Mimoza Kusari me piskamë në foltore ndaj deputetëve të opozitës: Më lejoni t’ju rifreskoj
Shefja e deputetëve të Vetëvendosjes ka dalë në foltoren e Kuvendit për t’i adresuar disa prej kritikave të deputetëve opozitarë.
Ajo ishte veçanërisht e ashpër ndaj kreut të LDK-së, Lumir Abdixhikut, në lidhje me kritikat e tij se ishte normalizuar abnormaliteti në veri të Kosovës.
“Nga kjo foltore u tha se për herë të parë janë ndalë zgjedhjet në Kosovë… më lejoni t’ju rifreskoj se për herë të parë është ndalë referendumi në Kosovë, për herë të parë janë ndalë zgjedhjet në Kosovë… për herë të parë është ndalë Lista Serbe për ta fitu garën në mënyrë të pakontestueshme…” – u shpreh znj. Kusari Lila me një ton të lartë.
Por, në fakt Lista Serbe ishte krijuar në vitin 2013, kohë në të cilën znj. Kusari ishte pjesë e Qeverisë Thaçi II.
“Po mendoni që ky Vuçiq, me të cilin thuhej më herët se nuk jeni njerëz problematikë, ka pasë mundësi me sjellë një marrëveshje me njohje të Kosovës…” – vazhdoi ajo, duke iu referuar episodit ku Hashim Thaçi në anglisht kishte thënë që “ne nuk jemi njerëz problematikë”.
“Ku është reagimi për të thënë që ne nuk pranojmë të bisedojmë me kriminelë? Po nuk është normalitet. Është abnormaliteti më i gjatë.” – tha më tej ajo.