Muja kërkon ndihmë nga tri shtete fqinje: Po rrezikohemi nga pushtimi
Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaip Muja po kërkon mbrojte ushtarake nga tri shtetet fqinjë, Shqipëria Maqedonia dhe Mali i Zi.
Muja duke folur për takimin që sot është zhvilluar mes Kosovës dhe Shqipërisë, ka thënë se temat e trajtuara në këtë takim nuk përbëjnë asnjë pengesë për BE-në, SHBA-në por as për Serbinë. Sipas tij e vetmja temë që Serbia e konsideron me rrezik është krijimi i Ushtrisë së Kosovës.
“Sot, të nderuar shqiptarë e ndërkombëtarë, ishim dëshmitarë të takimeve të radhës së dy Qeverive, të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë që po trajtojnë tema bashkëpunimi ekonomik e arsimor. Për mua, nuk janë ndonjë e arritur, e quaj të vonuar. Këto tema që po trajtohen, aktualisht nga dy Qeveritë që nga viti 1999 s’kanë qenë pengesë as e UNMIK-ut as sot e BE-së apo ShBA-së, sepse janë tema të cilat normal edhe Serbinë se shqetësojnë shumë sepse lirisht këto tema nuk prodhojnë “rrezikshmëri” për Serbinë”.
“Tema e vetme që nxit reagim e shqetësim, dhe sot vlerësohet e “rrezikshme” dhe “tema djallëzore”, është transformimi i FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK). Kjo temë, as në Kosovë as në Shqipëri, madje as nga faktori ndërkombëtar, nuk po trajtohet si nevojë për siguri rajonale e globale, por po sillemi rrotull duke pritur që Serbia do të lejojë votën e pakicës serbe në Parlament ta bëjnë pro FAK.
Kjo nuk do të ndodh dhe siç shihet, as Serbia s’ka vullnet për këtë stabilitet por as BE-ja nuk është e qartë së bashku me NATO-n për shtyllën kryesore të sigurisë në Kosovë, FAK”, ka shkruar Muja.
Muja duke folur për këtë situatë ka propozuar mbrojtën ushtarake të Kosovës në një periudhë prej 5 viteve.
“Forcat e Armatosura të Kosovës, nuk janë dëshirë jona për politika ekspansioniste e shoviniste, por thjeshtë, nevojë për shkak të rrethanave që po krijon Rusia në regjion dhe po implementon Serbia para syve dhe fytyrës së BE-së dhe NATO-s. Duke parë dhe analizuar këtë situatë, propozoj që tri shtet që na rrethojnë neve: Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi, së bashku në konferencat e komiteteve të sigurisë së NATO-s, BE-së dhe SHBA-së të propozojnë mbrojtjen ushtarake të Republikës së Kosovës nga çfarëdo agresori që i kanoset për një periudhë 5 vjeçare”.
“Arsyeshmëria është që Republika e Kosovës, ende s’ka klimë të brendshme dhe të jashtme të favorshme për të bërë ushtrinë. Detyrimet e Kosovës do të jenë financiare për këto tri shtete që e marrin në mbrojtje sipas modelit që ka Islanda e cila mbrohet nga ushtria e ShBA-së, apo Lihtenshtajni që mbrohet nga Gjermania, e shumë shembuj të tjerë”, ka shkruar Muja në llogarinë e tij në Facebook.
Ai më tej ka thënë se kjo do të ishte një zgjedhje në interes të sigurisë për 5 vite, ku edhe do të evitohej keqpërdorimi i temës së madhe nacionale.
“Besoj se kjo do të ishte zgjedhje për të gjithë faktorët në interes të sigurisë regjionale dhe globale. Sigurisht, pipi politik që i bie kush mbërrin në fushata zgjedhore për këtë çështje, do të pushonte për 5 vjet.
Kështu edhe do të evitohej keqpërdorimi i “temës së madhe nacionale”, duke mos lejuar të stërkeqet nga politika ditore e cila tashmë ka vënë në lojë, himn, flamur e çka i bie në dorë”, ka shkruar Muja.