Ministrja Arbërije Nagavci e “rehatoi” vajzën në Ministrinë e Financave
“Krejt dhe Drejt”, slogani me të cilin erdhi në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, po del të jetë shumë i saktë sa i përket nepotizmit. Punësimet familjare s’kanë të ndalur në qeverisjen e Albin Kurtit.
Nipat, dajallarët, motrat, tezet, bijat… e ministrave dhe zyrtarëve të lartë të LVV-së që e drejtojnë shtetin, po punësohen në institucione shtetërore sikur ato të ishin pronë e tyre.
Në mënyrë krejtësisht të heshtur, vajzën e saj e ka punësuar edhe Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërije Nagavci.
Demokracia ka mësuar ekskluzivisht se vajza e ministres Nagavci ishte punësuar në Ministrinë e Financave gjatë qeverisjes së shkurtër të LVV-së në vitin 2020.
Mirjeta Nagavci, vajza e ministres Nagavci, tani është Zyrtare e Lartë për Koordinim dhe Asistencë të Komitetit për PPP dhe AP-ve në Ministrinë e Financave.
Në vitin 2020, në deklarimin e pasurisë si deputete e LVV-së, Arbërije Nagavci nuk e ka të deklaruar se vajza e saj merr pagë nga Ministria e Financave, por e njëjta nuk vlen edhe për vitin 2021.
Në formularin e pasurisë së vitit 2021 figuron edhe paga e fëmijës së saj si e hyrë nga Ministria e Financave.
Deklarimi i pasurisë në vitin 2020
Deklarimi i pasurisë në vitin 2021
Qeveria Kurti I nisi punën nga 3 shkurti i vitit 2020 dhe qëndroi në detyrë deri më 3 qershor 2020.
Ministër i Financave gjatë kësaj periudhe ishte Besnik Bislimi, për të cilin muaj më parë media raportoi ekskluzivisht se i ishte punësuar edhe motra në QKUK.
Demokracia ka tentuar të flasë me ministren Nagavci për të marrë më shumë sqarime rreth periudhës dhe mënyrës së punësimit të vajzës së saj, por ajo ka qenë e pa qasshme në telefon. Nagavci nuk i është përgjigjur as mesazhit të dërguar në numrin e saj të telefonit lidhur me punësimin e vajzës së saj.