thuajse homogjene dhe si rrjedhojë presioni shoqëror për t’iu nënshtruar traditave është i lartë. Mbi të gjitha për shkak se këto tradita historikisht e kanë pasur synim (dhe rezultat!) shtypjen dhe nënshtrimin e grave në role të paracaktuara nga autoritetet fetare.

Gjithsesi, ka shumë gra besimtare për të cilat shamia nuk e ka këtë domethënie (madje për disa e ka kuptimin e fuqizimit) dhe ato janë aktive në jetë publike. Do të doja që shamia ta kishte këtë kuptim më gjerësisht dhe shpresoj se një ditë do ta marrë këtë kuptim. Por, fatkeqësisht simboleve u japin kuptim shumica që thirren në ato simbole – shamia sot e bart bagazhin e qëndrimeve të hoxhallarëve tanë ultra-konservatorë për rolin e vajzave dhe grave në shoqëri. Mendoj se është detyrë e shtetit që t’i mbrojë fëmijët e për rrjedhojë edhe hapësirën publike dhe shtetin prej botëkuptimeve të tyre. Nëse problemi është se këto vajza po mbesin pa shkollë, debati duhet të shtrohet në rrafshin e marrjes së masave ndaj prindërve që refuzojnë t’i dërgojnë fëmijët në shkollë me rregullat e shtetit (në rastin e viteve të detyrueshme të shkollimit).

Gazeta Express: A jeni te habitur që një kërkesë në Facebook, nuk e dimë sa është numri i atyre që lobuan, arriti të imponohet si temë sa të shprehet Kryeministri për të?

Maliqi: Nuk jam i habitur, sepse komuniteti i besimtarëve më të devotshëm në Kosovë është numerikisht i madh dhe një pjesë shumë dinamike e tij janë rinia, të cilët edhe i njohin mirë metodat e fushatave online. Gjithashtu, nuk habitem sepse pjesa më e madhe e këtyre besimtarëve janë mbështetës të Vetëvendosjes dhe kryeministrit Kurti e këta kanë bërë premtime elektorale ndaj këtij komuniteti dhe kanë krijuar pritje. Ishte e pritshme që ata në një moment të bëjnë presion dhe t’i tregojnë muskujt politikë. Ndoshta tani e kanë nuhatur mundësinë.

Gazeta Express: Kurti deklaroi se qëndrimi i tij është se mund të lejohet shamia mbi moshën 16 vjeçare. A po i nënshtrohet këtij presioni publik që po i bëhet apo kjo është edhe një populizëm i tij dhe mirëmbajtjen e elektoratit të tij?

Maliqi: Me këtë lloj deklarate Kurti thjesht po e rithekson atë që e kishte thënë më herët në fushatë. Por, pozicioni i tij është kontradiktor dhe ngjan si përpjekje për të balancuar, por që realisht më shumë i frustron të dyja kampet sesa që krijon kompromis apo kamp të mesëm. Në thelb edhe kryeministri Kurti po pajtohet me arsyeshmërinë e pragut të moshës dhe me logjikën e ekzistencës së udhëzimit administrativ – pra e sheh dhe pranon rolin e shtetit në kufizimin e kësaj të drejte fetare kur bëhet fjalë për fëmijë. Thjesht në mënyrë arbitrare kryeministri po e zhvendos pragun e moshës. Se a po e bën këtë nga bindja apo nga kalkulimet politike, këtë nuk mund ta them. Në çfarëdo rrethane, këtë lloj pozicionimi nuk e shoh të arsyeshëm.

Gazeta Express: Që prej themelimit të shkollave në gjuhën shqipe, në themelin e tyre, është propaganduar esenca shqiptare, vlerat kombëtare, shamia a i përmbys këto?

