Epilogu

Ministria e Shëndetësisë refuzon insulinat amerikane, favorizon kompaninë ku punon djali i kryeprokurorit (Dokumente)

Ministria e Shëndetësisë (MSH), e cila drejtohet nga Arben Vitia, po tenton ta nxjerr jashtë loje prodhuesin e njohur amerikan të insulinave “Eli Lilly”, në tenderin shtatë milionësh të shpallur nga ky dikaster qeveritar në fund të vitit që lamë pas, ndonëse Operatori Ekonomik (OE) që përfaqëson këto është më i lirë për 400 mijë euro, raporton “Front Online”.

Dokument 1: Procesverbali i hapjes së tenderëve
Portali Front Online ka siguruar dosjen e këtij procesi të prokurimit, ku njoftimi për kontratë ishte publikuar më 14 dhjetor të vitit 2020, me ç’rast kishin aplikuar 3 kompani.
Kompania “PHARMA LEADER” për lotin I kishte aplikuar me çmim prej 1,097,467,36 €, për lotin II, nuk ka aplikuar fare, deri sa për lotin III ka aplikuar me çmim prej 4,109,006,12 €.
Kompania “LEGO” në këtë proces të prokurimit për lotin I ka aplikuar me çmim prej 1,165,730,88 €, për lotin II me çmim prej 876,782,40 €, si dhe për lotin III me çmim prej 4,579,144,12 €.
Deri sa Operatori tjetër Ekonomik “MEDITECH” për lotin I kishte aplikuar me çmim prej 1,144,726,72 €, për lotin II ka aplikuar me çmim prej 913,315, deri sa për lotin III ka aplikuar me çmim prej 4,456,908,24 €.

Bazuar në procesverbalin e hapjes së tenderëve, shihet se kompania “PHARMA LEADER”, e cila në vendin tonë sjellë insulinat e prodhuesit amerikan “Eli Lilly”, kishte ofertuar me çmim prej rreth 400 mijë euro më të lirë se sa operatoret tjerë që kanë qenë në garë, por Prokurimi i Ministrisë ka rekomanduar operatorin më të shtrenjtë, “Meditech”, raporton “Front Online”.

Rekomandimi i komisionit të parë

Më 8 shkurt të këtij viti komisioni i përbërë prej tre anëtaresh Afrim Bekteshi, Fatos Aliu, si dhe Besim Bajraktari për lotin I dhe III kishin rekomanduar që kontrata t’i jepej kompanisë “PHARMA LEADER”, për lotin II, ky komision kishte rekomanduar që kontrata t’i jepet kompanisë Meditech.

Dokument 2: Raporti i parë i vlerësimit të tenderëve nga ana e komisionit vlerësues

Katërmbëdhjetë ditë më vonë, më 22 shkurt të këtij viti përmes letrës standarde Ministria e Shëndetësisë kishte njoftuar kompaninë “PHARMA LEADER”  se ishte shpallur fitues për lotin I dhe III të këtij procesi të prokurimi, deri sa për lotin II ishte shpallur kompania “MEDITECH”.

E pa kënaqur me këtë epilog, kompania “MEDITECH” e cila prej më shumë se një dekade ka pasur në vendin tonë monopolin e furnizimit me insulina është ankuar në ministrinë e Shëndetësisë, e ku këta të fundit  në mënyrë automatike e kishin pezulluar këtë proces prokurimi, raporton “Front Online”.

Më 1 mars të këtij viti udhëheqësi i divizionit të Prokurimit në këtë ministri Ismet Hyseni kishte aprovuar si pjesërisht të bazuar ankesës e kompanisë “MEDITECH”, me të nijetin vendim ai kishte anuluar vendimin për dhënie kontrate si kishte urdhëruar që lënda në fjalë të kthehet në rivlerësim.

Dokument 3: Njoftimi i parë për dhënie të kontratës 

Rekomandimi i komisionit të dytë

Tre ditë më vonë, respektivisht më 4 mars të këtij vit, MSH-ja kishte krijuar komisionin e dytë në përbërje: Arbëresha Haxhibeqiri, Adnan Klinaku anëtar si dhe Berat Marmullaku, anëtar. Këta në raportin e rivlerësimit kanë rekomanduar që kompania “PHARMA LEADER”  të shpallet e papërgjegjshme për lotin I dhe III, e ku kanë rekomanduar që kontrata t’i jepet kompanisë “MEDITECH”.

Dokument 4: Raporti i dytë i rivlerësimit të tenderëve nga ana e komisionit vlerësues

E pa kënaqur me ketë vlerësim kompania e cila në fillim kishte qenë e rekomanduar për kontratë “PHARMA LEADER”  kishte bërë ankesë në ministrinë e Shëndetësisë, por e njëjta  nga drejtori i prokurimit Ismet Hyseni është refuzuar si e pabazë, e ku e ka lënë ne fuqi, vendimin për dhënie të kontratës.

