Të martën e 17 janarit Përparim Rama dha urdhër për ndalimin e punimeve të një mbindërtimi në lagjen e Bregut të Diellit në Prishtinë.
Këto punime u ndalën pasi konsiderohen si të paligjshme nga Rama, shkruan Insajderi.
Përmes një njoftimi publik, Rama kishte paralajmëruar edhe dënim të pa falshëm.
“Sot, pas raportimit nga disa banorë të shqetësuar, për një mbindërtim në lagjen Bregu i Diellit, menjëherë kemi ndërmarrë masat e nevojshme për të ndalur ndërtimin. Inspekcioni ka ndalur punimet e paligjshme, dhe ju siguroj se dënimet për këto raste do të jenë të pa falshme. Ndërtimet e tilla nuk do të lejohen në asnjë rrethanë”, thuhet në njoftimin e Ramës.
Por, mbindërtimi pa leje që u ndalua nga Rama është në pronësi të deputetes së Vetëvendosje, Albana Morina Xharra.
Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Insajderi vet deputetja Morina Xharra e cila ka mohuar të ketë vazhduar punimet duke thënë se ky mbindërtim ishte ndërprerë me vendimin që e kishte lëshuar ish-kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti.
Deputetja Morina Xharra nuk e përjashtoj mundësin se edhe në qeverisjen e kaluar ndalimi i punimeve të saj ishte bërë me vendim politik, sepse sipas saj ka pasur ndërtime të panumërta të jashtëligjshme në qeverisjen e Ahmetit
“Kur më janë ndërpre punimet, në pushtet ka qenë qeverisja e kaluar komunale. Atë kohë, siç edhe jeni dëshmitar ka pas ndërtime të panumërta të jashtëligjshme dhe shkelje flagrante të natyrave prej më të ndryshmeve të cilat janë lejuar. Unë personalisht kam raportuar shkelje lidhur me dëmtimin serioz të konstrukcionit mbajtës (prerje e pllakës së armuar meskatshe dhe themeleve të ndërtesës shumëbanesore) me çrast janë rrezikuar mbi 100 jetë njerëzish, por Inspektorati nuk ka reaguar. Jam detyruar rastin me e hap në polici dhe si përfundim, përkundër shkeljeve flagrante dhe rrezikimit të banorëve, Komuna e ka lejuar vazhdimin e punimeve. Andaj për atë periudhë kohore nuk e përjashtoj mundësinë se ka pas vendim politik”, ka thënë Morina Xharra për Insajderin.
Tutje, deputetja ka treguar se ditën kur Rama kishte dhënë urdhër për ndalim të mbindërtimi nuk ka pasur punime fare në objektin e saj.
“Ditën e hënë (17/01/2022), nuk ka pas ndërtim andaj informata se ka pas ndalje të ndërtimit pa leje, nuk qëndron. Këtë mundeni më s’miri me e konfirmu duke kërkuar nga Inspektorati fotografitë e punishtes të datës 26/02/2021 dhe ato të datës 18/01/2022 të realizuara nga inspektorët. Aty shifet kjartë se nuk ka as më të voglin ndryshim”, ka thënë më tej Morina Xharra.
Që nga vendimi për ndalimin e punimeve të lëshuar me 26 shkurtit të vitit të kaluar nga ish- kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, deputetja e VV-së thotë se kishte respektuar të gjitha procedurat.
“Prej kohës kur është dhënë urdhëri për ndalim të punimeve dhe ushtrimit të kërkesës për plotësim/ndryshim të lejes (26/02/2021), unë kam respektuar të gjitha procedurat dhe rekomandimet”, tha me tej deputetja për Insajderin.
E sa i përket dënimit të pafalshëm që kishte paralajmëruar Rama, Morina Xharra i tha Insajderit se nuk ka marrë asnjë dënim pasi nuk kishte bërë asnjë shkelje.
“Siç e ceka më lartë, unë nuk kam qenë duke ndërtuar dhe rrjedhimisht nuk ka pas as ndales të ndërtimit dhe as shkelje nga ana e ime. Si rrjedhoj, nuk ka as dënim”, tha Morina Xharra per Insajderin./GazetaInsajderi/