Maliqi: Parapëlqej që ta trajtoj debatin fillimisht përtej debatit identitar dhe “kombëtares” dhe ta zbres në nivel të rendit tonë kushtetues dhe të shtetit civil, ku të gjithë jemi qytetarë me të drejta të barabarta. Sa i përket dimensionit më të gjerë kombëtar, them se duhet të tregojmë kujdes me gjuhën e përdorur gjerësisht këto ditë ku shumëkush po përpiqet të monopolizojë se “çka është shqiptare” e çka nuk është – pra gjuhën e esencializmit – sepse rrezikojmë të rrëshqasim në koncepte fashiste dhe përjashtuese të kombit. Islami, njësoj si krishtërimi, ateizmi e deri te çdo lloj identiteti tjetër rajonal, janë pjesë përbërëse e historisë dhe identitetit shqiptar, i cili është në thelb plural dhe mund të ekzistojë vetëm si i tillë. Por, pluralizmi i tij funksionon vetëm nëse ushqehet harmonia mes atyre që Arben Xhaferi me një rast i pati quajtur “identitete horizontale”, pra nëse parandalohet përpjekja politike e ndonjërit prej këtyre identiteteve horizontale për dominim dhe për primat, e cila do të çonte në thyerjen e balancit të tanishëm. Për këtë arsye laiciteti i fortë i shteteve ku shqiptarët jetojnë (bashkë me gjuhën shqipe si elementi kryesor unifikues) e përbën boshtin kryesor vertikal që mundëson kohezionin e identitetit shqiptar. Në mesin e komunitetit të besimtarëve myslimanë rasti i shamisë po merret si shembull për të argumentuar se Islami në Kosovë (apo edhe brenda identitetit shqiptar) po shtypet dhe diskriminohet. Ky lloj viktimizimi është i pasinqertë dhe ironik në një kohë kur askush nuk e pengon besimin privat dhe kur numri i besimtarëve në fakt po rritet. Insistimi në shaminë, i mbështjellë me gjuhën e të drejtave të njeriut të perëndimit, është thjesht një hap testues në përpjekjen më të gjerë të “Islamit politik” për ta ridimensionuar hapësirën publike dhe eventualisht edhe kombin dhe shtetin drejt një modeli tjetër dhe të kundërt me parimet shekullare dhe liberale. Nuk guxojmë të tregohemi naivë dhe të bëhemi sikur nuk po e shohim se çfarë synimesh afatgjatë kanë soji i Shefqet Krasniqit dhe mbështetësve të tij.

Gazeta Express: Si është e mundur që në Kosovë me një mijë probleme përfshirë edhe problemet në arsim, sistem dhe infrastrukturë të dobët një çështje si kjo bëhet prioritet?

Maliqi: Mendoj se fuqia politike e rrymave ultra-konservatore fetare në Kosovë po rritet dhe po arrin ta ngrisë këtë çështje në agjendë. Gjithsesi, temat e tilla dhe debatet identitare janë edhe shenjë edhe e frustrimeve të tjera ekonomike dhe politike – janë njëfarë ventili i hapur ku një pjesë e shoqërisë e kanalizojnë energjinë. Por ka këtu një dimension që shpesh anashkalohet në këtë debat dhe që qëndron në sfond të frustrimeve të shtresave konservatore në shoqërinë tonë – e ky është frustrimi me rritjen e lirive dhe të drejtave të grave. Mendoj se ajo që po e shohim – e dëshmuar edhe nga sasia e burrave që i dhanë yrysh kësaj teme – është një reaksion konservator ndaj fuqizimit të grave në Kosovë dhe humbjes së pushtetit të burrave mbi gratë dhe moralin publik.

Po e rishkruaj këtu diçka që e kisha theksuar në një shkrim në Facebook: ekziston njëfarë tensioni i madh në marrëdhëniet gjinore në Kosovë që ka natyrë strukturore dhe ndërlidhet me tranzicionin e përgjithshëm të roleve gjinore dhe strukturën e ekonomisë. Në fakt ai është pjesë e një trendi botëror. Familja mesatare kosovare deri vonë (por edhe sot) i ka rritur djemtë kryesisht me logjikën e privilegjuar të “princit të shtëpisë”, me çdo send të gatshëm në shtëpi, duke krijuar për rrjedhojë ushtri djemsh të rinj të paaftë me jetu vetë (me gatu, me pastru, etj); por njëkohësisht me vetëbesimin se bota u takon atyre. Dikur edhe nusen e kanë pasur të garantuar pa i marrë parasysh cilësitë e tyre, kryesisht për shkak të presionit social ndaj vajzave për t’u martuar.

