Kompania bullgare “Hydrostroy”, në pronësi të Veliko Zhelev, një manjati të ndërtimit me të kaluar të dyshimtë, është përzgjedhur fituese e kontratës për projektin e rrugës nacionale Prishtinë-Mitrovicë.
Ministria e Infrastrukturës nënshkroi të enjten kontratën me konsorciumin bullgaro-kosovar të përbërë nga kompanitë “JV HYDROSTROY JSC SOFIA & ESKAVATORI L.L.C ”, raporton Paparaci.
“JV HYDROSTROY JSC” është një kompani bullgare me bazë në Sofje, në pronësi të Veliko Zhelevit, sipërmarrësit më të pasur bullgar të ndërtimit. “Eskavatori” L.L.C. është kompani e ndërtimit me bazë në Ferizaj. Pronar i saj është sipërmarrësi ferizajas, Bajram Rysha.
Veliko Zhelev, pronari i kompanisë “Hydrostroy”, është i panjohur në Kosovë.
Por, ai është personazh i njohur në vendin e tij, Bullgari, ku ka ushtruar funksione publike në të kaluarën. Ku fiton rregullisht tenderët me vlerën më të lartë për ndërtimin e rrugëve. Ku dyshohet për keqpërdorim të kontratave publike.
Jo më larg se shkurti i vitit 2023, Ministria e Zhvillimit Rajonal dhe e Punëve Publike zbuloi se një e treta e asfaltit mungonte në një autostradë afër Sofjes, e ndërtuar me financim të Bashkimit Evropian. Kontrata vlente 90 milionë euro. Ndërtuesi i autostradës? Kompania “Hydrostroy” e Zhelevit.
Rruga ishte ndërtuar tetë vjet më parë, por sipërfaqja e asfaltit degradoi në gjendje shumë të keqe duke i nxitur autoritetet shtetërore në Bullgari që ta hetonin procesin e kontraktimit dhe punimeve.
Ministri i Zhvillimit Rajonal, Ivan Shishkov deklaronte se asfalti do duhej të ishte 28 centimetra i trashë, por ndërtuesit – pra, kompanisë “Hydrostroy” – iu kërkua të shtronte vetëm 20 centimetra. Nga hetimi rezultoi se në fund kompania kishte shtruar asfalt vetëm 14 centimetra.
Qeveria bullgare, asokohe i bëri thirrje Prokurorisë që të hetonte projektet e ndërtimit në të cilat ishte përfshirë “Hydrostroy”.
“Pres që prokuroria të kryejë të gjitha veprimet e nevojshme që kanë të bëjnë me autostradën Hemus, por jo vetëm në to. Vëmendja e publikut këtu është veçanërisht e lartë dhe pres që prokuroria të bëjë punën e saj”, tha ministri i Brendshëm i Bullgarisë,Ivan Demerxhiev në një konferencë për media në muajin shkurt.
Disa javë më vonë, kryeprokurori bullgar Ivan Geshev tregoi interes për informacionin në lidhje me asfaltin e munguar nga disa seksione të autostradave të sapondërtuara dhe kërkoi nga qeveria që të paraqesë çdo informacion që ka në dispozicion.
Megjithatë, ende nuk ka informacion publik nëse një hetim është duke u zhvilluar kundër kësaj kompanie, shkruajnë mediat bullgare, transmeton Paparaci.
Derisa përballej me akuza në publik për mashtrim në kontratat publike, në muajin mars Veliko Zhelev u arrestua në Sofje.
Policia bullgare e arrestoi Zhelevin nën dyshimet për “detyrim” dhe i bastisi zyrat e tij.
Sipas një njoftimi të Policisë bullgare, arrestimi i tij ndërlidhej me një hetim të Prokurorisë për veprën penale “detyrim”. Zhelev dyshohet se e kishte detyruar një punonjës të tij të firmoste dokumente me përmbajtje të falsifikuar.
Veliko Zhelev, para se të bëhej sipërmarrës dhe pronar i kompanisë “Hydrostroy”, kishte udhëhequr Agjencisë qeveritare për Infrastrukturë Rrugore. Ai është një nga biznesmenët më me ndikim në ndërtim në Bullgari.
Tani, Zhelev i ka zgjeruar operacionet e biznesit të tij edhe në Kosovë. Këtë ia ka mundësuar Ministria e Infrastrukturës, e cila e ka përzgjedhur fituese në tenderin për projektin e zgjerimit të rrugës nacionale Prishtinë-Mitrovicë.
Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu tha sot se kontrata është nënshkruar dhe rrjedhimisht projekti më i stërzgjatur në historinë e shtetit të Kosovës është zhbllokuar.
“Sapo nënshkruam sot kontratën për zgjerimin e rrugës që e lidh Prishtinën me Mitrovicën. Mbase një nga projektet më të stërzgjatura në historinë e pasluftës së Kosovës. Por se jemi duke shkuar drejt përfundimit të tij meqë sot e nënshkruam sot kontratën”, tha ai.
Projekti për zgjerimin e rrugës Prishtinë-Mitrovicë ka nisur në vitin 2009. Asokohe kishin nisur edhe punimet.
Megjithatë, pas më shumë se një dekade punimet janë zvarritur e disa herë ka pasur edhe shembje në pjesët ku ishte punuar.
Sipas zëvendësministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, afati për përfundimin e punimeve të projektit është një vit i plotë kalendarik. /Paparaci.com