Fred Abrahams jetoi për periudha të gjata në Shqipëri dhe Kosovë, mbajti shënim për gjithçka dhe punoi për të zbardhur ngjarje që kishin ndodhur. Pastaj, ai botoi një libër me titullin “Shqipëria e Re”. Ai tregon se shumëkush e ka quajtur edhe “Agjent të CIA-s”. Poashtu, ishte pjesë e “Human Rights Watch“.
Ai në librin e tij kishte treguar për bisedën dhe sekretet e takimit të Ish kryeministrit të Shqipërisë Fatos Nanos dhe ish presidentit serb – kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.
“Sipas Nanos, ai ndoqi vijën amerikane dhe i kërkoi Millosheviqit të takohej me Rugovën. Millosheviqi refuzoi, duke thënë se Rugova kryesonte një lëvizje separatiste dhe irredentiste “Unë mund t’ju ftoj juve në shesh dhe katër mijë shqiptarë do të bërtasin “Rroftë Millosheviqi”, pretendoi Nanoja të kishte thënë Millosheviqi“, shkruan në librin e tij Fred Abrahams.
Më tutje Abrahams shkruan se “Berisha dhe Partia Demokratike e përdorën takimin për të sulmuar Nanon, duke e quajtur atë tradhtar ngaqë u takua me “Kasapin e Ballkanit”. UÇK-ja nuk e kishte këtë pikëpamje. “Nuk më pëlqeu që Nanoja u takua me të, sepse e dija që do ta sulmonin”, më tha Xhavit Haliti. Por kurrë nuk mendova që Kosovës do t’i vinte ndonjë e kuqe. Nanoja ishte nën presion ndërkombëtar për t’u takuar – qeveria e Shqipërisë ishte e detyruar ta bënte këtë. Superfuqitë nganjëherë kërkojnë që të bëhen takime të tilla, i kishte thënë Xhavit Haliti – Fred Abrahamsit”.