Epilogu

Misioni special i Ukë Rugovës, heqja e dy njëshave të një gjimnazisti

Insajderi në serinë e dhjetë të Dosja Grande sjell dëshmi që tregojnë për një mision që kishte ndërmarrë grupi i akuzuar kriminal i Ukë Rugovës. Ishte intervenimi për të hequr dy njësha të një gjimnazisti në “Xhevdet Doda”, në Prishtinë. Rugova kishte marrë përsipër realizimin e këtij misioni.
Misioni special i Ukë Rugovës, heqja e dy njëshave të një gjimnazisti
Florian Petani kishte një hall mbrëmjen e 22 gushtit të vitit 2013.

Ai e kishte marrë në telefon Izet Beqirin, dhe i kishte treguar se një i afërm i tij, që ishte nxënës i një gjimnazi në Prishtinë, e kishte pasur një njësh në lëndën e Gjeografisë, i cili ia kishte pamundësuar që ta kalonte vitin. Dhe se për të ishte vendosur që të futej në provim të lëndës.

Izet Beqiri i thoshte nëpërmjet telefonit Petanit se nuk e njihte askënd prej profesorëve të gjimnazeve në Prishtinë.

“…do e pyes Ukën dhe me siguri ai e njeh dike aty edhe ska problem”, e kishte garantuar Beqiri, mikun e tij Petanin.

Të gjitha bisedat që janë bërë mes grupit, mbrëmjen e 22 gushtit të vitit 2013, janë përgjuar nga EULEX-i dhe janë pjesë e Dosja Grande.

[arve url=”https://www.youtube.com/watch?v=Pk4KkGeKCQY&feature=youtu.be”/]

Bazuar në transkriptet e përgjimeve të siguruara nga Insajderi, disa minuta pasi Beqiri përfundon telefonatën me Petanin, e thërret Ukë Rugovën.

I tregon për hallin që kishte miku i tyre, Florian Petani dhe e pyet nëse e njeh profesorin e lëndës së Gjeografisë, të gjimnazit “Xhevdet Doda”, në Prishtinë.

“Po more. Drejtori Azem Jaha do vjen të martën këtu, edhe ska problem”, i thotë Uka, Izet Beqirit.

Por, një ore pasi që e përfundon bisedën me Ukën, Beqiri e merr sërish në telefon Florian Petanin, për t`ia dhënë lajmin e gëzueshëm.

“Ajo punë për atë mikun është kry”, i tregon Beqiri, Petanit.

Por, Petani i ankohet sërish. I tregon se miku i tij gjimnazist e ka njoftuar se e ka edhe një njësh tjetër përveç atij në Gjeografi.

“Ka ngel edhe në Kimi”, i tregon Petani, duke kërkuar sërish ndihmë nga Beqiri.

“Nuk ka problem, ka gabu profesori. Hiç mos ta nin, drejtori do të vij të martën edhe do ta kryejmë edhe këtë punë”, ia kthen Beqiri.

Po ashtu, Izet Beqiri i thotë Petanit se Uka kërkonte që t’i dërgohen nesër me mesazh të dhënat komplete për nxënësin që përfshijnë: emrin, mbiemrin, drejtimin, klasën dhe emrin e shkollës.

Grupi: Mos po na kap EULEX-i, e ishim kënaq në burg

Pas kësaj kërkesë për dërgimin e të dhënave nëpërmjet SMS-it, Petani dhe Beqiri fillojnë të ironizojnë me EULEX-in.

“Ok, në rregull. Po mos po na kap Eulexi mandej se, hahah”, i thotë Petani.

“Na kishin pshtu valla në këtë dimër, hahahah”, ia kthen Beqiri.

Petani pastaj i thotë “ishim kënaq në burg a hahaha”.

Krejt në fund të asaj mbrëmje, bisedojnë edhe njëherë nëpërmjet telefonit Ukë Rugova dhe Izet Beqirin. Flasin për misionin që kanë ndërmarrë. E garantojnë njëri-tjetrin se dy njëshat e gjimnazistit do të largohen.

Insajderi ka provuar të kontaktoj me Azem Jaha, drejtor në “Xhevdet Doda”, mirëpo ai ende nuk ka dhënë një koment lidhur me përmbajtjen e bisedave të përgjuara më 22 gusht të vitit 2013.

Po ashtu, përgjigje ende nuk ka dhënë as Florian Petani.

Ndërsa avokati i Ukë Rugovës, Bajram Tmava, ka thënë për Insajderin se nuk mund të komentojë lidhur me përmbajtjen e kësaj bisede. Ka thënë se e vetmja informatë që mund të jap për media janë datat e mbajtjes së seancave të procesit gjyqësor kundër Ukë Rugovës.

Insajderi ka kontaktuar edhe avokatin e Izet Beqirit, Besnik Berishën. Ai ka pohuar se nuk mund të flasë lidhur me prova të cilat ende nuk janë administruar në gjykatë dhe për të cilat nuk dihet se a janë të pranueshme.

“Gjykata ende nuk ka vendosur për pranueshmerinë e aktakuzës”, ka thënë Berisha. /Insajderi.com

Exit mobile version