Njëra nga mbledhjet kryesore të lëvizjes ilegale ishte mbajtur me datë 24 mars 1993 në Kollare të Kërçovës. Detaje publike të mbledhjes ishin dhënë edhe nga Bedri Islami – ish kreu i LPK-së por edhe nga Blendi Fevziu në librin e tij të fundit.
Thaçi u nis atje – një ditë më herët bashkë me Nuri Bexhetin me dokumente fals, nga Prishtina në Jazhincë.
Mbledhja filloi me datë 24 mars 1993 dhe Thaçi e kujton kështu:
“Mbledhja filloi me diskutime pa koncept, me fjalime të thata. Pak para përfundimit të mbledhjes edhe unë do ta marr fjalën. Qëndrimi im ka qenë i qartë dhe shumë i prerë “ose duhet vazhduar lufta e armatosur, ose LPRK-ja duhet të shpërbëhet. Kështu si është duke funksionuar është e pakuptueshme dhe e dëmshme. Siç po pretendohet për t’u vazhduar, unë dhe shokët e mi nuk do të vazhdojmë të jemi pjesë e LPRK-së“.
Më tutje ai tregon se “Shumica e delegatëve e përkrahën mendimin tim, kurse disa çuditeshin me qëndrimin tim krejt ndryshe nga ai i përfaqësuesve të Degës jashtë vendit, të cilët shpeshherë paraqiteshin si padronë të organizatës. U bë një pauzë për ta pirë nga një cigare dhe për ta gjetur njëfarëlloj kompromisi. Ali Ahmeti përpiqej që përmes Azem Sylës të ndikonte që unë të tërhiqesha nga qëndrimet e mia. Në fund Azem Syla dhe Ahmet Haxhiu më thanë “Ke të drejtë, nëse mund të qëndrosh, vazhdo!”. Ky ishte moment i kthesës për organizimin e LPRK-së...”
Bedri Islami ish kreu i LPK-së kishte treguar se Ali Ahmeti e kishte mbështetë fuqishëm Hashim Thaçin, por nga libri i Blendi Fevziut dhe citimet e lartpërmendura del se atë kohë ka pasur mosmarrëveshje rreth organizimit.