Merovci publikon fletarrestin serb për Thaçin: “Pjesëmarrës në disa sulme ndaj milicisë serbe”
Njëri nga bashkëpunëtorët më të afërt të Presidentit Rugova z. Adnan Merovci, para disa vitesh kishte treguar në një emision se si lideri i delegacionit kosovar në Rambuje z. Hashim Thaçi ia kishte lëshuar në duar dy bomba dore. Për shumëkë ishte ëndërr, por realiteti ishte ai i treguar nga Adnan Merovci, sepse kishte edhe dëshmitarë në aeroplanin ushtarak.
Më detajisht, Adnan Merovci këtë ngjarje e ka treguar në librin / ditarin e tij “Kështjella e mos (marrëveshjes)”, ku ndër të tjerash ka prezantuar edhe aeroplanin ushtarak ku kishte ndodhur ngjarja.
Ja rrëfimi i tij i plotë:
Siç edhe ndodh në raste të tilla, kur fluturimet janë me destinim të caktuar dhe fluturohet me aeroplan ushtarak, udhëtarët nuk kontrollohen fare, as nga policia e as nga dogana siç ndodh në udhëtimet tjera. Shërbimet serbe (policia dhe dogana) qëndronin në vendet e tyre duke vëzhguar kalimet tona dhe pothuajse fare nuk merreshin me ne.
Pas disa orësh fluturim, aeroplani aterroi në Aeroportin ushtarak të Klagenfurtit (Austri) për t’u furnizuar me karburant.
Në hollin e aeroportit ushtarak të Klagenfurtit, i cili nuk ka njerëz e as personel tjetër, dolëm që të gjithë dhe shfrytëzuam rastin të pimë kafe. Derisa po rrija me Rugovën dhe Aganin m’u afrua Thaçi. Me humor i thashë: “Je ba shumë paqësor! E lëshove frontin e luftës, e u bane ma paqësor se Rugova dhe Agani!”. Ky ishte një humor që e bëja pothuajse me secilin nga UÇK-ja, me qëllim të relaksimit të raporteve në mes të UÇK-së dhe LDK-së. Pa një, pa dy, Thaçi i futi duart në xhepat e xhaketës së tij ngjyrë të kaltër, të mbyllët, dhe nxori dy granata dore, që në ushtrinë e APJ-së (Armata Popullore e Jugosllavisë), njiheshin si Kashikarka, dhe m’i lëshoi në dorë. Mbeta pa fjalë dhe i hutuar me dy granata dore në duar. Kërkoja Thaçin, i cili ma kishte kthyer shpinën dhe më injoronte, duke e ditur se me këtë më shkaktoi telashe. Iu afrova dhe ia ktheva granatat që m’i lëshoi në dorë pa ia kërkuar. Në kokë m’u zbërthye një justifikim nga ekzistimi i një fletëarrestimi që kishte Thaçi nga Serbia.
M’u kujtua koha e Isa Boletinit në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, kur kishte shkuar dyfish i armatosur.
Lexuesi mund të pyes: Si është e mundshme që në avion dhe në aeroporte të qarkullohet me granata dore? Ku i ka mbajtur këto granata dore gjatë Konferencës në Paris? Çka i duheshin Thaçit granatat e dorës në një udhëtim të garantuar nga ndërkombëtarët?
E para, Thaçi, nga vendnisja, në Kosovë, ka qenë me transport të garantuar me vetura të OSBE-së. Hyrja dhe dalja në avion ushtarak nuk kontrollohet nga shërbimet civile (policia dhe dogana).
E dyta, kësaj radhe vendosja në Paris është bërë në hotel dhe nuk ka pasur kontrollime të sigurisë, kështu që këto granata nuk kanë mundur të jenë në lokalet e hotelit ose gjetiu, për ç’gjë nuk jam interesuar më.
E treta, Thaçi kishte një fletarrest nga Serbia dhe ndoshta nuk do që të dorëzohet nëse ka tendenca për ta arrestuar në Aeroportin e Prishtinës.