Ministrat e subjektit politik Lista Guxo po guxojnë të ndajnë kontrata të majme publike për bashkëpartiaket e tyre. Anëtari i Kryesisë së Listës Guxo në Mitrovicë, Njazi Ajvazi, në këtë muaj ka marrë një kontratë mbi 50 mijë euro nga ministria që udhëhiqet nga kryetari i degës së Listës Guxo në Mitrovicë, Faton Peci.
Agjencia Pyjore e Kosovës(APK) që vepron në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), e cila drejtohet nga Faton Peci, i ka dhënë kontratë me vlerë 54 mijë euro Njazi Ajvazit, i cili është anëtar i Kryesisë së Listës Guxo në Mitrovicë.
Ankesat e punëtorëve të kësaj zyre se objekti nuk i plotëson kushtet e nevojshme për punë, nuk kanë ndikuar në nënshkrimin e kësaj kontrate.
Kontrata, të cilën e ka siguruar gazeta Nacionale, ka të bëj me marrjen e një lokali me qira për nevojat e Drejtorisë për Koordinimin e APK-së në Mitrovicë.
Kontrata parasheh që Agjencia Pyjore e Kosovës, Ajvazit do t’ia paguajë 900 euro në muaj, për një kohëzgjatje prej 5 vitesh. Kontrata parasheh edhe mundësinë e vazhdimit të saj.
Sipas nenit të parë të kontratës, qiradhënësi (Ajvazi) i jep me qira qiramarrësit (KAP) zyrat të cilat gjenden në Mitrovicë, rruga “Shala e Bajgores”, të cilat do të shfrytëzohen për zyrat për nevojat e Drejtorisë për Koordinimin e APK-së në Mitrovicë.
Objekti i kontraktuar ka sipërfaqe të përgjithshme prej 478 metra katror, prej tyre 195 metra katrorë janë zyre, ndërsa pjesa tjetër është parking (për 8 automjete).
Në nenin 4 të kontratës, thuhet se qiraja fillon të rrjedhë prej datës 1 korrik dhe do të zgjas deri më 30 qershor të vitit 2027.
Burimet e gazetës Nacionale brenda ministrisë kanë treguar se për fitimin e kësaj kontrate ka pasur ndikim vetë Ministri Faton Peci, i cili përmes ZëvendesKryeshefit të APK-së, Bekim Hoxha, ka ushtruar presion mbi komisionin vlerësues.
Gazeta ka tentuar gjatë ditës ta kontaktojë disa herë ministrin Peci, por, i njëjti, ka qenë i paqasshem.
Burimi i gazetës ka thënë se ankesat e zyrtarëve që do të punojnë në atë objekt janë ankuar me mungesë të kushteve.
“Zyrtarët janë ankuar për mungesë të kushteve aty. Ata kanë shprehur pakënaqësitë në lidhje me këtë përzgjedhje. Ankesat janë bërë sepse lokali nuk i plotëson kushtet, është në periferi të qytetit dhe kanë problem me udhëtim. Afër objektit nuk ka as restorant për ushqim gjatë drekës”, ka thënë burimi i gazetës.
APK-ja e arsyeton kontratën
Gjatës ditës së enjte, gazeta Nacionale ka provuar të marrë një qëndrime për këtë çështje nga Agjencia Pyjore e Kosovës dhe Ministria Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Vetëm pas insistimit të gaztës, zëvendës-kryeshefi i Agjencisë Pyjore të Kosovës, Bekim Hoxha, ka pranuar të jep një përgjigje në mënyrë elektronike.
Fillimisht, gazeta i ka shkruar zyrës e cila mban kontaktet me publikun në Agjencia Pyjore e Kosovës.
Zyrtarët e kontaktuar kanë rekomanduar që pyetje për këtë çështje t’i drejtohen Zyrës Ligjore të APK-së.
Më pas, një zyrtar Zyrës Ligjore i ka thënë gazetës që për kontratën në fjalë t’i drejtohet Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Vetëm përmes kësaj zyre, është bërë e mundur marrja e qëndrimit të zëvendës-kryeshefi i Agjencisë Pyjore të Kosovës, Bekim Hoxha, i cili ka thënë se përfituesi i kontratës i ka plotësuar të gjitha kushtet.
