Epilogu

Mësoni prapaskenat: Konfirmohet artikulli i Epilogut, zgjedhen Dekanët e katër fakulteteve në UKZ

Këtë javë në Universitetin “Kadri Zeka” janë zgjedhur edhe Dekanët e katër fakulteteve. Epilogu në hulumtimin e datës 23 prill 2019, me titullin “Të preferuarit e Bajram Kosumit për pozitat e dekanëve” kishte paralajmëruar emrat të cilët do të përzgjedhen për pozitat e dekanëve. http://www.epilogu.com/13505-2/

3 nga 4 emrat të cilët ne i kemi paralajmëruar kanë marrë dritën e gjelbër për t’i përfaqësuar fakultetet përkatëse. Këta pas pak ditësh do të votohen në Senat, por në këto raste Senati zakonisht ka rol formal.

Fillimisht, pozitën e Dekanit të Shkencave Kompjuterike e fitoi z. Xhevdet Thaqi i cili nga fillimi ishte i ledhatuari i Rektorit Kosumi. Burimet tona brenda Universitetit “Kadri Zeka”, tregojnë për faktin se z. Xhevdet Thaqi deri në fund ishte i vetëm në këtë garë dhe nuk kishte zëra për kundërkandidat tjetër. Duke pasur parasysh edhe faktin tjetër që z. Thaqi është totalisht lojal ndaj Rektorit Kosumi, e bëri të pa konkurrencë në këtë garë.

Në fakultetin e Edukimit, ashtu siq e kemi paralajmëruar edhe më herët, z. Merxhan Avdyli triumfoi pa kundërkandidat për pozitën e të parit të Edukimit. Garën seriozisht e kishte menduar edhe znj. Shpresë Qamili, e cila momentalisht është edhe Pro Rektore për Mësim, Kërkime Shkencore dhe Çështje të Studentëve. Pavarësisht se një pjesë e kolektivit të Edukimit i ka dhënë haptazi përkrahjen, në fund znj. Shpresë Qamili nuk i hyri garës së ballafaqimit me z. Merxhan Avdyli. Redaksia jonë e ka pyetur Sekretarin e Përgjithshëm z. Vaxhid Sadriu se a ka dhënë paraprakisht dorëheqje z. Merxhan Avdyli nga pozita e Këshillit Drejtues (Bordit) për t’i ikur Konflikit të Interesit, ky i fundit shprehet se “Profesor Merxhan Avdyli – nuk ka dhënë dorëheqje nga Këshilli Drejtues, për arsyese mandati i strukturave të dala nga zgjedhjet e reja që po mbahen fillon me 1 tetor 2019. Sipas Rregullores çdo kush mund të kandidohet për shumë mandate por nuk mund të ushtroj më shumë se një mandat. I përmenduri para se t`a filloj mandatin e ri mund të tërhiqet nga mandati të cilin e ka pasur”.

Merxhan Avdyli nga tani do të ketë edhe progres financiare, pasi që do të ushtrojë disa funksione si; Profesor i Rregullt në UKZ, Profesor i Angazhuar në UP, Dekan në Edukim, anëtar i Senatit, dhe në pikëpyetje është çështja e Bordit. Këto do të verifikohen kur ai do ta marrë zyrtarisht mandatin e Dekanit.

Merxhan Avdyli është miku më i afërt i Rektorit Kosumi dhe veprimet e interesit të përbashkët i ndërmarrin së bashku. Në hulumtimin e radhës do të tregojmë për komponimin dypolar të Bajramit e Merxhanit, aktivitetin dhe ndikimin e tyre, por edhe shtrirjen në institucione të pavarura.

Shpresë Qamili, ishte vendimtare në vitin 2015 në zgjedhjen e z. Bajram Kosumi për pozitën e Rektorit. Rektori Kosumi pavarësisht se i kishte avancuar në pozitat e pro rektorëve, këta të fundit më shumë kishin rol dekorativ e ceremonial, se sa ekzekutiv. Ata asnjëherë nuk arritën të depërtojnë tek dyshja e tek klika e vjetër e z. Kosumi, ku bëjnë pjesë edhe z. Merxhan Avdyli e disa të tjerë.

Garë interesante pritej të zhvillohej edhe në fakultetin e Ekonomikut. Deri në fund ishin dy kandidatë potencial, ku pritej një garë me një diferencë shumë të ngushtë. Xhevat Sopi e Naim Mustafa ishin kandidatët e përfolur deri në fund. Në fund, pas mospjesmarrjës së disa profesorëve në votim, të cilët mendohej se ishin në krahun e z. Naim Mustafa, ky i fundit u tërhoq nga gara. Pa kundërkandidat, z. Xhevat Sopi u zgjodh në pozitën e Dekanit të Ekonomikut. Ky i fundit, ashtu si edhe z. Xhevdet Thaqi e Merxhan Avdyli e kishin përkrahjen direkte edhe nga Rektori Bajram Kosumi.

Pavarësisht se z. Naim Mustafa është pro rektor për Buxhet dhe Financa i rektorit Kosumi, burimet tona brenda Universitetit “Kadri Zeka” tregojnë se këta të fundit momentalisht nuk qëndrojnë mirë mes vete dhe i kanë cakërruar raportet. Mësohet se përplasja dhe mos besimi i tyre e ka zanafillën nga zgjedhja e Këshillit Drejtues.

Në Fakultetin Juridik, pavarësisht se z. Dukagjin Leka ishte i përfolur për pozitën e Dekanit, ai në fund nuk i hyri kësaj gare. Disa javë më parë, gjatë mbledhjes së Këshillit të Fakultetit të Juridikut, mësohet se ka pasur tensione dhe debat mes palëve të caktuara. Nga fillimi e deri në fund z. Sadik Haxhiu ishte kandidat dhe burimet tona tregojnë se ai asnjëherë nuk e mendoi dorëzimin, pavarësisht se në kanalet interne mësohet se rektori Kosumi nuk ishte në favor të tij.

Dukagjin Leka shpreson se në rast të rizgjedhjes së z. Bajram Kosumi në pozitën e Rektorit, përsëri ai do të rizgjedhet në pozitën e Pro Rektorit për Marrëdhënie Ndërkombëtare.

Pra, rektori Kosumi ka filluar ta shpenzojë të gjithë arsenalin e tij për të kapur në të gjitha drejtimet Universitetin “Kadri Zeka”. Pavarësisht se dy nga tre pro rektorët nga një lojalitet i qindpërqind, tani intimisht në qarqe të caktuara kanë filluar të flasin jo mirë për rektorin Kosumi.

Burimet tona brenda Universitetit “Kadri Zeka”, të cilët edhe kanë qenë dëshmitarë në raste të caktuara, tregojnë për redaksinë tonë se Rektori Kosumi disa herë i ka injoruar dhe përbuzur pro rektorët e tij, duke i shtyrë të merren edhe me çështje eksluzivisht të karakterit teknik. Por këta të fundit kanë zgjedhur heshtjen si kundërpërgjigje.

Redaksia jonë përpos në Universitetin “Kadri Zeka”, që është duke e monitoruar prej së afërmi, ka filluar të hulumtojë edhe disa punësime dhe orkestrime edhe në Komunën e Gjilanit e në dikastere të tjera. Epilogu brenda një periudhe të shkurtër ka arritur të shndërrohet në dritare të informimit dhe hulumtimit, e krejtë kjo falë njerëzve e zyrtarëve të cilët i besojnë punës tonë dhe dërgojnë fakte, dokumente e informacione. /epilogu/

Exit mobile version