Saga e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj po vazhdon.
Media sllovene Prava ka publikuar të dhëna të fundit për transaksionet të dyshimta dhe aty zbulohet se bohet fjalë për qindra miliona euro nga GENI në kompani të ndryshme.
Prava shkruan se kanë siguruar qasje në atë që ata i referohen si “kontabiliteti kreativ akrobatik të diskutueshëm të shitësit më të madh të energjisë elektrike GEN-I”.
“Ne pa dashje u vumë në dijeni për transaksionet e GEN-I në filialet e huaja në Sarajevë (BiH), Tiranë (Shqipëri) dhe Beograd (Serbi)”, shkruan mediumi.
“Kemi vënë re se në vitet 2015-2021 kanë transferuar gati 100 milionë euro në tre filialet e tyre të huaja. Nga këto, 60 milionë euro janë transferuar në Bosnje dhe Hercegovinë për të paguar për zbatimin e operacionit bankar financimi i faturave. Në Shqipëri, me shumë gjasa e kanë mbuluar humbjen e filialit shqiptar me një operacion të dyfishtë financiar të kryer në vitin 2021”.
“Për këtë kanë shpenzuar 14 milionë euro! Më në fund, vijmë në GEN-I Beograd”.
Në vitin 2019 dhe 2020 GEN-I ka kryer disa transferta në vlerë prej disa milionë eurosh për qëllime të funksionimit të bankës së financimit të faturave në degën e saj në Beograd, thuhet në këtë shkrim të mediumit slloven.
Mediumi bën ndërlidhjen mes dërgesave të parave nga GEN-I në Slloveni për tek filialet në Beograd dhe më pas pagesat nga Beogardi direkt për në kompaninë e Martin Berishajt MB Consulting.
“Është veçanërisht e rëndësishme të shikoni datat. Siç e keni vënë re në të dhënat e mësipërme, të gjitha transaksionet nga GEN-I slloven në filialin serb në Beograd kanë ardhur në vitin 2019. Nga janari 2019 deri në shtator 2020, Martin Berishaj ka bërë disa tërheqje cash në shumën prej 600 mijë eurosh nga llogaria e kompania e tij malazeze MB Consulting”.
“Gjatë kësaj periudhe, kompania sllovene GEN-I ka transferuar 4 milionë e 183 mijë e 834 euro përmes transaksioneve me derivateve financiarë nën etiketën financim ‘Fatura’ nga janari deri në dhjetor 2019. Ka shumë të ngjarë që një pjesë e parave të tërhequra të Martin Berishaj të ketë ardhur përmes remitancave sllovene gjatë kësaj periudhe”.
Mediumi Prava ka bërë edhe një ndërlidhje mes transaksioneve të GEN-I dhe fushatës së Lëvizjes Vetëvendosje, por vetëm në rrafsh supozimi dhe pa ndonjë informacion konkret.
“Ka pasur disa sugjerime dhe informacione se paratë janë transferuar nga njëra nga filialet e GEN-I jashtë vendit për fushatën zgjedhore të kryeministrit aktual të Kosovës, Albin Kurti, dhe se një pjesë e parave i ka shkuar një organizatë jo qeveritare”, thuhet në tekstin e Prava.
Historia e skandalit dhe reagimet në Kosovë
Media sllovene TV Planet raportoi se një kompani energjetike ballkanike GEN-I, dega në Serbi, i transferonte para kompanisë MB Consulting, pronar i së cilës është Martin Berishaj. Ky i tërhiqte paratë nga xhirollogaritë dhe në kesh ia dorëzonte Golob-it.
Berishaj ishte deklarua vetëm në Facebook atëherë. Pati mohuar se kishte të bënte me shpëlarje parash, por nuk mohoi se është pronar i kompanisë malazeze dhe gjithashtu nuk mohoi pagesat nga kompania e energjisë elektrike GEN-I, dega në Serbi.
“Pavarësisht nga fushata parazgjedhore në Slloveni dhe ballafaqimi i fundit i mbrëmshëm në mes akterëve kryesorë politik, i z. Jansha dhe z. Golob, ku u mohua shkrimi i Planet TV lidhur me emrin tim, nga sot, padia ime kundër portalit në fjalë, hap rrugë për fjalën e fundit gjykatës”, tha Berishaj në Facebook.
