Donika Gërvalla-Schëarz që nga emërimi si ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka qenë cak i kritikave në opinionin publik lidhur me lëshimet dhe gafat që ka bërë ajo dhe ministria që e udhëheq.
Më i fundit rast, ishte të hënën, kur gjatë takimit me Emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA’ve, Matthew Palmer, mungoi flamuri i Amerikës.
Lexo Edhe:
Numri i pacientëve me COVID-19 në spitalet e Kosovës
E ky lëshim i ministres Gërvalla po shihet si skandal protokolar-diplomatik.
Opinionisti, Halil Matoshi në një prononcim për Periskopin ka thënë se mos-vendosja e flamurit të SHBA’së në takimin e djeshëm është skandal diplomatik i një ministreje ‘praktikante’ në punë shteti.
Reklamë
Matoshi tha se meqë Kosova është ‘krijesë e Amerikës’ do të shpëtojë pa u qortuar.
“Natyrisht se ky është skandal protokolar-diplomatik i një ministreshe “praktikante” në punë shteti dhe fati i mirë është që amerikanët nuk e qortojnë krijesën e vet: Republikën e Kosovës. Përndryshe ky akt nuk do të lihej pa u komentu nga Shtëpia e Bardhë.”, ka thënë ai.
Tutje sipas Matoshit, Kosova po dëmtohet nga përfaqësimi si shefe e diplomacisë nga Gërvalla. Bile ai ka kërkuar edhe dorëheqjen e saj dhe nga ministrja Gërvalla-Schwarz nuk pritet njohje të reja
“Ministrja e Mërgatës, as nuk po di vetë as nuk di se kush di, por thjesht e ka zënë vendin e pamerituem, dhe e ka blloku MPJ-në. Më e mira që ajo mundet të bëjë është dorëheqja, ose së paku mos të shfaqet fare në publik. Fjalime skandaloze, mosnjohje e anglishtes, e padijshme në marrëdhënie ndërkombëtare e pa sens diplomatik (pa Raison d’Etat) dhe me shërbim të jashtëm të kolaptuem, Ministrja Donika Gërvalla po e dëmton imazhin e shtetit tonë”, ka deklaruar Matoshi.
“Për njohje të reja ajo as që di kah t’ia mësyjë!? E humbur në përkthim dhe e ngritur në spiralen e paaftësisë, ajo nuk përfaqëson ndryshim, por është e nivelit të shoferëve të veshur me petkun diplomatik!”, theksoi ai.
Ndryshe ditë më parë, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës e bëri edhe një huqje tjetër. Kjo ministri, tentoi t’i reagonte sjelljeve të Bjellorusisë pas arrestimi të një gazetari atje, por ky reagim doli tejet qesharak.
Reagimi kishte gabime gjuhësore por edhe nga përmbajtja ishte skandaloz pasi MPJ e Kosovës i kërkonte SHBA’ve, NATO’s dhe BE’së të reagonin duke shprehur gatishmërinë e Kosovës për ndihmë sikur të ishte Kosova super-fuqi botërore.
Gërvalla-Schëarz deri më tani nuk ka komentuar mbi mungesën e flamurit të SHBA në takim ndërsa Periskopi ka dërguar pyetje në adresë të MPJD lidhur me këtë lëshim.