Epilogu

Murat Jashari: Rifati, nuk ka qa kur i është vrarë familja, por qante kur është vrarë Fehmiu dhe Xheva

Murat Jashari për librin e Bedri Islamiti:

“Baca Adem ka pasë besim shumë të madh prej tij, deri në vdekje, thoshte, nuk ndahem prej tij. Lufta në Kosovë ka pasë shumë gjëra pozitive, por edhe negative. Në atë rast, kur kanë ardhë njerëzit tek bali Adem dhe i kanë thanë mos e prano Fehmiun, kanë qenë negative. Nganjëherë ne i lartësojmë njerëzit vetëm kur vdesin, baca Fehë është njohtë për i tillë, qysh kur ka qenë gjallë. Për familjen tonë ai ka qenë si Hamza, si Rifati, si Ademi, ka qenë një vëlla i tyre, një mixhë i joni. Im atë, Rifati, nuk ka qa kur i është vrarë familja, por e kam parë tek qante kur është vrarë Fehmiu dhe Xheva.

Luftëtarë ka pasë Shqipëria, ka qenë normale, edhe diplomatë, politikanë; por që t’i ketë këto të dyja një njeri, edhe luftëtar, edhe politikan e diplomat, ato, në këtë luftë, i ka pasë veç Fehmi Lladrovci. Fatin e kishte edhe tek bashkëshortja e tij, Xheva, që ishte edhe bashkëluftëtare e tij.

Baca Fehë ka qenë pjesëtar i familjes sonë. Pa qenë vëlla, nuk mund të thuhet se vetëm vdekja më ndan prej tij…”

Gjithë jetën e tyre, Fehmiu dhe Xheva kishin menduar dhe ëndërruar që familjet e luftës, familjet atdhetare, të ishin të lidhura fort me njëra-tjetrën. Kishte qenë një ndër synimet e jetës së tij. Kishte qenë gjithnjë i bindur se Lisi i Familjes JASHARI ishte i tillë që nuk mund të shkulej.

Exit mobile version