Ministria e Shëndetësisë si arsyetim për të nxjerr nga loja kompaninë që përfaqëson insulinat e prodhuesit amerikan, ka konsluduar se produktet e kompanisë “Meditech” janë të regjistruara në AKPM, kurse në dosje të tenderit kërkohet që kompanitë që aplikojnë në këtë proces prokurimi duhet ta kenë

“Autorizimi për Marketing ne Kosovë, me specifikimin e kërkuar te produktit. Ne rast se nuk ka paralele të regjistruar në Kosovë vlen UA 02  2014 dhe për dëshmi – Kopja e Certifikatës se Autorizim Marketingut ne një vend te BE (si dëshmi se produkti qarkullon ne BE)”, raporton “Front Online”.

Dokument 5: Njoftimi i dytë për dhënie të kontratës pas procesit të rivlerësimit

Gjatë vlerësimit të ofertave Ministria e Shëndetësisë ka anashkaluar kërkesën e dosjes se tenderit si dhe udhëzimin administrativ 02/2014,  i cili parasheh importin e produkteve pa paralele, gjë që e bënë të barabartë kompaninë “Pharma Leader”, produktet e të cilës janë pa paralele në Kosovë.

Një gjë të tillë e kanë konfirmuar edhe përmes shkresës zyrtare zyrtarë të Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicionale (AKPM).

MSH nuk përfill rekomandimet e OSHP-së

E pakënaqur me vendimin e ministrisë për refuzim të ankesës  si të pabazuar kompania “PHARMA LEADER” ka bërë ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik, e ku këta të fundit përmes vendimit të nxjerr më 25 mars të këtij viti kishin urdhëruar që njoftimi për dhënie të kontratës të anulohet si dhe lënda të kthehet në rivlerësim.

Dokument 5: Vendimi i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP)

Mirëpo, edhe pas rivlerësimit, e ku vendimi është publikuar më 28 prill është bërë vlerësim i njëjte sikurse ai paraprak, pra është rekomanduar për lotin I dhe III kompania “MEDITECH” me çmim prej 400 mijë euro më të lartë se sa çmimi që kompania tjetër “PHARMA LEADER” ka ofertuar në këtë proces prokurimi, raporton “Front Online”.

Djali kryeprokurorit, punëtor në kompaninë Meditech

Në kompaninë të rekomanduar për kontratë tash e një kohë është i punësuar edhe djali i kryeprokurorit të shtetit. Kjo shihet edhe në formularët e deklarimit të Pasurisë në  Agjencinë Kundër Korrupsionit që ka vetë dorëzuar kryeprokurori. Në formularët e AKK-së kryeprokurori ka vetë deklaruar se për punën që bën djali tij në këtë kompani brenda vitit në emër të pagës dhe bonuseve paguhet 9 mijë euro. Front Online  ka pyetur ministrinë e Shëndetësisë se a ka pasur pas presione gjatë vlerësimit të dytë, kur dihet se djali i kryeprokurorit të shtetit , si dhe djali i Shoqatës së Endokrinologëve të Kosovës janë të punësuar në kompaninë “Meditech”, e cila tashmë nga komisioni dytë, por edhe zyra e Prokurimit është rekomanduar për kontratë, por as pas disa ditë pritje nuk ka arritur të marrë përgjigje nga ta.

Dokument 6:Formulari i deklarimit të pasurisë së kryeprokurorit të Shtetit Aleksandër Lumezi në Agjencinë Kundër Korrupsion  

Po ashtu “Front Online” ka pyetur Ministrinë e Shëndetësisë se pse vlerësimi i komisionit të dytë është krejtësisht tjetër prej vlerësimit të komisionit të parë, si dhe apo tenton  MSH-ja ta nxjerrë nga ky proces prokurimi  prodhuesin e njohur amerikan të Insulinave “Eli Lilly”, por as për këto pyetje nuk ka arritur të marrë përgjigje fare. Po ashtu, portali “Front Online” për këtë çështje iu ka dërguar pyetje edhe kompanisë “Meditech”, por as këta nuk janë përgjigjur fare, raporton “Front Online”.

Zvarritet procesi për organizimin e furnizimit emergjent

Burime të besueshme të “Front Online” brenda ministrisë së Shëndetësisë bëjnë të ditura se tenderi po fjalë po tenton të zvarritet me qëllim të organizimit të furnizimit emergjent me kompaninë që ka pasur monopol të furnizimit deri më tash. “ Po tenton të zvarritet procesi që të organizohet furnizim emergjent me çmimet që ka ky Operator Ekonomik prej kohës kur ky ka pasur monopol në furnizimin më insulina” bëjnë të ditura burime të “Front Online” brenda Ministrisë së Shëndetësisë. / Front Online /

Exit mobile version