Sot Cybermetrics Lab, pjesë e Spanish National Research Council me seli në Madrid, azhurnoi listën e rangimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë në ueb faqen e tyre www.webometrics.info
Webometrics ka filluar të konsiderohet një nga ranglistat më të rëndësishme botërore sepse ndjek trendet e transformimit të arsimit të lartë me mbështetjen e teknologjisë së komunikimit e informimit. Rangimi sipas Webometrics merr për bazë njohjen e nivelit të mirë të punës shkencore të botuar, si dhe përmbajtjen dhe shpërndarjen e informacionit nga burimet elektronike nga institucionet përkatëse.
Redaksia jonë tani do t’i paraqes të dhënat e sakta, për të gjitha Universitetet Publike në Kosovë.
1. Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” vazhdon ta ruaj primatin në Kosovë. Në janar të vitit 2018, UP është ranguar në pozitën e 3320. Tani, në matjet e fundit që janë publikuar sot, UP ka avancuar në këtë drejtim. Sot renditet në pozitën e 3133 në ranglistën e Universiteteve botërore. Për 187 vende ka progres, në matjen Janar – Korrik.
2. Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti”, pavarësisht se ka rënie për dallim prej Janarit, mbetet Universiteti i dytë në Kosovë. Në Janar të vitit 2018, ishte rradhitur në pozitën e 13.430. Sot, në Korrik, Universiteti “Ukshin Hoti”, renditet në pozitën e 16.257. Dallimi mes Janarit dhe Korrikut është 2827 vende në regres.
3. Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini”, është renditur si Universiteti i tretë në Kosovë, sa i përket Universiteteve Publike. Në Janar është renditur në pozitën e 15.052, ndërsa tani në Korrik në pozitën e 18.018. Regresi dhe dallimi Janar – Korrik është 2966 pozita.
4. Universiteti i Pejës mbetet Universiteti i katërt. Në Janar ishte në pozitën e 18.469, ndërsa sot në Korrik në pozitën e 20.330! Dallimi është 1861 vende.
5. Në pozitën e pestë, respektivisht të parafundit është renditur Universiteti i Gjilanit “Kadri Zeka”. Në Janar të këtij viti, ishte renditur në pozitën e 20.306 në nivel global. Tani në matjet e Korrikut gjendet në pozitën e 21.069. Dallimi mes Janarit dhe Korrikut është 763 vende në regres.
6. Në pozitën e gjashtë, apo të fundit në Kosovë, gjendet Universiteti i Gjakovës “Fehmi Agani”. Në Janar ishte renditur në pozitën e 23.283. Tani në Korrik është renditur në pozitën e 23.311. Dallimi mbetet 28 vende në anën e regresit.
Siç shihet nga shifrat e publikuara, i vetmi Universitet i cili ka progres nga Janari deri në Korrik, mbetet ai i Prishtinës. /epilogu/