Pushteti i plotë, siç e kërkonte, nuk po i mjafton Vetëvendosjes andaj edhe ‘të fortët’ e partisë nuk po rrinë rehat. Qeveria Kurti 2, si edhe tjerat para tyre, po karakterizohet me përçarje brenda mbledhjeve të ekzekutivit.
Njëri ministër e tjetri zëvendëskryeministër i kanë kthyer heshtat kundër njëri tjetrit, e për të mos u derdhur ‘gjaku’, Albin Kurti po i qetëson duke qëndruar mes tyre.
Burime të Nacionales thonë se kasta e vjetër e VV-së, me Liburn Aliun në krye dhe kjo e reja me Besnik Bislimin, pas tensioneve që janë krijuar mes tyre, po shikohen vëngër me njëri-tjetrin.
Arsyeja e këtij konflikti po del të jetë “diskriminimi” që po u bëhet aktivistëve të VV-së, nga zëvendëskryeministri që në VV ateroi nga ajri dhe që po mbledh edhe shumë ish-studentë të tij.
Bile, aktivistët e VV-së e kanë emëruar qeverinë e ndikuar nga ‘parashutisti’ Besnik Bislimi si “Qeveria e AUK-ut”.
Vetë Bislimi s’ishte nga ata që zvarritej rrugëve nga policia kur VV-ja protestonte. Atëbotë, Bislimi ligjëronte në AUK dhe paguhej me para të majme, e në VV u fut pak para se kjo parti ta merrte pushtetin.
Pushteti si ministër e pastaj zëvendësministër, Bislimit i dha hapësirë që menjëherë ta fillojë akomodimin e nxënësve të tij nëpër pozita, duke lënë anash aktivistët që e sollën VV-në në pushtet.
Nacionale tashmë e ka konfirmuar se në zyrën e Besnik Bislimit janë emëruar nëntë këshilltarë, në mesin e tyre dy të jashtëm që nuk paguhen.
Këto burime, thonë se aktivistët e VV-së po injorohen dhe ndihen të zemëruar. E zemërimin ndaj Qeverisë së AUK-ut, aktivistët po e shprehin në zyrën e fraksionit kundërshtar të krijuar nga Liburn Aliu.
Pas publikimit të përgjimeve nga Nacionale rreth një afere ku përmendej emri i Liburn Aliut, ky i fundit u detyrua të dalë para mediave për sqarim, ku ndër tjerash tha se patundshmëri ka blerë me paratë që i mori si kompensim që kishte mbajtur burg.
Në këtë pikë, ‘Qeveria e AUK-ut’ qëndron më afër Kurtit. Kjo sepse kryeministri ende s’ka marr para si ministri i tij, ani pse edhe ky ishte i burgosur politik.
Aleati më i fortë i Qeverisë së AUK-ut është një tjetër aukist brenda qeverisë, me post ekzekutiv.
Kur Besnik Bislimi nga ministër i Financave u promovua zëvendëskryeministër në qeverinë e re, vendin e tij e zuri nxënësi i tij aukist, Hekuran Murati.
Njëjtë si shefi i vet, edhe Hekuran Murati u bë pjesë e VV-së pa kontribuar në VV, për dallim nga aktivistët e vjetër që rriheshin rrugëve e stacioneve policore.
Kujtojmë se në zgjedhjet e kaluara, të 6 tetorit 2019, Yllza Hoti – po ashtu studente e Besnik Bislimit në AUK – kishte marrë numrin 5 si kandidate për deputete, duke lënë prapa me numër Liburn Aliun (6), Xhelal Sveçlën (7), Rexhep Selimin (10) dhe 105 kandidatë tjerë . Ky numër mund t’i jetë dhënë nga vetë Bislimi që nuk kishte garuar fare për deputet në ato zgjedhje. Sidoqoftë, Yllza e re me numrin 5 kishte përbën një prej mistereve më të mëdha në zgjedhjet parlamentare të Kosovës, por që mund të zbardhet nga aktivistët e VV-së nëse flasin publikisht.
Derisa fraksionet kundërshtare brenda qeverisë, Liburni vs Besniku, po rekrutojnë njerëz për ta fituar luftën, Qeveria Kurti po përballet me protestat e veteranëve të UÇK-së.
OVL-ja e UÇK-së po proteston pasi ligji për rritjen e pagës minimale, përkundër që ka qenë e rregulluar juridikisht, nuk do të vlejë më në Qeverinë Kurti.
Pos në qeveri, VV-ja nuk është e unifikuar as në Kuvend. Në mesin e grupit parlamentar që udhëhiqet nga Mimoza Kusari-Lila, ka edhe deputet që i kanë dalë kundër ligjit të pagave.
Bashkëluftëtari i Zahir Pajazitit, Fatmir Humolli që u bë deputet në listën e VV-së, ka thënë për gazetën Nacionale se po e shqyrton dorëheqjen.
Ditëve të fundit, u zbulua që Dillon Berjani – i biri i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës – po ashtu punonte në Zyrën e Besnik Bislimi si një aukist tjetër, pra student i tij. Kjo ka ngritur dyshimet për konflikt interesi në kohën kur çmimet e naftës kanë shkuar deri në një euro e 90 centë për një litër në vendin tonë.