Ndërkohë çfarë ka ndodhur është se struktura e shoqërisë dhe e ekonomisë e ka bërë këtë model të paqëndrueshëm. Vajzat, të cilat familjet rëndom i mallkojnë prej lindjes e i trajtojnë si barrë, e kanë kuptuar se nëse duan të dalin prej këtij cikli duhet të punojnë shumëfish më shumë dhe të arsimohen. Ka nja një dekadë që në arsim të lartë ka më shumë vajza studente se djem. Ekonomia e bazuar gjithmonë e më shumë në shërbime dhe shkathtësi të buta i favorizon gjithashtu vajzat dhe gratë. Tash kjo po reflektohet edhe me pjesëmarrjen e tyre më të madhe në treg të punës dhe në pozita udhëheqëse.

Sot ato janë shpesh më të afta dhe të zonjat për të jetuar të pavarura, e njëkohësisht edhe më të lira për të shprehur individualitet në hapësirë publike. Për rrjedhojë edhe nuk kanë arsye ta pranojnë ose tolerojnë për burrë çdo sulltan që kërkon para së gjithash shërbëtore shtëpiake dhe të dëgjueshme. Rezultati është rritja numerike e variantit kosovar të “incel”.

Humbja e privilegjit dhe pushtetit të burrit kosovar ndaj grave prodhon frustrim dhe “çburrnim”. Reaksioni konservator dhe patriarkal në Kosovë ndaj këtij trendi nuk është vetëm fetar – misogjinia është shumë më e gjerë. Por, ai ka gjetur strehë të rëndësishme dhe petk moral në botëkuptimet mesjetare të çiftit të Shefqet Krasniqit.

Gazeta Express: Shumëkush  kërkesën për shaminë e sheh si agjendë të islamit politik që e përçon një pjesë e shoqërisë kosovare. A pajtoheni me këtë?

Maliqi: Do të dëshiroja ta shihja si çështje të së drejtës individuale dhe besimit privat. Kur i shoh gratë si deputeten e nderuar Besa Ismaili duke e trajtuar temën dhe e artikuluar qëndrimin, dëgjoj me vëmendje dhe respekt sepse e kuptoj se për shumëkënd kjo është çështje e rëndësishme private e besimit. Por kur i shoh Shefqet Krasniqin dhe një kor burrash misogjenë që ulërijnë si flamurtarë, nuk mund të mos e shoh dimensionin më të gjerë politik.

Gazeta Express: Ka po ashtu vlerësime se Kurti ka një problem me fraksionin islamik brenda VV’së që për t’i qetësuar ata duhet të marrë vendim pro shamisë?

Maliqi: Këtë problem me fitoren e Vetëvendosjes e kam parashikuar qysh prej fillimit, meqë nuk kemi të bëjmë me një parti, por me një koalicion shumë heterogjen dhe të thyeshëm nga temat polarizuese. Kurti deri tani e ka menaxhuar mirë këtë heterogjenitet, por është shumë e mundshme se, duke i pasur parasysh numrat në Kuvend, tani rrymat e ndryshme po mundohen, nëse jo ta shantazhojnë, atëherë së paku ta kërcënojnë stablitetin e qeverisë politikisht.

Gazeta Express: Është spekulative, por thuhet po ashtu se me debatin për shaminë Kurti po përpiqet t’i mbulojë temat e vështira që i ka në dialog para vetës? A qëndron kjo?

Maliqi: Nuk do të dëshirojë të spekuloja. Një zhvendosje e tillë e vëmendjes ndoshta edhe është dobishme, por në thelb një temë që angazhon kaq shumë njerëz me zell dhe dëshirë është një temë që e adreson një shqetësim të vërtetë të njerëzve.

Gazeta Express: Pyetja e fundit, MASHT në një komunikatë  për vitin e ri shkollor njoftoi “se do t’i përmbushim të gjitha obligimet ligjore dhe të sigurohemi që çdo fëmijë të jetë në bankat shkollor”. A mendoni se kjo tregon se Kurti është përcaktuar që MASHT ta shfuqizojë këtë Urdhëresë administrative dhe nga shtatori t’i kemi edhe shamitë në shkolla?

Maliqi: Mbetet të shihet. Nuk mund ta parashikoj.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close