fbpx
Lajme

Milo: Shqipëria dhe UÇK, prapaskena të historisë. Qëndrimi i Ramiz Alisë dhe mandej i Berishës ndaj luftëtarëve kosovarë (dhe një takim i fshehtë)

Ish- ministri i Jashtëm i Shqipërisë: UÇK në axhendën diplomatike të Shqipërisë në pranverë-verë 1998. Qëndrimi i Ramiz Alisë dhe mandej i qeverisë së Berishës ndaj luftëtarëve kosovarë dhe roli i Ibrahim Rugovës. Cilët ishin mbështetësit dhe cilët sabotatorët e luftës për çlirimin e Kosovës. Takimi i fshehtë i ministrit të Jashtëm të Shqipërisë me përfaqësuesit e UÇK-së në Mynih në shkurt 1998

Nga Paskal Milo 

Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) si faktor ushtarak e politik ka historinë e saj për të cilën është folur e shkruar shumë. Ajo ka zhvilluar edhe diplomacinë e saj, në fillim në kushtet e ilegalitetit nëpër Evropë por duke filluar nga pranvera e vonë e vitit 1998 edhe kontaktet e para publike përmes përfaqësuesve të saj në vënde të ndryshme por edhe në Kosovë.

Për t’i dalë përpara çdo keqkuptimi, termi diplomaci i përdorur në këtë rast ka karakter relativ dhe nënkupton kontakte me përfaqësues të vendeve e qeverive të ndryshme, jo zyrtare, informuese dhe sensibilizuese për gjëndjen në Kosovë, për lirinë e të drejtat e shqiptarëve aty. Kjo është faza e parë e diplomacisë së UÇK. Faza e dytë e saj fillon pas maj-qershorit 1998 kur me iniciativën amerikane fillojnë kontaktet e para për të tërhequr UÇK në procesin e një negociate politike ndërshqiptare në Kosovë për të krijuar një grup të përbashkët negociator për të filluar bisedimet me Beogradin. Kjo fazë ka zgjatur deri në janar 1999.

Faza e tretë e kësaj diplomacie, më e strukturuar dhe e organizuar, më intensive dhe me një platformë të qartë negociuese ishte Konferenca e Rambujesë dhe vijimi i saj në Paris në shkurt – mars 1999  dhe që shënoi një pikë sa kulmore aq edhe kthese në fatin e Kosovës e në luftën e UÇK-së për liri e pavarësi të saj. Faza e katërt u zhvillua në kushtet e luftës, mars – qershor 1999. Ajo u zbatua e tëra jashtë Kosovës, në Evropë e SHBA, me qeveri e në institucione, konferenca e organizata ndërkombëtare. Ishte një kohë e paharrueshme e një shkollë e madhe për udhëheqësit e UÇK-së e për përfaqësuesit e saj që u përgatitën për të nesërmen e çlirimit, për drejtimin e vendit e për marrëdhëniet me jashtë të tij.

Qasja e diplomacisë së UÇK-së ishte revolucionare si vetë lufta e saj, shpesh edhe naive dhe e ndrojtur nga mungesa e përvojës por edhe të kulturës së saj. Në Kosovë kishte edhe një diplomaci tjetër, ajo e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e presidentit Ibrahim Rugova dhe e qeverisë së tij në emigracion. Ndonëse patën të njëjtin objektiv strategjik, pavarësinë e Kosovës, metoda e tyre diplomatike e veprimit ishte e ndryshme. LDK e kërkonte pavarësinë përmes metodës tradicionale pacifiste, përmes sensibilizimit të qeverive, organizmave ndërkombëtare dhe konferencave javore të shtypit në Prishtinë. LDK kishte njerëz më me përvojë, më shumë lidhje me kancelaritë evropiane dhe amerikane, instrumente e mjete financiare.

UÇK në fillim ishte e izoluar e nuk pranohej si aktor në bisedime, por ajo iu imponua tavolinave dhe kancelarive të diplomacisë ndërkombëtare. Jo me diplomatë të përgatitur dhe as me taktika diplomatike të stërholluara, por me diplomacinë e luftës në terren, në Drenicë e Dukagjin, në Llap, në Shalë e kudo tjetër që vepronin njësitë e armatosura të saj. Kjo metodë bëri që ajo të ftohej e të dëgjohej në tavolinat diplomatike edhe atje ku më parë nuk dëshironin dhe nga qeveri e njerëz që nuk e pëlqenin.

