fbpx
Lajme

Biseda Thaçi – Veseli: Unë po kaloj, e nëse bie në mina, ju vazhdoni mbi fërkemin tim

Edhe një rrëfim ekskluziv për kohën e luftës e ka dhënë ish shefi i kriptoanalizës në Shërbimin Informativ Kombëtar dhe pjestari i UÇK-së Vexhi Halili, transmeton EPILOGU. Ai ka publikuar disa rrëfime, dhe ne po ju sjellim rrëfimin e radhës.

Vexhiu, në pjesën e gjashtë të rrëfimit(të postuar më herët), tregoi se si së bashku me Hashim Thaçin, Kadri Veselin e dhjetra ushtarë tjerë, arritën që përkundër shumë peripecive nëpër bjeshkët e Pashtrikut, t’i afrohen kufirit, i cili konsiderohej të ishte i minuar në çdo shteg. “U afruam rreth 70 metra larg kufirit dhe u ulum të gjithë grumbull ashtu të mërdhezur në borë. Pashë Boksierin (Bashkim Shala) dhe u befasova me gjendjen e tij.

Atij i kishte ngrirë gjaku në këmbë dhe nuk i rridhte më, por ishte bërë dyll i verdhë dhe nuk e dija se edhe sa mund të zgjaste qëndresa e tij.” – vazhdon rrëfimin e tij Vexhiu.

Ai më pas tregon se si ishin ulur mbi shtresat e borës “kat më kat” kishin qëndruar 10 minuta, kur paprimtas dëgjon zërin e Lulit (Kadri Veseli), duke thirrur Hashim Thaçin: “Mos, mos ecë më andej se është e minuar.” Vexhiu tregon se si Thaçi jo vetëm që nuk u ndalua, por vazhdoi të ecë edhe më shpejtë me atë hapin e tij të madh karakteristik. “Unë po kaloj, e nëse bie në mina, ju vazhdoni mbi fërkemin tim.” – i kishte thënë Thaçi. “Ne të gjithë mbetëm të shtangur, të habitur e më së shumti frikën për fatin e një drejtuesi të një ushtrie të re e ndjeu Luli e Boksieri.

Kur ai kaloi distancën që mendohej se kishte kaluar zonën e minuar, u shtri në borë dhe me një ndjenjë krenarie, ai briti: ‘Ja hodhëm Serbisë edhe kësaj here. Shpëtuam, veç të keni kujdes dhe të ndiqni hapin tim.’ Neve të tjerëve na mblodhi Luli duke na porositur që një nga një nëpër gjurmët e Hashimit të ecnim. ‘Mos u ngutni, por as mos u frikësoni.’ – na tha ai. Kaluam të gjithë (25 ushtarë) dhe tani shpresa na ishte ringjallur, pasiqë në as 100 metra tutje kishim stanin e Vlahnës. Pasi arritëm atje, njëri nga ushtarakët kërkoi ndihmë nga baza e Cahanit nëpërmjet të radiolidhjes. Aty pashë ushtarët me gjymtyrë të ngrira e veçanërisht në gjendje më të rëndë ishte Boksieri. Pas tre orësh, arritën ndihmat e para nga baza e Cahanit. Njëri nga ata që erdhën na tha se duhet të niseshim për shkak se qëndrimi në këto kushte e bënte më të vështirë mbijetesën. Me sa më kujtohet ishte mjek ushtarak. Morëm rrugën për rrëzë Pashtrikut në teposhtëzën e tij, fuqia kishte arritur të na lëshonte, këmbët nuk e kuptonim se a ishin tonat apo jo. Në Cahan na pritën xhipat e UÇK-së.

Luli porositi që ushtarët e identifikuar nga mjeku të dërgohen në spitalin ushtarak të Tiranës. Arritëm në Krumë, në një nga bazat e UÇK-së, banesën e H.Drenicës, ku na priste komandant Plaku. Ma zgjati një cigare duke më thënë: ‘Prizren mirëserdhe në konakun tonë e shyqyr prej Zotit që shpëtuat. Edhe ushtarët në spital si duket po i përballojnë dhimbjet nga ngrirja e gjymtyrëve. Plaku vërtetë ishte një burrë fisnik e i mençur. Nofkën e kishte marrë jo se ishte i vjetër, por se ishte i matur. Ai të mbushte me optimizëm, të ngjallte krenari.” – rrëfen Vexhiu. Ish oficeri, për hir të angazhimeve e situatave emergjente të krijuara, nuk ka arritur të mësojë se a i kishte shpëtuar këmba ushtarit nga prerja si pasojë e ngrirjes gjatë këtij misioni, e për të cilin rast i kishte folur Plaku në banesën e H.Drenicës.

Vexhi Halili në foto

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close