Adnan Merovci, ish -truproja i ish- presidentit Ibrahim Rugova kishte promovuar më 18 mars 2019, në Kino ‘Armata’ në Prishtinë librin “Kështjella e (mos)Marrëveshjes”.
Në librin, respektivisht ditarin e tij për Rambujenë, ai ka folur edhe për rolin e akademik Rexhep Qosjes në Rambuje.
“… nëse i kthehemi tani pjesëmarrjes së Qosjes në Rambuje dhe vlerësimit pozitiv të emrit të tij në Kështjellë, pak ka rëndësi si erdhi në Konferencën e Rambujesë. Nëse e vrasim mendjen dhe supozojmë mungesën e tij në Konferencë, mendoj se nuk do të kishte zëvendësim. Ai më shumë ishte UÇK se sa LBD në Rambuje. Në momentet kritike Qosja nxori kokën dhe me autoritet të pakontestueshëm e qortoi Thaçin nevojshëm disa herë. Në disa raste Rugova e Qosja, si dy pëllumba, shushuritnin në mes vete, duke e “tradhtuar” antagonizmin ekzistues në mes veti. Asnjëri në Rambuje nuk është pajtuar në heshtje, sikur Qosja me Rugovën, madje jo vetëm në një rast. Qosja ishte jastëku i vulës që i duhej Konferencës së Rambujesë“, shtoi Adnan Merovci në Ditarin e tij.