Mijëra të rinj kosovarë po përgatiten të emigrojnë në Gjermani, një shtet i Bashkimit Evropian i cili ka mungesë të punëtorëve shëndetësorë, kështu që Kosova mund të mbetet pa fuqi punëtore në disa sektorë.
Arbeni, një fizioterapist 26-vjeçar, ulet në rreshtin e fundit të një autobusi në drejtim të Ferizajt.
Ai e ka të instaluar në celularin e tij aplikacionin për mësimin e gjuhëve të huaja “Duolingo”, kështu që po mëson gjermanisht derisa po udhëton për në fshatin e tij të lindjes.
“Po mësoj gjermanisht sepse së shpejti do të shkoj në Shtutgart”, i thotë Arbeni mediumit kroat Hina.hr, transmeton Paparaci.
Ai nuk kishte qenë kurrë në Gjermani më parë, por sapo iu ofrua një punë në këtë profesion, nuk hezitoi. Gjermania dhe Zvicra kanë mungesë të punonjësve shëndetësorë, ndaj Arbenit do t’i ofrohet një kontratë pune dhe ai shpreson të qëndrojë atje përgjithmonë.
“Nuk do të kthehem kurrë”, thotë ai, raporton sot e përditshmja kroate Hina.
Arbeni është një nga më shumë se 50 mijë kosovarët që aktualisht janë duke pritur një vizë për në Gjermani.
Njëjtë, largimin nga Kosova po e mendon edhe një shtetas kosovar i nacionalitetit serb.
“Aq shumë gjak është derdhur dhe në fund askush nuk do të mbetet këtu”, thotë 37-vjeçari Miroslav, një serb nga Kosova.
“Të rinjtë kanë arsye për largim nga Kosova, sepse politikanët, për shkak të mungesës së ideve për zgjidhjen e problemeve ekonomike dhe ngritjen e standardeve, shfrytëzojnë hapësirën mediatike për të luftuar dhe për t’u kthyer tek e kaluara”, thotë ai.
Ai përmend “pagat e ulëta në sektorin privat, kushtet e këqija të punës, punën pa kontratë, refuzimin e pushimit vjetor dhe situatën e keqe të sigurisë politike” si arsye për largimin e të rinjve.
Prizreni është vetëm një nga vendet ku kanë ardhur donacione vitet e fundit, kështu që ujësjellësi i qytetit është financuar nga Gjermania dhe një kënd i lojërave për fëmijë nga Suedia.
Një ekonomist vendas, i cili ka punuar në projekte të financuara nga jashtë, ankohet se shumë të huaj përgjegjës për zbatimin e projekteve ishin të korruptuar.
“Ata morën shumë para për vete në vend që paratë të shpenzoheshin për atë që ishte menduar”, thotë ai.
Nga Prizreni, qyteti i dytë më i madh në Kosovë, autobusët nga ora 6 e mëngjesit i çojnë punëtorët në punë në kryeqytet, Prishtinë.
Aty ndodhet zyra e ministrit të Vetëqeverisjes Lokale, Elbert Krasniqi.
“Ne si qeveri sigurisht që po e vëzhgojmë situatën. Ne po i drejtojmë politikat drejt së ardhmes për të ofruar shërbime të mira për të rinjtë këtu”, thotë Krasniqi.
Ndërkaq, në faqen e saj, Ambasada Gjermane në Prishtinë u kërkon qytetarëve kosovarë që të mos vijnë në ambasadë pa një termin të rezervuar.
“Aktualisht kërkesa për termine i kalon kapacitetet e departamentit të vizave, ndaj periudha e pritjes për disa lloje vizash është e gjatë”, thuhet në të.
Ambasada nuk është përgjigj në pyetjet e gazetës kroate rreth numrit të aplikimeve për viza pune.