Epilogu

Mbi 800 kosovarë për një vit u prekën nga fruthi

Mbi 800 pacientë, kryesisht fëmijë, janë prekur vetëm gjatë këtij viti nga epidemia e fruthit në Kosovë. Prej tyre 480 raste janë ndaluar QKUK. Ndërkohë që për momentin në Klinikën Infektive të QKUK’së, janë duke u trajtuar 38 të sëmurë me fruth.

Numri i rasteve të personave të prekur me epideminë e fruthit është duke shënuar rënie në Kosovë. Për momentin në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës janë duke u trajtuar 36 pacientë të prekur me fruth.

Këto të dhëna i ka dhënë për Express të martën, Drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Hamdi Ramadani. Ai ka thënë se ka rënie të rasteve të prekura nga epidemia e fruthit në Kosovë, krahasuar me muajt e fundit. Ndërkohë që sipas tij kanë qenë mbi 800 raste të hospitalizuara për gjatë gjithë këtij viti.

“Fatmirësisht numri është duke shënuar rënie. Ne për momentin në trajtim i kemi 36 pacientë që janë të shtrirë në Infektivë të prekur nga fruthi. Për gjithë vitin të hospitalizuar i kemi pasur mbi 800 pacientë”, ka thënë Ramadani për Express.

Ai ka shpjeguar se ka ilaçe të mjaftueshme për kurimin e kësaj sëmundje. “Po barna kemi për momentin për trajtimin e të gjithë këtyre personave”, ka deklaruar Ramadani.
Tutje, në këtë klinikë nga 36 pacientët që po kurohen, tre persona janë në gjendje më të rëndë shëndetësore. Ndërkohë që mosha më e prekur e personave me epideminë e fruthit në Kosovë ka qenë mosha 3 vjeçare. Rajonet në të cilat ka më shumë raste të shënuara sipas Ramadanit janë nga Lipjani e Fushë Kosova.

Drejtori i Klinikës Infektive tha se kjo sëmundje e atakon më shumë moshën fëmijërore, por edhe mosha tjera.
“Mosha me e prekur ka qenë deri në tri vjeç edhe pse kemi pasur raste të moshave më të rritura”.

Ndryshe, në Klinikën Infektive Universitare janë shënuar gjithsej dy raste me vdekshmëri, një foshnje 13  muajsh nga Fushë Kosova dhe një i rritur 37 vjeç nga Lipjani. Kosova për 16 vite me radhë deri në muajin tetor të këtij viti nuk ka pasur asnjë rast të vdekjeve nga fruthi.

Exit mobile version