Epilogu

“NATO nuk e ka çliruar Kosovën” – çfarë thoshte komunikata e LVV-së para se të vinte në pushtet?

Lëvizja Vetëvendosje para se të vinte në pushtet vazhdimisht kishte deklaruar se NATO-ja nuk e ka çliruar Kosovën. Për këtë ekzistojnë edhe komunikata nga e kaluara, të cilat tashmë janë fshirë nga ueb faqja e kësaj partie.

Në komunikatën e LVV-së e publikuar më 2 qershor të viti 2010 thuhej se NATO-ja nuk e ka çliruar Kosovën.

Aty thuhet se të gjitha rezolutat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara kanë riafirmuar integritetin dhe sovranitetin territorial të Republikës Federale Jugosllave mbi Kosovën, përcjell Demokracia.com.

LVV-ja në këtë komunikatë thoshte se intervenimi i NATO-s nuk kishte autorizim “ab initio” të OKB-së, që nënkupton se nuk kishte miratimin nga fillimi për të ndodhur. Por, pyetja që Vetëvendosje e shtron në këtë komunikatë është se çfarë ka prodhuar ky intervenim dhe a është çliruar Kosova apo është ruajtur sovraniteti territorial i Jugosllavisë mbi Kosovën?

“Në fund të fundit, nuk është edhe aq e rëndësishme se a ka qenë ky intervenim legal, sa e rëndësishme është të zbërthehet se për çfarë në të vërtetë është bërë ky intervenim?! Është çliruar Kosova me intervenimin e NATO-s apo është ruajtur integriteti dhe sovraniteti territorial i Jugosllavisë?!“, thuhet në komunikatën e LVV-së, përcjell Demokracia.com.

LVV i referohet librit të Wesley K. Clark ku thotë se me intervenim tokësor do të shpëtoheshin më shumë njerëz dhe së këndejmi, Vetëvendosje thotë se shqetësimi i NATO-s nuk ka qenë për ta zmbrapsur sulmin e armatosur të forcave serbe mbi popullatën civile.

“Pra, vërehet se NATO nuk ka qenë edhe aq e shqetësuar për të zmbrapsur sulmin e armatosur të forcave serbe mbi popullatën civile shqiptare. Edhe këtë e dëshmon vetë deklarata e gjeneralit Wesley K. Clark, komandant suprem i NATO-s gjatë bombardimeve në Kosovë, i cili thotë se ashpërsimi i dhunës dhe mizorive të forcave serbe pas fillimit të bombardimeve të NATO-s ka qenë krejt i parashikueshëm”, thuhet në këtë komunikatë.

“Pasiqë bashkësia ndërkombëtare ka qenë shumë e preokupuar me fatin e qytetarëve të Kosovës dhe pasiqë qëllimet e saj kanë qenë qëllime humanitare, atëherë pse ajo ka vendosur që para fillimit të intervenimit të NATO-s t’i lë qytetarët e Kosovës nën mëshirën e regjimit të Millosheviqit duke e larguar KVM-në nga Kosova?!… Një shkrimtar serb, Vladimir Arsenijevic, në ditarin e tij për luftën, “Mexico – Ditari i luftës”, thotë: “Është fakt i pamohueshëm që NATO e ka mbështetur drejtpërdrejt Sllobodan Millosheviqin duke ndihmuar që ta ndërmarrë këtë valë të fundit të mizorive gjithandej në Kosovë, si dhe ta forcoj kontrollin e tij në gjithë Jugosllavinë. Përderisa NATO zhvillon luftën e vet komode nga ajri, civilët shqiptarë janë lënë në mëshirën e forcave ushtarake dhe paramilitare serbe atje poshtë në terren” (faqe 121)”, thuhet mes tjerash në komunikatën e VV-së.

Po ashtu, në komunikatën e LVV-së thuhet se intervenimi i NATO-s nuk është bërë për çlirimin e Kosovës por për ta shtrënguar Serbinë për ta pranuar planin e paqes dhe t’i garantojë NATO-s qarkullim të lirë nëpër Jugosllavi por edhe garantim të integritetit dhe sovranitetit territorial të Jugosllavisë.

Sipas LVV-së, intervenimi i NATO-s është bërë që Serbia ta pranojë Marrëveshjen e Rambujesë, por njëkohësisht sipas tyre është ruajtur edhe sovraniteti dhe integriteti territorial i Jugosllavisë.

“Intervenimi i NATO-s nuk është bërë për ta çliruar Kosovën, por për ta shtrënguar palën serbe ta pranoj planin e paqes, e ai plan jo vetëm se ka garantuar që NATO-ja të ketë qarkullim të lirë nëpër tërë RFJ-në, por ka garantuar edhe mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit territorial të Jugosllavisë (qëllimi ka qenë që të ruhet paqja dhe stabiliteti ndërkombëtar) dhe këtë më së miri e dëshmon dokumenti i 3 qershorit të vitit 1999 (Ahtisari dhe Çernomerdini)”, thuhej tutje në komunikatën e VV-së. /Demokracia.com/ 

Exit mobile version