“Lidhur me objektin me qira ne DKR-Mitrovicë pas skadimit te kontratës nga OE-personi fizik znj. Bukurije Dobra e cila nuk kishte interesim për vazhdimin e kontratës e cila ka skaduar me dt: 30.06.2022 , ne si APK kemi qenë të obliguar që të sigurojmë zyra për stafin e DKR-Mitrovicë konform kërkesës se Drejtorit z. Agim Dervishaj,DKR-Mitrovice. Në mbështetje të kërkesës e dt:01.06.2022 me NP- 2282 nga drejtori i DKR-Mitrovicës z. Agim Dervishaj, është nxjerr vendimi me dt: 07.06.2022 me NP-2387 mbi emërimin e komisionit për përzgjedhjen e objektit-lokacionit për zyra te DKR te APK-se Mitrovicë dhe konform kritereve te përcaktuara me këtë vendim”, ka thënë Hoxha për gazetën Nacionale.
Qeveria / Skandali i korrupsionit në Ministrinë e Infrastrukturës trondit Qeverinë Kurti në Kosovë
Sipas tij, kontrata e nënshkruar i ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuar.
“Komisioni i emëruar nga zv.Kryeshefi Ekzekutiv me dt: 09.06.2022 ka vizituar disa (6) objekte ne qytetin e Mitrovicës dhe po i njëjti ka konstatuar se nga këto 6 objekte asnjëra nuk plotëson kushtet konform kritereve te përcaktuara ne Vendim. Përsëri me dt; 16.06.2022 komisioni ka vizituar disa objekte tjera ne qytetin e Mitrovicës dhe gjashtë (6) OE-persona fizik dhe juridik kanë sjellë ofertat e tyre dhe me pas komisioni pas vlerësimit dhe krahasimit te ofertave ka bere përzgjedhjen dhe rekomandimin per OE-personin fizik i cili plotësonte kriteret konform vendimit dhe njëherit kishte ofertën me çmimin me te ulet”, është shprehur ai.
Me tej, ai ka përmendur edhe emrat e pesë kompanive tjera që kanë aplikuar për nënshkrimin e kësaj kontrate, por, sipas tij, kane qenë më të shtrenjta.
“Kontrata është nënshkruar me z. Njazi Ajvazi i cili plotësonte kriteret e kërkuara nga drejtori i DKR-se në Mitrovicë z. Agim Dervishaj dhe kishte çmimin me te ulet”, ka thënë Hoxha.
Mohohen ndikimet politike në lidhjen e kontratës
Ndryshe nga institucionet ka vepruar Njazi Ajvazi. I kontaktuar nga gazeta Nacionale, ai ka mohuar se politika e ka favorizuar për ta përfituar kontratën e qirasë për vlerë prej 54 mijë euro.
Ajvazi ka thënë se kontrata është nënshkruar sipas kritereve të kërkuara. “Po, është kontrata. Çdo send është transparente dhe në bazë të kontratës. Të gjitha janë të plotësuar 100 për qind sipas kontratës”, ka thënë ai për gazeta.
Ai ka mohuar se tani është zyrtar i subjektit politikë Lista Guxo. “Jo nuk jam zyrtar unë, jam njeri privat”, është shprehur ai, duke thënë se më herët ka qenë nëpër (sic.) parti të ndryshme.
Por, raportimet e medieve lokale që i ka siguruar Nacionale, tregojnë se kur është zgjedhur Faton Peci kryetar i degës së Listës Guxo në Mitrovicë, qiradhënësi i Ministrisë ishte zgjedhur anëtar i kryesisë.
Madje, dëshmohet edhe me foto që ai ka marrë pjesë në tubimet e kësaj partie.
“Më herët kemi qenë PDK, LDK, VV, në tana partitë kemi qenë,” – ka thënë Ajvazi.
Kur i janë përmendur fotot në aktivitet e kësaj partie, ai ka thënë se merr pjesë kushdo që e fton.
“Edhe Kadri Veseli me me thirre unë bëj foto. Nuk jam i përcaktuar politikisht. Me të gjithë kam marrëdhënieve të mira,” ka deklaruar ai.
Ajvazi ka mohuar se ka ndonjë raport të caktuar me ministrin Peci.
“Kurrfarë raporti nuk kom me ministrin, veç e njoh si individ”, është shprehur ai, duke shtuar se nuk njihen personalisht. “Vetëm si individ e njoh, sikur Albin Kurtin qysh e njoh”, ka thënë ai.
Mirëpo “Facebook”-u tregon se raporte e Ajvazit me Pecin janë të mira.
Ministri Peci pothuajse çdo fotografi ia pëlqen Ajvazit në “Facebook”.
Zyrtari i lartë i Listës Guxo, Faton Peci, edhe para se të bëhet Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka qenë i zëshëm kundër nepoizimit dhe klientelizmit, duke akuzuar qeveritë e kaluara se kanë bërë në gjë të tillë. Ndërsa, pas marrjes së detyrës se ministrit, ai është zotuar se do ta luftoj çdo dukuri negatve brenda institucionit.