Më shumë pozita, se sa aplikues në Universitetin “Kadri Zeka”, në konkursin për pranimin e studentëve të rinj
Universiteti “Kadri Zeka”, më 9 korrik 2018 ka shpallur Konkursin për për pranimin e studentëve të rinj në vitin e parë të studimeve themelore baçelor, në vitin akademik 2018-2019. Afati për aplikim ka përfunduar me 17 korrik 2018.
Në komunikatën e lëshuar më herët nga Universiteti “Kadri Zeka”, thuhet se ka konkurrencë të lartë dhe fluks të madh për aplikim në këtë institucion universitar.
Pavarësisht kësaj, Universiteti “Kadri Zeka”, nuk i ka publikuar shifrat e maturantëve të cilët kanë aplikuar në këtë Universitet.
Redaksia jonë, gjatë hulumtimit ka zbuluar se ka më shumë pozita se sa aplikues. Numri për pozitat e shpallura është 1218, ndërsa numri i maturantëve të cilët kanë aplikuar është 1161.
Shifrat e sakta janë nxjerr nga redaksia jonë, pikërisht sot kur në webfaqen zyrtare të Universitetit “Kadri Zeka”, janë publikuar emrat e maturantëve të cilët do t’i nënshtrohen provimit pranues, me datë 20 korrik 2018. https://www.uni-gjilan.net/lajmet/lista-e-kandidateve-sipas-sallave-dhe-ores-per-provim-pranues-per-pranimin-e-studenteve-te-rinje-ne-universitetin-kadri-zeka-per-vitin-akademik-20182019/
Siç shihet edhe në webfaqen zyrtare të Universitetit, në drejtimin Juridik janë shpallur gjithsej 292 pozita. Numri i aplikuesve është 181.
Në drejtimin Menaxhment dhe Informatikë, janë shpallur 235 pozita. Kanë aplikuar vetëm 65 maturantë. Shifër mjaft e ulët e aplikuesve.
Në drejtimin Banka, Financa dhe Kontabilitet janë shpallur 235 pozita për aplikim. Gjithsej kanë aplikuar vetëm 56.
Në drejtimin Marketing, janë shpallur 120 pozita. Kanë aplikuar vetëm 44.
Në drejtimin e Shkencave Kompjuterike janë shpallur 93 pozita, ndërsa kanë aplikuar 153 maturantë.
Numër më të madh të aplikuesve ka pasur në drejtimin Fillor dhe Parashkollor. Numri i pozitave të shpallura në këto drejtime ishte; 144 për Drejtimin Fillor dhe 99 për Drejtimin Parashkollor. Gjithsej kanë aplikuar 447 në drejtimin Fillor dhe 215 në drejtimin Parashkollor.
Universiteti “Kadri Zeka” në dy artikuj në webfaqen e saj, ka potencuar se ka fluks dhe interesim të madh, por që këta dy artikuj tani janë larguar nga webfaqja e Universitetit. Gjithashtu, edhe numri i përgjithshëm i aplikuesve nuk është publikuar në faqen zyrtare. /epilogu/