Milaim Zeka: Albulena Haxhiu nuk është as për me qitë pite, le ma për ministre
“Kurr nuk kam besu qe Albulena nuk ashte as per me qit pite, le ma ministre…!!!”, ka shkruar gazetari Milaim Zeka në profilin e tij në facebook, pas reagimit që Prokuroria Speciale ka bërë për Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun.
Prokuroria Speciale e Kosovës është shprehur e “shqetësuar” pas deklaratave që ministria e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka dhënë mbrëmë në një emision të ATV-së.
Ministrja Haxhiu në “Context” duke iu referuar aksionit në MINT për rezervat shtetërore e quajti “hakmarrje nga Prokuroria Speciale ndaj Qeverisë së Kosovës”.
“Ata shkuan si nëpër filma, të bëjnë skena, kishe po nxjerrim dosje” – tha ajo. “Filma t’lodht të Prokurorisë Speciale” – shtoi ministrja.
Deklaratat e ministres Haxhiu, Prokuroria i ka konsideruar paragjykuese, “të pamatura dhe të paverifikuara”. Prokuroria në reagimin e saj ka shtuar tutje se deklarimet e saj nuk kanë të bëjnë asgjë me realitetin dhe janë tërësisht tendencioze.
“..deklarimet e tilla burojnë dhe artikulohen nga pasaktësitë maksimale, nuk kanë të bëjnë asgjë me realitetin dhe janë tërësisht tendencioze ndaj kësaj prokurorie, sepse të thuash se PSRK-ja kontrollon dhe mbikëqyrë vendimet e krejt sistemit prokurorial kinse për verifikimin dhe shkeljen e mundshme të ndonjë ligji, vërtet është një nonsens i llojit të veçantë publik, i padëgjuar dhe krejtësisht imagjinar, gjë që na bënë të vijmë në përfundim se deklaratat e tilla ngritën dhe shuhen në kuadër të spekulimeve, sepse servohen vetëm për nevoja të agjendave ditore politike” – thuhet në këtë reagim të Prokuroisë Speciale.
Prokuroria ka bërë me dije se kompetencat e këtij institucioni “nuk hartohen dhe nuk zbatohen me paragjykime, e as nuk realizohen në bazë të vullnetit të dikujt jashtë sistemit prokurorial”.
“Veprimtaria e prokurorisë përbëjnë ligjshmëri, legjitimitet dhe profesionalizëm duke respektuar standardet e funksionimit demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës” – thuhet tutje në reagim.
Përmes reagimit, prokuroria speciale njëkohësisht i ka bërë thirrje ministres Haxhiu që të fillojë të përmbahet nga “deklaratat shantazhuese dhe nënçmuese ndaj prokurorisë speciale dhe ndaj punës së Kryeprokurorit dhe prokurorëve”.
Ngase, sipas prokurorisë, kjo përbën tendencë të hapur për të ndikuar në punë, dhe në kompetencat dhe veprimtarinë legjitime.
Gjithashtu, Prokuroria kërkon nga ministrja të lë “anash deklaratat dhe presionet aventureske”.
Prokuroria Speciale e ka përmbyllur reagimin duke thënë se “puna e tyre do të jetë jashtë agjendave të politikës ditore, ngase sipas tyre vlerësimi i punës së prokurorëve dhe prokuroive nuk varen nga vullneti i individëve dhe subjekteve të caktuara”.
Tre të dyshuarit, dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara bashkë me afaristin Ridvan Muharremi janë arrestuar më 18 gusht nën dyshimin për veprat “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, si dhe “Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare’’.
Në mëngjesin e 18 gushtit, me urdhër të Prokurorisë Speciale janë kryer arrestimet dhe bastisjet për disa orë në zyret e MINT dhe pronat e Ridvan Muharremit.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se gjatë bastisjes janë siguruar dhe sekuestruar prova materiale të cilat do të përdoren për procedurë të mëtutjeshme hetimore.