Shkruan: Ilir Mirena
Askush nuk po e fajëson Albin Kurtin dhe shpurën e tij qeveritare për rritjen e çmimit të naftës dhe artikujve të tjerë esenciale. Fatmirësisht, në fenomene të tilla nuk kanë gisht. Ajo, çfarë është e frikshme prej kësaj Qeverie është mungesa e ndjeshmërisë absolute ndaj gjendjes së rëndë në të cilën përditë e më shumë do të futen qytetarët e këtij vendi. Dmth nuk ka asnjë përpjekje që qytetarëve t’u përçohet mesazhi se dikush po kujdeset, dikush po mendon për ta.
Nuk ka asnjë plan a strategji se si kjo situatë të përballohet me pasoja sa më të vogla. Nuk ka plan se si t’u ndihmohet bujqve të cilët këtë pranvere do ta kenë shumë të vështirë ta punojnë tokën, nuk ka ndonjë ndihmë sado të vogël për pensionistët, për familjet në asistencë sociale, për gratë e papuna që rrisin fëmijë, nuk ka plan si t’u ndihmohet bizneseve që rrezikojnë të mbyllën në këtë kohë krize, etj., etj….Krejt kjo dëshmon që ne jemi vend dhe shoqëri që funksionojmë dhe mbahemi pa ndihmën e dorës së qeverisë. Në vend të ndihmës dhe përkujdesit për qytetarët e saj qeveria dhe Albin Kurti përkujdesën në shtimin e panikut.
Si të mos mjaftojë paaftësia e tyre dhe pavetëdija e tyre për peshën e përgjegjësisë që e kanë, Kurti dhe vartësit e tij shfaqin përbuzjen dhe indiferencën për krizën në të cilën po futet vendi. Para disa ditësh thoshte se “qytetarët shpenzojnë shumë sa kanë shumë të shpenzojnë”, e sot paska dhënë leksione se si ky “qenka çmimi që duhet ta paguajmë për luftën në Ukrainë”.
Edhe vendet tjera po paguajnë çmimin e luftës në Ukrainë, por kjo nuk po i pengon që aty ku mundën t’u dalin krah qytetarëve të tyre. Në situata të tilla, kur qytetarë ndihen të braktisur e të vetmuar duke mos llogaritur në mbështetjen minimale prej shtetit, vetvetiu shtrohen disa pyetje:Për çfarë na duhet një Qeveri kur ajo nuk është aty kur më së shumti na duhet?
A është Qeveria vetëm mbledhëse taksash dhe tatimesh, dhe shpërndarëse e rrogave për nëpunësve publikë? Nëse është e tillë, atëhere pse na duhet një qeveri punën e se cilës lehtësisht mund të kryejë një kompani kontabiliteti? PS: Sot një litër vaj në marketet tona po shitet 2 Euro e 29 Cent…