Një hulumtim të detajizuar e kishte sjell për publikun në vitin 2018 mediumi Insajderi.
Përveç çështjes së parë, Mimoza Kusari-Lila ishte u hetuar edhe për dy çështje të tjera nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar në kohën kur udhëhiqte me Komunën e Gjakovës.
Njëri prej rasteve ka të bëjë me subvencionimin e Klubit të Futbollin Vëllaznimi nga Gjakova, në vitin 2014. Komuna që asokohe udhëhiqej prej Kusari-Lilës kishte ndarë mbi 53 mijë euro për subvencionimin e KF Vëllaznimit, së sipas kallëzimit penal “është në kundërshtim me kërkesat e nenit 9 të Rregullores së Brendshme komunale”.
E në Nenin 9, pika 2 e Rregullores për Ndarjen e Subvencioneve thuhet se në rast të ndarjes së subvencioneve në vlerë prej më shumë se 15 mijë euro, kërkesa duhet të miratohet nga Kuvendi Komunal.
Në pikën tjetër të paraqitur në kallëzimin penal, thuhet se Komuna e Gjakovës ka subvencionuar në kundërshtim me Rregulloren Komunale, Organizatën Jo-Qeveritare Active Society for Youth Development (ASYD). Bëhet fjalë për 6 mijë e 600 euro që Komuna e Gjakovës kishte ndarë për këtë OJQ në vitin 2014.
Insajderi ka provuar të marrë përgjigje nga Kusari-Lila lidhur me pretendimet e paraqitura në kallëzimin penal, në bazë të së cilit Prokuroria Themelore e Gjilanit ka hapur hetime ndaj saj, mirëpo kontakti me deputeten e Kuvendit të Kosovës ka qenë i pamundur.
Ndërkaq, Prokuroria Themelore në Gjilan i ka thënë Insajderit se prokurori i rastit, Shaban Spahiu gjendet në pushim të rregullt vjetor.
“Nuk jemi në dijeni se deri ku ka evoluar hetimi”, kanë thënë nga Zyra e Prokurorisë Themelore në Gjilan.
Përfshirja në privatizimin e katër hidrocentraleve për KEDS-in
Në vitin 2013, Mimoza Kusari-Lila kishte qenë pjesë e Komitetit të Privatizimit, i cili udhëhoqi procesin e privatizimit të Kompanisë për Distribuimin dhe Furnizimin me Energji elektrike (KEDS) në vitin 2013.
Ky komitet kishte vendosur që në bashkëpunim me KEDS të privatizoheshin katër hidrocentrale në Kosovë.
Shitja e katër hidrocentraleve për Koorporatën Energjetike të Distribuimit të Energjisë (KEDS) në vitin 2013, dyshohet se i ka shkaktuar dëme Republikës së Kosovës. Për këtë arsye, Prokuroria Speciale e Kosovës nxori një aktvendim për fillim të hetimeve ndaj Mimoza Kusari-Lilës dhe katër ish-ministrave të tjerë të Qeverisë së Kosovës.
Përfshirja e katër hidrocentraleve në pakon tenderuese ishte mbajtur e fshehtë, ndërsa edhe ministrat që kanë marrë vendimet kryesore për privatizim kanë deklaruar se nuk kanë qenë të informuar se në pako është përfshirë edhe shitja e hidrocentraleve.
Katër hidrocentrale janë shitur së bashku me KEDS-in janë: hidrocentrali i Dikancës, hidrocentrali i Burimit, ai i Radavcit dhe Lumbardhit. Ato janë dhënë me koncesion nga KEK-u me qëllim të rivitalizimit të tyre dhe rritjes së kapaciteteve prodhuese.
Lajmin për hetimin e pesë ish-ministrave të Qeverisë së Kosovës, lidhur me procesin e privatizimit të KEDS-it, e ka konfirmuar gjatë këtij viti edhe Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi.
Insajderi i ka shkruar Prokurorisë së Shtetit për të kërkuar sqarime lidhur me hetimet ndaj Kusari-Lilës dhe katër ish-ministrave të tjerë në rastin e katër hidrocentraleve dhe privatizimit të KEDS-it.
Zëdhënësi i Prokurorisë së Shtetit, Hekrem Lutfiu ka konfirmuar edhe njëherë se Kusari-Lila vazhdon të jetë nën hetime për këtë rast. Ka thënë se nuk mund të japim informacione, për të mos i penguar hetimet.
“Prokuroria e Shtetit nuk jep informata, në pyetjet kur kemi të bëjmë me emra të përveçëm së a zhvillohen apo jo hetimet ndaj një personi, sepse në këtë mënyrë do të pengoheshin hetimet”, ka thënë Lutfiu nga Prokuroria e Shtetit.
Kusari-Lila ishte hetuar edhe më parë nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Hetimi kishte të bënte me një kallëzim penal të dorëzuar në Prokurori pesë vjet më parë nga dy trupa private inspektuese të kontrollit të cilësisë së naftës, të cilat nuk ishin angazhuar nga Kusari Lila sa ishte ministre e Tregtisë dhe Industrisë, por ishte angazhuar një kompani kroate e quajtur “Saybolt Pan Adriatika”.
Kallëzimi penal i përbashkët ishte bërë nga “Kosova-Lab” që drejtohej nga Bekim Shyti dhe “SIERRA-Lab” e përfaqësuar nga Ejup Gashi.
Bazuar në këtë kallëzim, Prokuroria kishte kryer hetime dhe nuk ishin gjetur elemente të veprës penale. Pavarësisht mbylljes së hetimeve, Prokuroria ka hapur hetime tjera kundër Kusari Lilës dhe disa zyrtarëve tjerë të MTPT-së. Nuk dihet nëse këto hetime janë ndalur. /Insajderi.com