Epilogu

Mehmetaj: Më pak se 1% keni marrë pjesë aktive në luftë o tucana, Kurti e ka refuzuar armën

Shkruan: Lirim Mehmetaj

Nëse flet kundër Qeverisë je kundër Kosovës është shablloni i fundit i dizajnuar nga hajdutët e pushtetit që derisa zhvillohet betejë në Veri, ata kurdisini konkurse punësim të militantëve e emërojnë familjarë në poste publike.

Qeveria e ambasadorit që paguhet zyrtarisht nga një kompani në Serbi, qeveria që shefen e grupit parlamentar e ka në koordinim me Milan Radojiçiç-in, Qeveria që presidente e ka avokuesen e Gjykatës Speciale, Qeveria që lejon produkte ruse në Kosovë, paguan anëtarët e organizatave terroriste nga buxheti i shtetit dhe qeveria që ka rritur importin me Serbinë, futur nën sanksione ndërkombëtare shtetin dhe qeveria që ministri i saj i krahason ushtarët e lirisë me mercenarë e veteranët i lë jashtë pagës minimale ia ka dhënë vetës të drejtën për të quajtur dikë i paguar nga Serbia.

Njeriu që iu tha shqiptarëve në kohë lufte se zgjidhja është përmes rezistencës paqësore dhe s’do kapë kurrë armë për vete, që kërkesën për të luftuar bashkë me UÇK-në e refuzoi duke pritur në banesë për t’u arrestuar, personi që derisa kishte luftë mohonte luftën e kur përfundoi lufta akuzonte përse u ndal ajo, na qenka shndërruar në simbolin e patriotizmit.

Njeriu që veç pak ditë para se të shpallej pavarësia e Kosovës u thoshte shqiptarëve revoltohuni se pavarësia në paketë nuk vjen e kur erdhi tha se pavarësia është hap prapa, njeriu që nuk votoi marrëveshjen e vetme kontraktuale që Kosova ka me Bashkimin Evropian e pamundësoi liberalizimin e vizave qysh në vitin 2016 duke trazuar me sulme të dhunshme në Parlamentin e Kosovës e jashtë tij, qenka shëmbëlltyra e unitetit kombëtar.

Albin Kurti i paaftë të krijojë vetë momente, ai gjahton te lavdia e të tjerëve.

Së pari refuzoi pjesëmarrjen aktive në luftë dhe më pas u përvodh duke u thirrur në emër të saj, tash po do t’ua marrë lavdinë policëve dhe përmes servilëve papagaj ta prezantojë suksesin e profesionalizimit operaconal të policisë si lëvizje e tij strategjike.

Këtë banalitet dëshirojnë të na e shesin dhe më pas po ua nxore mashtrimin në sipërfaqe provojnë përmes materialeve “Deepfake” ta prezantojnë çdo person kritikë si kundërshtarë të shtetit.

Ka qenë kohë kur është kërkuar rreshtimi pro, apo kundër Serbisë.

Ju kemi parë të gjithëve si rreshtoheni.

Më pak se 1% keni marrë pjesë aktive në luftë o tucana.

P.S
Për ilustrim:

Në mars të viti 1998 kishte ndodhur ngjarja e Jasharajve, Kurti tre muaj pas këtij rasti, në qershor, po provonte të zgjidhte situatën me lëvizjen e tij paqësore.

Në librin e autorit Howard Clark me titull “Civil Resistance in Kosovo (Rezistenca Civile në Kosovë)” thuhet “edhe në qershorin e vitit 1998, Albin Kurti po provonte të organizonte një punëtori: ‘Lëvizja Paqësore aktive si një Alternativë ndaj përpjekjes së armatosur’”.

Organizimi i Kurtit për lëvizjen paqësore si alternativë kundrejt rezistencës së armatosur pritej të mbahej në gusht, por do të anulohej në korrik, sepse, Clark e thotë në libër që “problemi ishte se dinamika fuqizuese e krijuar nga demonstratat e vjeshtës së 1997 nga studentët, ishte zëvendësuar/tejkaluar nga entuziazmi dhe më pas paniku i ‘ardhjes’ publike të UÇK-së dhe masakrave të Drenicës”.

Exit mobile version