Çfarë thashë deri tani është një temë e një studim krahasues më vete, që do të mund të trajtohej më gjërë në një rast tjetër. Po kështu koha nuk na lejon që të marrim në analizë të katër fazat e diplomacisë të UÇK, por do të përqëndrohemi vetëm në fazën e parë të saj, në pranverë të vitit 1998.Dhe këtu nuk do të flasim për embrionet e diplomacisë së UÇK, por për përfaqësimin në një mënyrë ose një tjetër të saj nga diplomacia e shtetit shqiptar që u bë natyrshëm zëdhënës i saj përsa e lejuan koha e rrethanat.

UÇK nuk doli as brenda një muaji dhe as brenda një viti si një strukturë e mirorganizuar ushtarake dhe me një hierarki të zgjedhur qendrore. Ndaj edhe shfaqja e saj si një faktor ushtarak në Kosovë erdhi në rritje nga disa aksione lokale të shpërndara e të kryera nga grupe atdhetare kundër njësive policore dhe ushtarake serbe deri në krijimin e shtabit të përgjithshëm të saj. Këto aksione nuk tërhoqën vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar, madje nuk u bënë të njohura aq shumë edhe në Shqipëri, ndonëse edhe dëshmorët e parë të UÇK si Zahir Pajaziti, Luan Haradinaj, Ardian Krasniqi e të tjerë hynin e dilnin në vënd, qëndronin në Tiranë, në Tropojë, Kukës e Has.

Shteti shqiptar në kohë e në mënyra të ndryshme ka qënë strehë e mbështetje për luftëtarët shqiptarë kundër sundimit serb në Kosovë. Pa u zhytur thellë në histori, disa nga udhëheqësit e ardhshëm të UÇK-së e të strukturave aktuale të shtetit të pavarur të Kosovës që në vitet 80-të të shekullit të kaluar kanë qënë në kontakt me përfaqësitë diplomatike shqiptare nëpër Evropë, por edhe me organe të specializuara të shtetit shqiptar, janë udhëzuar e kanë marrë mbështetje.Në fund të vitit 1990, udhëheqësi komunist Ramiz Alia ka pritur dhe ka biseduar me drejtuesit e Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), Fazlli Veliu, Xhavit Haliti, Emrush Xhemajli, etj, ndërsa në 24 shkurt 1991 edhe kryetarin e LDK, Ibrahim Rugova.

Fillimi i shpërbërjes së Jugosllavisë i shtoi kontaktet ndërshqiptare mes dy anëve të kufirit dhe shumë shqiptarë nga Kosova , veçanërisht të rinj erdhën në Shqipëri. Në gusht 1991, presidenti i Shqipërisë, Ramiz Alia priti një grup deputetësh të Kuvendit të Kosovës. Në dokumentin arkivor që reflekton këtë vizitë është shënuar një deklaratë e tyre se “po përpiqemi të tregohemi të matur në këtë situatë shumë të vështirë të krijuar, por jemi të përgatitur që dhunës do i përgjigjemi me dhunë”.

Politika zyrtare njohu Republikën e Kosovës, presidentin e saj Ibrahim Rugova dhe qeverinë në emigracion të Bujar Bukoshit. Po në këtë kohë,  tetor – nëntor 1991, me urdhër të Ramiz Alisë, Ministria e Mbrojtjes dhe Komanda e Akademisë Ushtarake filluan stërvitjen luftarake të dy grupeve shqiptarësh nga Kosova në Surrel, njëri prej të cilëve kishte në krye Adem Jasharin dhe tjetri Zahir Pajazitin. Pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike në prill 1992 e deri në vitin 1996 marrëdhëniet e LDK me Tiranën u intensifikuan dhe në protokollin e shtetit shqiptar, presidenti i Kosovës dhe qeveria Bukoshi kishin një vend kryesor. Atyre iu ofruan mbështetje dhe ministria e mbrojtjes e qeverisë së Kosovës zyrat qëndrore të saj i kishte në Tiranë. Po kështu edhe forcat e armatosura të Republikës së Kosovës krijuan në Shqipëri baza logjistike e stërvitore.

Gjatë këtyre viteve në Shqipëri gjetën strehë e mbështetje edhe veprimtarë të tjerë shqiptarë nga Kosova, studentë e të rinj që hynin e dilnin ilegalisht prej saj ose me banim të përkohshëm në Zvicër, Gjermani, Austri, etj, por që nuk kishin bindjet e LDK. Më tepër ishin anëtarë të Lëvizjes Popullore të Kosovës ose të bindjeve të majta në përgjithësi. Mes tyre në vitin 1993 Adem Jashari ka ardhur përsëri në Shqipëri.

Artikujt e ngjajshëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close