Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Udhërrëfyesin e Zbatimit të Marrëveshjen për Energjinë që është arritur në Bruksel qysh më 2013. Ky Udhërrëfyes përmban 9 pika dhe parasheh licencimin e kompanisë serbe Elektrosever nga ZRrE-ja.
Por kjo marrëveshje nuk është e re, raporton Gazeta Sinjali.
Ishte viti 2015 kur shef qeverie në Kosovë ishte Isa Mustafa, u nënshkruan në Bruksel katër marrëveshje. Prej tyre, njëra ishte për asociacionin e komunave me shumicë serbe e tjetra për energjinë.
Veç pikës së asociacionit, opozita asokohe, tash në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, pati kundërshtuar ashpër këto marrëveshje.
Veç konferencave për shtyp, ata thirrën në raportim para deputetëve edhe kryeministrin e atëhershëm Isa Mustafa.
E derisa ky i fundit po raportonte për rëndësinë sipas tij të këtyre marrëveshjeve, përfshirë atë për energjinë që sipas Mustafës atëherë ruante sovranitetin e shtetit, Lëvizja Vetëvendosje e pati gjuajtur me vezë.
Si pasojë, seanca plenare ishte ndërprerë, ndërkaq marrëveshjet kishin vazhduar të kritikoheshin e kundërshtoheshin ashpër nga Lëvizja Vetëvendosje.