Epilogu

Montim monstruoz: Serbia tha se Agimin e vrau UÇK-ja në 1998, ndërsa ai u vetëvra në 1981 (DOKUMENT)

Një nga montimet më të rënda gjatë kohës së luftës për të goditur imazhin e UÇK-së ishte krematoriumi i gëlqeres në Kleçkë. Në komunikatën zyrtare, Serbia kishte pretenduar se janë vrarë 22 serbë e pastaj janë djegur në furrën e gëlqerës. Po ashtu, Serbia përmendi edhe dy shqiptarë të vrarë në 1998, ku në fund u zbulua se njëri kishte bërë vetëvrasje në vitin 1981 ndërsa tjetri ishte gjallë e kishte vdekur në vitin 2000.

Si ndodhi montimi i rastit, në vijim do të njoftoheni me faktet tronditëse:

Dy të rinj shqiptarë, vëllezërit Mazreku, të paraqitur si “ushtarë të UÇK-së”, u arrestuan dhe “pranuan” që, së bashku me disa ushtarë të tjerë, kishin vënë në radhë disa dhjetëra serbë dhe i kishin pushkatuar. Trupat qenkëshin hedhur pastaj në furrë dhe duhej të zhdukeshin në gëlqeren e pashuar…

Më vonë do të mësohej se vëllezërit Mazreku ishin arrestuar më 30 korrik 1998, domethënë njëzeteshtatë ditë përpara asaj shfaqjeje të zbulimit të “krimit” të tyre. Pasi u burgosën në Serbi, ata dolën më në fund të pafajshëm, asgjë e atillë nuk kishte ndodhur dhe ata u liruan në mars 2002. E gjitha ishte një trillim, më pas rezultoi se ishin droguar kur u nxorën para kamerave. Ata pas lirimit nga burgu i Serbisë e pranuan se të gjitha deklaratat e tyre ishin dhënë pas rrahjeve e torturave brutale nga ana e forcave serbe.

Aktakuza zyrtare ndaj vëllezërve Mazreku pretendonte se ata e kanë pranuar se kanë vrarë dy shqiptarë: Agim Thaqin dhe Faik Bitiqin. Mbrojtja kishte arritur të vërtetonte se Agim Thaqi kishte kryer vetëvrasje në vitin 1981 e nuk ishte vrarë në vitin 1998, ashtu siç pretendonte aparati shtetëror i Serbisë. Serbia përmes strukturave të saj kishte manipuluar edhe me kufomat duke u munduar ta montojë këtë rast, por pas zbulimit se Agim Thaqi kishte vdekur në vitin 1981, prokuroria kishte nxitur për ta larguar nga aktakuza.

Mazreku rrëfeu se kishte rrëmbyer një burrë që kreu vetëvrasje shumë kohë përpara se ta rrëmbyen atë, dhe një tjetër që vdiq për shkaqe natyrore në vitin 2000, pothuajse dy vjet më pas.

Vëllezërit Mazreku në fund u shpallën të pafajshëm dhe u liruan. Pas lirimit ata pranuan se deklaratat e tyre ishin dhënë pas torturave ekstreme që kishin pësuar nga ana e forcave serbe.

Deklarata e Luan Mazrekut para Gjykatës:

Kur na arrestuan, na rrahën me shkopinj nate. Na çuan nga Malisheva në Gllogoc, ku na rrahën policët, ushtarët, madje edhe civilët. Aty qëndruam rreth dy orë dhe më pas na dërguan në Prishtinë. Na rrahën derisa erdhën inspektorët e policisë. Aty u ndamë dhe nuk u pamë më. Dy ditë më vonë, më dhanë disa letra dhe më detyruan t'i firmosja, duke më premtuar se do të më linin të shkoja nëse do ta bëja. I firmosa letrat me duar të lidhura. Më pas më dhanë një letër me makinë shkrimi dhe më thanë se duhej të mësoja përmendsh se çfarë thoshte. E lexova tekstin dhe pashë se ishte e njëjta gjë e manipuluar dhe refuzova ta mësoja. Më bënë dy injeksione për të mësuar tekstin. Ata vazhduan të më rrihnin dhe të më kërcënonin se do të më vrisnin; ma prenë veshin e majtë. Pas kësaj torture, pranova të mësoja tekstin që më kishin dhënë. Të nesërmen më çuan mua dhe Bekimin në Kleçkë ku me rrahje dhe kërcënime më bënë të them para kamerave tekstin që kisha mësuar.



chrome-extension://efaidnbmnnnibpcajpcglclefindmkaj/https://www.hlc-rdc.org/wp-content/uploads/2013/07/May-16.-Convicted-without-Evidence-Legal-Analysis-of-the-Mazreku-Trial.pdf

Exit mobile version