Në të kaluarën, para se të futej në politikë, Golob ishte drejtor i kompanisë së njëjtë në Slloveni.
GEN-I është kompania më e madhe në Ballkan për energji elektrike. Ka dyshime që është e përfshirë me elektro-mafian serbe.
Albanian Post më vonë kishte kuptuar se ekzistojnë edhe dy kompani në Kosovë që pronarë kanë Martin Berishajn. Bëhet fjalë për kompanitë “Myloja L.L.C.” dhe “Zaslon Kosova L.L.C”.
Berishaj në këto kompani kishte partnerë sllovenë, edhe ata të dyshuar për dallavere në të kaluarën në Slloveni.
Presidentja e Kosovës një herë, e pyetur nga gazetarët tha se i “besojmë ambasadorit tonë” në pafajësinë e tij.
Më vonë, presidenca lëshoi një komunikatë zyrtare, ku thuhej se e kanë thirrur ambasadorin të vijë në Kosovë dhe të raportojë për këtë rast.
Qysh nga atëherë nuk u kuptua nëse Berishaj kishte ardhur për të raportuar para presidentes, apo jo.
Albanian Post pati realizuar edhe një intervistë me gazetarin slloven, Primoz Cirman. Ai tha se skandalin e fabrikoi Janez Jansha (kryeministri aktual i Sllovenisë), ndërsa Berishaj ishte miku i tij, por atë e sakrifikuan duke e bërë pjesë të skandalit që të përfitonin për vete.
Cirman pohoi se “sipas burimeve tona, baza e këtyre informacioneve është se zotëri Berishaj ishte ndërmjetës për kompaninë GEN-i për tregti në Kosovë dhe Shqipëri. Ishte një ndërmjetës lokal edhe ishte paguar me një shumë, apo komision, varësisht nga sasia që kishte shitur kompania. Pse e përmend këtë kompani tani, sepse kjo kompani udhëhiqej nga Golob që tash është kandidat për kryeministër dhe tani është duke udhëhequr sipas sondazheve dhe duket se ka shanse të mëdha të formojë një koalicion qeveritar dhe Golob të bëhet kryeministër. Ky pra është konteksti”.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, kishte publikuar në llogarinë e tij në Facebook një status, ku thoshte se “duhet të jemi të kujdesshëm ndaj pretendimeve që përveçse janë mohuar nga ambasadori po bëhen në kuadër të një gare elektorale në një vend tjetër”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ai mendon njëjtë siç e ka dhënë komentin zëdhënësi i Qeverisë dhe nuk u përgjigj në pyetjen se “a duhet të shkarkohet Berishaj?”.
Portali inFokus publikoi më pas një shkrim, ku tregohej se si Kompania GEN-I me zyrë në Beograd, me të cilën u përfshi emri i ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka marrë miliona euro nga buxheti i shtetit, pikërisht në kohën e kolapsit energjetik.
Partia Demokratike e Kosovës doli me një deklaratë për media ku thanë se kanë ditur diçka rreth këtij skandali, por nuk e besonin se kishte zyrtarë të lartë të Kosovës kaq thellë të përfshirë.
Thanë se kjo është arsyeja përse Lëvizja Vetëvendosje nuk po lejon themelimin e një komisioni që do zbulonte çfarë ka ndodhur me subvencionet e Qeverisë për blerjen e rrymës në kohën e krizës.
Më vonë, komisioni u themelua. Berishaj pas një shtyrje, erdhi në raportim, por gjë s’u morë vesh.
Anëtarët e komisionit e pyeten për shumicën e dyshimeve, por shumica e përgjigjeve veçse ngitnin dyshime të reja.
Si përfundim, Berishaj përfundoi mbledhjen dhe u besua se gjithçka rreth këtij rasti mori fund, derisa ri-filluan lajmet në Slloveni, se po hetohet edhe vetë kryeministri slloven, lërmë Berishaj. /Albanianpost.com