Epilogu

Ministrja kthen në punë si koordinator, personin që është nën hetime për vjedhje të telefonit

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka vendosur që një person të dyshuar për vjedhjen e një telefoni ta kthejë sërish në punë, në një pozitë të rëndësishme në ministri.

Gazmend Mejzini, koordinatori në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë i projektit për konkurrueshmëri CERP, i financuar nga Banka Botërore, ishte larguar nga puna për shkak se nuk e kishte regjistruar si pasuri të ministrisë një telefon “Iphone”, vlera e të cilit shkonte mbi 1 mijë euro.

Fillimisht, Mejzini ishte suspenduar nga puna me 50 për qind të rrogës, për shkak të përvetësimit të telefonit, e që më vonë vendimi ishte ndryshuar, duke ia ndërprerë komplet pagesën.

Mungesën e telefonit, që ishte blerë me para të ministrisë, e kishin vërejtur auditorët e brendshëm të ministrisë.

Në vendimin e parë të pezullimit të Mejzinit i nënshkruar nga zëvendës sekretarja, Gentiana Islamaj, thuhet se për këtë hetime kanë nisur edhe Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës.

“Bazuar në raportin e auditimit të brendshëm me nr.ref. 4256, të datës 28.07.2020 ku është vërtetuar mos regjistrimi i pasurisë jo-financiare (asetit telefon mobil) të blerë me fonte të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, si dhe kërkesës së Ministrisë për inicimin e hetimeve të datës 20.11.2020 në Drejtorinë për Krime Ekonomike dhe Korrupsion-Policia e Kosovës, u vendos si në dispozitivin e këtij vendimi: Mejzini pezullohet me pagesë 50 për qind të pagës”, thotë vendimi i siguruar nga Albanian Post, i datës 26 nëntor të vitit 2020.

Më 21 dhjetor, vendimi për Mejzinin nga pezullim me 50 për qind të pagës, ishte ndryshuar në pezullim pa pagesë.

“Duke u bazuar në Rregulloren e MF-Nr. 01/2016 për Administrimin e Fondeve të Huamarrjes si dhe Marrëveshjen me Bankën Botërore “Projekti për konkurrueshmëri dhe gatishmëri për eskport”, me nr.IDA Credit.6035-XK, të cilat akte juridike e ndalojnë pagesën gjatë kohës së pezullimit, u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi: z.Gazmend Mejzini pezullohet pa pagesë”, thuhet në vendimin e ndryshuar dhe të nënshkruar nga Islamaj.

Por, me të ardhur në pushtet Vetëvendosje, kishte vendosur ta kthente në punë Mejzinin, pasi ky i fundit ishte ankuar për vendimin e pezullimit pa pagesë, duke argumentuar se nuk është nën hetime me një dokument që e kishte marr nga gjykata.

Zëvendës sekretari, Irfan Lipovica, që ishte vendosur nga ministrja, Rozeta Hajdari, e kthen në punë Mejzinin, duke i shfuqizuar vendimet paraprake.

“Bazuar në kërkesën e z.Gazmend Mejzini të datës 20.05.2021, dhe Certifikatës nga Evidenca e Personave Kundër të Cilëve është duke u Zhvilluar Procedura Penale dhe Personave të Dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, me të cilin vërteton që ndaj z.Gazmend Mejzini nuk është duke u zhvilluar procedurë penale dhe as nuk është i dënuar: Gazmend Mejzini kthehet në vendin e punës me detyrat e punës sipas kontratës me nr. 3879 të datës 04.06.2018 “Koordinator i Projektit-Konkurrueshmëria dhe Gatishmëria për Eksport”, thuhet në vendimin e Lipovicës.

Albanian Post ka provuar ta marr një qëndrim nga ministrja Hajdari tash e një javë, por ajo nuk ka pranuar të flas.

Redaksia ka kontaktuar edhe me Mejzinin, por ai  ka refuzuar të sqarohet në lidhje me telefonin që dyshohet se e ka përvetësuar.

Albanian Post ka dërguar pyetje edhe në Prokurori për të marr një përgjigje në lidhje me statusin e Mejzinit, se a është duke u hetuar, por nuk kemi marr përgjigje.

Ndërsa ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, ka konfirmuar se Mejzini është suspenduar, sepse ka vjedhur një telefon.

“Unë ju them me përgjegjësinë më të madhe, se në kohën sa kam qenë unë ministër nuk është kthyer ky telefon dhe pse kemi kërkuar takim dhe kemi mbajtur një takim me Gazmend Mejzinin, dhe ne pastaj kemi iniciuar procedurat në komisionit disiplinor dhe deri tek krimet ekonomike”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka thënë se vlera e telefonit beson se  “është rreth 1 mijë ose 1 mijë 200 euro”.

Ish-ministri e ka konsideruar kthimin në punë të Gazmend Mejzinit, si të kundërligjshëm nga ana e ministres Rozeta Hajdari.

“Unë jam shumë i sigurtë që ministrja aktuale, Rozeta Hajdari, e ka kthyer kundërligjshëm në vendin e punës sepse ende pa u kryer hetimet, sepse nuk ka ende një vendim nga hetuesia, që i njëjti nuk ka kryer vepër penale”.

Krasniqi thotë telefoni sot e kësaj dite nuk dihet ku ka mbetur.

“Telefoni është aset i ministrisë dhe është blerë me mjete të ministrisë dhe i njëjti nuk figuron sot e asaj dite, nuk është askund. Andaj Rozeta Hajdari kundërligjshëm e ka kthy Gazmend Mejznin në vendin e tij të punës”. /Albanianpost.com

Exit mobile version